Kupa e Botës 2026 ka rikthyer në qendër të vëmendjes një nga figurat më të njohura të tribunave të futbollit botëror. Hector Chavez, i njohur gjerësisht me nofkën 'Caramelo', ka arritur një tjetër rekord të jashtëzakonshëm, duke ndjekur ndeshjen e 543-të të kombëtares së Meksikës, vendit të tij.
64-vjeçari është bërë simbol i mbështetjes së palëkundur për “El Tri”, të cilën e ndjek prej katër dekadash. Udhëtimi i tij nisi në vitin 1986, kur Meksika organizoi Kupën e Botës. Chavez kujton se ndeshja e parë që pa nga afër ishte më 19 shkurt të atij viti kundër Bashkimit Sovjetik, ndërsa debutimi i tij në një Botëror erdhi më 3 qershor, në sfidën mes Meksikës dhe Belgjikës.
Në Botërorin e këtij viti, 'Caramelo' nuk është vetëm në tribunë. Për herë të parë në një turne të tillë madhor, ai shoqërohet nga djali i tij 21-vjeçar, Hector Chavez Jr., i njohur tashmë si 'Caramelo Jr'. Babë e bir dallohen lehtësisht nga tifozët falë sombrerove të mëdhenj të zinj në kokë, ku janë të shkruara nofkat e tyre me shkronja të mëdha.
“Meksika ka një nga bazat më të mira të tifozëve në botë. Ne jemi ndër ata që udhëtojmë më shumë për të mbështetur ekipin tonë dhe kemi krenari për identitetin tonë”, deklaroi Chavez për Associated Press.
Megjithatë, ai pranon se Kupa e Botës 2026 ka qenë sfida më e madhe financiare që ka përjetuar si tifoz. Sipas tij, kostot e larta të udhëtimit dhe biletave kanë bërë që shumë nga miqtë e tij të mos mund ta ndjekin turneun.
“Ky është Botërori më i shtrenjtë që kam përjetuar. Disa nga miqtë që zakonisht më shoqërojnë nuk mundën të vinin”, u shpreh ai.
Popullariteti i 'Caramelos' nuk ka kaluar pa polemika. Një pjesë e tifozëve meksikanë e kanë kritikuar për vëmendjen e madhe që merr në media, ndërsa ai u përfshi edhe në debat pas incidentit kur hodhi kapelen në fushë gjatë ndeshjes mes Kolumbisë dhe Uzbekistanit në Mexico City.
Pavarësisht kritikave, Chavez mbetet një nga tifozët më të njohur të futbollit ndërkombëtar. Ai shpreh gjithashtu shqetësimin se rritja e vazhdueshme e çmimeve të biletave po i largon tifozët tradicionalë nga stadiumet dhe po ndryshon atmosferën autentike të futbollit.
Pas 543 ndeshjeve të ndjekura nga afër dhe 11 Kupave të Botës të përjetuara në tribuna, 'Caramelo' vazhdon të jetë një simbol i dashurisë për kombëtaren e Meksikës.
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente









