Për herë të tretë në trembëdhjetë vite qeverisjeje, Edi Rama gjendet përballë një proteste të vërtetë. Pas protestës kundër armëve kimike në vitin 2013 dhe asaj studentore të vitit 2018, edhe kësaj radhe kryeministri nuk ka përballë një politikan të vjetër dhe të dështuar si Sali Berisha, por një ushtri të rinjsh që dikur përbënin mbështetësit e tij më të zjarrtë, ata që së bashku me të luftonin “xhaketat e vjetra” të politikës. Pjesërisht për arsye moshe, pjesërisht për shkak të qëndrimit të gjatë në pushtet, sot rrezikon që edhe ai vetë të perceptohet si një prej atyre xhaketave të vjetra.
Megjithatë, Rama nuk është një politikan tradicional. Dhe jo vetëm për guximin për t’u paraqitur në samite zyrtare me atlete. Ai është ndryshe sepse nuk turpërohet nga veprimet e veta, i mbron me krenari edhe gabimet e tij dhe ka treguar më shumë se një herë se di të ndryshojë mendim. Ndryshe nga Berisha, Rama rrallëherë sheh përballë armiq: ai sheh vetëm kundërshtarë me të cilët i pëlqen të duelojë. Madje, ndonjëherë ka shpikur edhe duele të panevojshme, vetëm për të ushqyer atë prirje disi fëminore për sfidën.
Përplasja mbi çështjen e Zvërnecit hyn me shumë gjasë në kategorinë e dueleve të nevojshme, sepse në lojë janë 4.5 miliardë dollarë investime, të destinuara ndoshta të ndryshojnë përgjithmonë konceptin e turizmit në Shqipëri. Por në lojë është edhe kredibiliteti i tij personal në marrëdhënien delikate me familjen Trump dhe me investitorët e botës arabe, të cilët deri më sot e kanë konsideruar Shqipërinë një vend të sigurt për të investuar. Do të ishte e rëndë nëse do të ndryshonin mendim.
Megjithatë, pavarësisht rëndësisë së jashtëzakonshme të asaj që po luhet, besoj se në fund Rama do të gjejë një kompromis. Është e qartë për të gjithë se protesta e këtyre ditëve nuk ka më të bëjë vetëm me Zvërnecin. Ajo është shndërruar në shpërthimin e një rinie që deri tani kishte protestuar në heshtje, thjesht duke mos shkuar në votime. Pankartat kundër Ramës dhe kundër Berishës, si edhe sloganet e brohoritura në bulevard, tregojnë se në shesh ka dalë tashmë populli i antipolitikës. Dhe duken patetike përpjekjet e politikanëve si Agron Shehaj, të cilët shpresojnë të përvetësojnë këtë pakënaqësi duke iu drejtuar të rinjve me të njëjtin paternalizëm me të cilin u flasin punonjësve të call center-ëve të tyre.
Deri tani protesta ka funksionuar jo sepse Zvërneci përbën vërtet një skandal mjedisor të paprecedentë. Mjafton të shohim rastin e Rrjollit, që ndodhet pothuajse në të njëjtën situatë dhe ku nuk ka shpërthyer asnjë demonstratë e këtyre përmasave. Protesta ka funksionuar sepse, si në një stuhi e përsosur, rreth të njëjtës çështje dhe në të njëjtin moment janë bashkuar të gjithë elementët kundërshtues.
Kauza mjedisore është padyshim një faktor bashkues, veçanërisht mes të rinjve. Por ata janë po aq të ndjeshëm edhe ndaj dy aktorëve të tjerë qendrorë në këtë histori: familjes Trump dhe hijes së Izraelit, të dyja të urryera për atë që ka ndodhur dhe po ndodh, veçanërisht në Gaza, në Liban, në Ukrainë dhe në ato vende ku presidenti amerikan po sillet si një despot joliberal, deri në atë pikë sa Kina të duket si horizonti i ri i demokracisë.
Flakët e protestës po ushqehen gjithashtu nga Greqia e trembur nga konkurrenca ne fushen e turizmit, e cila përmes rrjeteve sociale dhe manipulimit mediatik po ndihmon mobilizimin duke nxitur një nacionalizëm krejtësisht pa kuptim. Sigurisht që Athina nuk ka autoritetin moral për të folur mbi pronat e pretenduara të minoritetit grek në Shqipëri pa zgjidhur më parë skandalin e pronave çame të grabitura në Greqi.
