TIRANE- Alfred Rushaj, ish-zëvendësministër i Financave, paditet në Prokurori për shpërdorime të kryera në degën e kompanisë shtetërore të sigurimeve INSIG në Kosovë, që kanë sjellë një dëm 5.135.506 euro. Bashkë me të, sipas burimeve nga organi i Akuzës, janë kallzuar edhe ish-këshilltari i ministrit Bode Asllan Shera dhe Omer Stringa, P. Kolnikaj e drejtuesi i degës së Kosovës.

Ky kallzim bëhet pas dërgimit në Prokurori nga kreu i Financave Shkëlqim Cani të dosjes penale në ngarkim të paraardhësit të tij Ridvan Bode dhe zv.ministrit tjetër Sherefedin Shehu, të akuzuar për abuzim me një dëm të konsiderueshëm ekonomik në rastin e marrjes së kredisë sindikale nga banka private për financimin e punimeve në Rrugën e Kombit.
 
Akuza
Sipas kallzimit, gjatë viteve 2009-2013 janë kryer abuzime me fonde të sigurimit, të shpenzuara për reklama dhe shpërblime ndaj punonjësve. Shifra prej 5.1 milionë eurosh rezulton të jetë përdorur jashtë destinacionit, pra jo për bonuset e sigurimit tip TPL. Për marketing dhe reklamë ka dyshime se është abuzuar me më shumë se 3 milionë euro, me shpërblime ndaj punonjësve gati një milion euro dhe pjesa tjetër rezulton të në formë të shpenzimeve të pajustifikuara për riparim zyrash, materiale dhe sponsorizime.

Ish-drejtorët e përgjithshëm të INSUG-ut Saimir Zëmblaku, Tomorr Kalaja dhe ish-drejtuesi i Degës Kosovë Arben Breshani kanë deklaruar se shpenzimet janë miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës, i cili në këtë rast merr përgjegjësinë për vendimin.

Ndërkohë, janë vërejtur gjatë auditimit fatura financiare të pavërteta, të dyshimta e false, që çojnë në akuzën për shpërdorim detyre nga drejtuesit.
 
KLSH
Shkelje të shumta të disiplinës financiare në degën e INSIG-ut në Kosovë janë konstatuar dhe në auditimin e ushtruar në INSIG nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për periudhën 2010-2013, që është bërë publik më 18 shtator të këtij viti. Sipas audituesve, Insig Sh.a. Dega Kosovë, për periudhën 01.09.2012-30.06.2013, ka kryer shpenzime “Reklamë, Marketing dhe Publicitet”, në vlerën 791.500 euro, ppor këto shpenzime janë kontabilizuar në zërin “Shpenzime të tjera të marrjes në sigurim” dhe në jo në atë “Shpenzime Reklamë, Publicitet dhe Marketing”.

Nga auditimi u konstatua edhe se në 2 raste është likuiduar një shoqëri private për vlerën 139.200 euro për riparimin e zyrave të degës Insig Sh.a. Kosovë në vitin 2010, por pa një dokumentacion që të provojë (vërtetojë) se shpenzimi është kryer, si situacion, procesverbal të marrjes së punës në dorëzim, çertifikatë të cilësisë së materialeve të përdorura, etj.

Privatizimi i dështuar i Institutit shtetëror të Sigurimit
Privatizimi i INSIG-ut është bërë disa herë gati nga qeveri të ndryshme shqiptare dhe ka dështuar disa here. Kompania amerikane "American Reserve Life insurance", e cila madje e fitoi garën për privatizimin e INSIG-ut në vitin 2008, më pas hoqi dorë nga blerja për shkak të krizës, në të cilën u ndodh kompania amerikane. Amerikanët do ta blenin shoqërinë e vetme shtetërore të sigurimeve për shumën totale prej 41 milionë eurosh, vlerë, e cila nuk u derdh kurrë në arkën e shtetit, për shkak të amullisë që krijoi kriza financiare ndërkombëtare edhe në buxhetin e "American Reserve Life insurance".

Për këtë blerje, opozita e atëhershme akuzoi për afera korruptive ish-ministrin Fatmir Mediu, i cili ishte ofruar si “shkes” për kompaninë e panjohur amerikane, pas së cilës dukej se qendronin persona të veshur me pushtet në Shqipëri. Pas kësaj, ende sot e kësaj dite INSIG mbetet si e vetmja kompani në tregun shqiptar të sigurimeve, që zotërohet në masën 100% nga shteti.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)