Fabio Capello pothuajse përlotet. "Më vjen të qaj. Duhet t'i jepet një 'Top i Artë' pas vdekjes." Franco Baresi, mbrojtësi që kaloi 20 vite te Milani (15 si kapiten) u nda nga jeta të premten në moshën 66-vjeçare. Që nga viti 1997 kur la futbollin, Milani e ka hequr nga qarkullimi numrin 6 për nder të tij.

Capello ka qenë pjesë e pothuajse gjithë jetës sportive të Franco Baresit dhe emocionet e tij janë të kuptueshme.

"Franco debutoi me Nils Liedholm kur unë luaja te Milani në vitin 1976. Që në fillim ishte 'Piscinin', siç e thërrisnin në akademi, një nofkë që e shoqëroi gjatë gjithë karrierës."

Edhe kur ngrinte trofe si kapiten i kuqezinjve. "Franco ishte një djalë i mrekullueshëm. Punoi jashtëzakonisht shumë për t'u bërë ai që u bë. Ishte simboli për të gjithë ata që vinin të luanin te Milani. Mjaftonte ta shihje si stërvitej, si sillej, si ishte gjithmonë i pranishëm dhe çfarë jepte brenda e jashtë fushës. Kjo ishte thelbësore për zhvillimin e lojtarëve të tjerë."

-Ai simbol i Milanit, ndërsa vëllai Beppe i Interit. Një situatë e pazakontë, apo jo?

Ishte e pazakontë, por krijoi edhe një rivalitet pozitiv mes tyre. Donin të ishin konkurrues në çdo moment. Megjithatë, e donin shumë njëri-tjetrin. Ishin dy njerëz aq të mirë dhe korrektë, sa ishte e pamundur të mos kishin dashuri mes tyre dhe respekt nga të tjerët. Nuk kishte kurrë xhelozi.

-Edhe pse Franco fitoi shumë më tepër...

Ai pati fatin të luante në një skuadër më fituese, por të dy ishin futbollistë të mëdhenj dhe të dy luajtën me kombëtaren. Mendoj se lumturia që sollën në familje ishte gjëja më e rëndësishme.

-Nga ana teknike, cila ishte cilësia që e bënte Baresin unik dhe që sot mungon te mbrojtësit?

Kishte shpejtësi të madhe, intuitë të jashtëzakonshme dhe inteligjencë taktike. Lexonte lojën në një mënyrë pothuajse unike. Në aspektin mbrojtës ishte absolutisht më i miri i asaj kohe, jo vetëm sepse luante te një Milan i madh, por sepse ishte superior ndaj çdo mbrojtësi tjetër në botë.

Franco Baresi

-Keni ndonjë kujtim të veçantë me të?

Kur erdhi Arrigo Sacchi, Franco nuk u përshtat menjëherë me metodat e reja. Kishte disa vështirësi dhe Juventusi po këmbëngulte ta transferonte. Unë e kisha trajnuar vetëm për pak ndeshje. Një mbrëmje u takuam në një restorant bashkë me gratë tona dhe e bindëm të qëndronte. Ai hezitoi për një moment, por dashuria për Milanin fitoi.

-Ishte një njeri i rezervuar dhe jo shumë mediatik. A është nënvlerësuar ndërkombëtarisht?

Po. Kur më pyesin cilët janë kampionët më të mëdhenj që kam trajnuar, përmend gjithmonë dy emra që nuk morën kurrë vlerësimin që meritonin, Franco Baresi dhe Paolo Maldini. Ku gjen sot dy futbollistë me atë nivel teknik dhe taktik, që nuk kanë fituar çmimet që meritonin? Ata ishin fenomenalë dhe janë arsyeja pse Sacchi dhe unë patëm fatin t'i trajnonim.

-Çfarë marrëdhënieje kishte me Silvio Berlusconin?

Shumë të mirë. Berlusconi kishte respekt të madh për një futbollist që bënte diferencën në çdo situatë. Franco nuk ishte njeri i fjalëve, nuk i pëlqente të dilte në qendër të vëmendjes. Momentet e bukura preferonte t'i jetonte me skuadrën. Brenda grupit ishte i hapur, bënte shaka dhe ishte shumë i shoqërueshëm. Vetëm jashtë dukej më i mbyllur.

-Si sillej me të rinjtë?

Ishte i hapur me të gjithë. Por mbi të gjitha, ishte shembulli i tij ai që fliste më shumë se çdo fjalë. Kur lexoj sot se Matteo Gabbia tregon sa shumë mëson duke parë Luka Modricin, i cili edhe pse ka fituar gjithçka vazhdon të jetë i përulur dhe i etur për të mësuar, më kujtohet menjëherë Franco.

Këta janë kampionët që të japin diçka ndryshe. Shembulli i tyre mbetet përgjithmonë në mendjen tënde. Kur sheh futbollistë të mëdhenj që nuk mburren edhe pse kanë fituar gjithçka, që mendojnë vetëm se kanë bërë detyrën dhe kanë lumturuar njerëzit, atëherë kupton çfarë do të thotë të jesh kampion.

Kjo ishte bukuria e Francos. Ai mendonte vetëm të bënte të lumtur njerëzit, familjen e madhe të Milanit. Më dridhet trupi kur e them, por është e vërtetë. Me largimin e tij mbyllet një pjesë e historisë së Milanit të madh.

Sekreti i atij Milani ishte pikërisht shembulli që jepnin lojtarët që kishin fituar gjithçka, por nuk kënaqeshin kurrë. Dhe Franco ishte unik. Ai ishte krenar që vishte fanellën e Milanit dhe luante për tifozët. Si kapiten ua transmetonte këtë ndjenjë të gjithëve. Nëse skuadra relaksohej qoftë edhe për pak, ai ishte i pari që e zgjonte. Nuk pranonte kurrë humbjen. Ky ishte mesazhi më i fortë që përcillte.

Berlusconi i dhuron Baresit një kopje të 'Topit të Artë', 1989

-Cila ishte ndeshja më e bukur e Baresit sipas jush?

Të gjitha. Ishte një kapiten që në çdo ndeshje transmetonte dëshirën për të fituar, dashurinë për skuadrën, klubin dhe tifozët. Nuk ishte kurrë i kënaqur nëse nuk fitonte.

-A do të ketë ndonjëherë Milani një tjetër si ai?

Po flasim për një futbollist të denjë për 'Topin e Artë', një lojtar që lind shumë rrallë. Sot janë kohë të tjera dhe mentalitet tjetër. Me karakterin e tij, Franco ndoshta nuk do të ishte shumë aktiv në rrjetet sociale.Sot gjithçka ka ndryshuar. Por besoj se ai e meriton një çmim ndërkombëtar pas vdekjes. Për atë që ishte si futbollist dhe mbi të gjitha, për atë që ishte si njeri. / Gazzetta dello Sport