TIRANË - “Crown Agents është kompani me integritet dhe me rezultate pune në vende të tjera të rajonit”. Këtë i ka theksuar ambasadori britanik në Shqipëri, Nicholas Cannon në një takim që ka pasur sot me drejtoreshën e Përgjithshme të Doganave, Elisa Spiropali.

Gjithashtu ai shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Dhe përgëzoi punën e kryer deri tani nga Administrata e re Doganore duke u shprehur: “Ne vlerësojmë institucionin e doganës si një nga më të rëndësishmit në vend për shkak të punës që kryen dhe peshës që mban aktualisht në sigurimin e tregtisë së ndershme. Ky institucion- shtoi ai- është i rëndësishëm për rritjen e investimeve të huaja në vend”.

Në këtë takim u vlerësua bashkëpunimi dhe marrëdhënia e ngushtë që ekziston mes Ambasadës Britanike dhe Administratës së Doganave Shqiptare. Drejtoresha e Përgjithshme falënderoi Cannon dhe shprehu besimin e saj të plotë për një bashkëpunim të suksesshëm.

Ndër të tjera Spiropali njohu Cannon me rezultatet e punës në këtë fund viti, me prioritetet e Administratës Doganore, por edhe me veprimet e ndërmarra për rritjen e të ardhurave për buxhetin e shtetit, për zbulimin e rasteve të evazionit fiskal si dhe vendosmërinë për të vepruar deri në ballafaqimin me ligjin të subjekteve dhe punonjësve abuzivë.

Znj. Spiropali theksoi rëndësinë e zhvillimit dhe modernizimit të Administratës Doganore, proces ky, i cili ka filluar, përmes implementimit të projekteve IPA dhe asistencës të bashkëpunëtorëve tanë. Gjithashtu- theksoi Spiropali- kemi intensifikuar marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë për rritjen e shkëmbimit të informacionit si një nga mënyrat më efikase për uljen e rasteve të evazionit fiskal.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)