Kush e di pastaj nëse edhe Irani nuk ka dorën e vet për të ushqyer një frymë antisemite në Shqipëri, që është simbol i tolerancës fetare.
Për të plotësuar stuhinë e përsosur janë pastaj ato mijëra problemet e lëna pa zgjidhje nga një qeveri që ka qëndruar shumë gjatë në pushtet pa pasur përballë një opozitë të besueshme. Në trembëdhjetë vite, kjo opozitë e uzurpuar nga një despot si Sali Berisha, ka injoruar pothuajse të gjitha problemet reale të qytetarëve, duke e përqendruar veprimin e saj tek dy apo tre tematika që nuk i ka ndryshuar asnjëherë për më shumë se një dekadë. Edhe kur ka denoncuar probleme reale, i ka fshehur pas aq shumë gënjeshtrash dhe ekzagjerimesh, saqë askush nuk u ka besuar kurrë.
Të dëgjosh prej pesë vitesh një të ri si Belind Këlliçi të flasë me të njëjtën gjuhë druri si një i moshuar si Berisha, duke përsëritur si papagall të njëjtat akuza ndaj të njëjtëve dy apo tre persona që familja i ka vendosur në shënjestër, i ka lodhur të gjithë. Përballë këtyre të rinjve plot energji, fantazi dhe argumenta, Këlliçi tashmë duket si një plak i mbaruar që ngjall keqardhje. Sigurisht që nuk i mjafton as pjesëmarrja e bashkëshortes së tij në protestë për ta ringjallur politikisht.Prandaj protestuesit nuk protestojnë më vetëm kundër Edi Ramës, por edhe kundër Sali Berishës. Prandaj shkuan edhe para selisë së partisë së tij për ta fishkëllyer. Dhe pikërisht për këtë arsye Berisha ka mbetur i vetëm në protestat e tij dhe ne zgjiedhje.
Është e vërtetë: këta protestues shpesh kundërshtojnë vetveten. Ata mbrojnë çamët dhe në të njëjtën kohë minoritetin grek; flasin për gjithçka dhe për të kundërtën e saj. Por pikërisht kjo dëshmon spontanitetin e tyre. Ky është ai popull që deri më sot nuk kishte dalë kurrë në shesh. Dhe tani që më në fund ka dalë, qoftë edhe duke u nisur nga një incident periferik, dëshiron të thotë gjithçka që nuk ka thënë gjatë këtyre viteve. Gjëra që askush nuk i ka thënë në emër të tij.
Besoj se Edi Rama e kupton. Pikërisht për këtë jam i bindur se në fund do të kërkojë një kompromis, siç ka bërë dhe në dy protestat e mëparshme. Ose ndoshta do të jetë vetë familja Trump që do të heqë dorë nga projekti, ashtu siç ndodhi me Trump Tower që synonte të ndërtonte në Beograd, por që edhe atje u prit me protesta.
Humbja e një investimi prej më shumë se 4 miliardë dollarësh do të ishte një dëm i rëndë për Shqipërinë. Por, në fund, përgjegjësia nuk do të ishte e të rinjve që dolën në rrugë. Ajo do të binte mbi qeverinë dhe investitorët, të cilët nuk ditën ta shpjegonin në kohë projektin, dhe nuk ditën ta mbronin përmes transparencës së domosdoshme kur bëhet fjalë për mjedisin.
Shpresojmë që nëse do të ketë dëm, të mos jetë një dëm i paguar kot. Që ajo që po ndodh sot të shërbejë si një mësim për të gjithë: për ne që merremi me informacionin dhe për politikën. Populli nuk ka gjithmonë të drejtë, por edhe kur gabon, meriton respekt.
Komente











Bravo, shpjegimi dhe artikulimi me i mire qe kam lexuar deri me sot per kete qe po ndodh. Eshte pikerisht mungesa e transparences qe e ka cuar situaten ne kete pike.
Përgjigju