Traseja e rrugës Qafë Plloçë-Qukës ka pësuar çarje në lotin e dytë, në afërsi të kthesës së fshatit Trebinjë.

Sipas informacioneve, struktura e rrugës është dëmtuar në pjesën qendrore të saj, por edhe në anësore, duke krijuar probleme në segmentin përkatës.

Mësohet se qarkullimi i mjeteve vijon normalisht, por në zonën e dëmtuar lëvizja kryhet vetëm në një korsi, për arsye sigurie.

Firma kontraktore ndodhet në monitorim të vazhdueshëm të situatës, ndërsa pritet ndërhyrja e Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili është njoftuar për problematikën e konstatuar.

Kjo rrugë herë pas here ka pasur problematika të shumta sa i përket rrëshqitjeve të dherave dhe shkëmborëve nga skrapatat gjë që ka çuar në bllokimin e rrugës duke ngritur pikëpyetje për cilësinë e punimeve dhe studimin gjeologjik.

E inauguruar në fillim të shtatorit 2025, rruga Qukës–Qafë Plloçë kushtoi 260 milionë euro dhe janë dashur 16 vite për ta ndërtuar.