Carlo Bollino: Nga “Gjeneral gramafoni” tek SPAK-u. Për 31 vite me rradhë ja si vazhdojnë shantazhet e Berishës për të më mbyllur gojën! 

Carlo Bollino: Nga “Gjeneral gramafoni” tek SPAK-u. Për 31 vite me rradhë ja si vazhdojnë shantazhet e Berishës për të më mbyllur gojën! 

Ishin ditë të ftohta si këto, kur u transferova nga Italia për të jetuar në Tiranë. Ekzaktësisht 31 vite më parë. Vija në Shqipëri si një gazetar perëndimor plot me entuziazëm dhe i mbushur me iluzione, deshirë për liri por ndoshta, edhe me naivitet që më krijoi një farë mburoje vetë-mbrojtëse përpara. Edhe sot e kësaj dite e kam të vështirë të parashikoj të keqen që mund ta kenë si qëllim të tjerët ndaj meje dha asnjëherë nuk i paragjykoj njerëzit pa pasur prova të sakta të keqdashësisë së tyre. Por besoj se në fund të fundit, ajo mburojë kristali mbrapa të cilës ''luftova'', vërtet më ka shpëtuar jetën disa herë, sepse në sytë e kujt më sulmonte, dukej një mburojë kërcënuese dhe për fatin tim nuk e kuptuan asnjëherë se ishte thjeshtë pavetëdije. Mburoja e kristaltë më mbrojti nga të gjithë ata armiq që normalisht kërcënonin një gazetar që punonte në një vend të ndërlikuar siç ishte Shqipëria e viteve ’90 dhe siç, pjesërisht, vazhdoi të ishte edhe në dhjetëvjeçarët në vazhdim. Për hirë të së vërtetës kush më ka kërcënuar më shumë nga të gjithë ka qenë gjithmonë Sali Berisha dhe pushteti i tij arrogant.  

Erdha në Shqipëri me një tufë trëndafilash në duar, i gatshëm për t'i dhuruar Shtetit (me nismë të botuesit tim italian që më kishte besuar hapjen e Gazetës Shqiptare) një autoambulancë e pajisur me aparate për reanimacion. Ishte shkurti i 1993 dhe mjete të ndihmës së shpejtë kaq moderne në Shqipëri ishin ndoshta vetëm dy. Fola me Genc Pollon, që në atë kohë ishte zëdhënës i Berishës president-perandor, por ai i bezdisur, e refuzoi atë dhuratë. Asnjëherë nuk e kuptova përse. Pak muaj më vonë nisi persekutimi im përmes çdo forme presioni, kërcënimesh dhe sidomos shpifje. Në Shqipëri e kuptova dhe provova për herë të parë se ç’do të thotë të linçohesh moralisht nga një qeveri dhe mediat e saj, pa mundur të kuptosh arsyen. 

Sqarimi i parë me erdhi vetëm në vitin 1994, në prag të referendumit të famshëm mbi reformën kushtetuese përmes të cilës Berisha synonte të përvetësonte përfundimisht të gjitha pushtetet. U ftova nga Edi Paloka në një kafene të Tiranës: Ai ishte zëdhënës i Partisë Demokratike dhe pa shumë stërhollime më pyeti se nga cili krah anoja. “Ne e kemi të qartë listën e mediave që na mbështesin dhe të atyre që na kritikojnë, - më shpjegoi, - por në mes je ti dhe nuk e dimë nga cila anë je”. “Nuk jam me askënd – iu përgjigja me një buzëqeshje, - jam i pavarur”. Mendova se e kisha qetësuar, por në fakt ajo përgjigje dekretoi dënimin tim: “I pavarur? Atëherë do të thotë se je kundër nesh”, ishte përfundimi i tij. Të jesh i pavarur për kulturën e tyre arkaike është më keq se të jesh armik, sepse një gazetar i pavarur është shumë më i besueshëm se një gazetar kundërshtar dhe si rrjedhojë shumë më i rrezikshëm. Në fakt, që nga ai moment e tutje më trajtuan dhe vazhdojnë të më trajtojnë si një armik. Një prej armiqve më të tmerrshëm.  

Forca banale e Sali Berishës është në faktin se nuk ndryshon kurrë mendim. Në 31 vite është përpjekur dhjetëra herë të më mbyllë gojën. Por mburoja ime prej kristali dukej se e trembte, prandaj  prej shumë vitesh më ka sulmuar gjithnjë me mjete të pandershme duke ua deleguar ushtarëve të vet veprimet. Dy vitet e para më mbuloi me shpifje. Ishin vitet kur më etikonte si spiun, spiun i dyfishtë, spiun i trefishtë, “gjeneral gramofoni”, “italioni” sabotues i gjuhës shqipe, deri në etiketimin fantazioz “fashisto-komunist”. Dy vite me këto etiketime prej tij dhe gazetarëve të tij!!! Gati përditë. Lexoja ato tituj dhe nuk dija se si të reagoja, zgjodha të vazhdoja të punoja.  

Në verën e vitit 1995 një përshkallëzim në sulme: Dëbimi im nga vendi si person “non grata”. Treshja Berisha-Gazidede-Agim Shehu më konsideronin si armik të Shqipërisë që kërcënonte sovranitetin kombëtar me shkrimet e mia në Gazetën Shqiptare. Në atë kohë nuk kishte as televizione private, as portale, kështuqë gjithë ky kërcënim i vinte vetëm nga gazeta e vogël që drejtoja dhe që shiste pak mijëra kopje. E kuptova qe frika e tij nuk lindte nga numri i kopjeve të shitura, por nga përmasa e besueshmërisë. Ishin vitet më të egra të berishizmit kundër shtypit të lirë, vitet e arrestimeve të gazetarëve të “Koha Jonë”, të torturave të bëra nga SHIK-u i Gazidedës, nga rrahjet ndaj opozitës. Berisha u klasifikua si “armik botëror i lirisë së shtypit” dhe në fund të fundit, të isha një prej viktimave të tij, më bëri edhe krenar. Vazhdova të shkruaj duke pësuar edhe poshtërimin e dorëheqjes nga drejtimi i gazetës. Ishte ky kushti që unë të mundja të rikthehesha në Tiranë: kisha leje të përkohshme dhe çdo herë para se të zbrisja në Rinas, duhej të lajmëroja Partinë Demokratike dhe të kërkoja leje speciale. E pranova edhe këtë, vetëm për të vazhduar të shkruaja.  

Me kalimin e 1997-s dhe pastaj të 1998-s ish-presidenti-imperator tashmë ishte mënjanuar nga liderët e botës, “i dënuar” në opozitë, e megjithatë Berisha vazhdoi të më godiste, duke e rimarrë armën e shpifjes. Ka gjithmonë shërbëtorë të gatshëm për t’i shërbyer padronit të vet edhe kur nuk ka më asnjë peshë. Me të dalë nga moda përcaktimi si spiun dhe fashisto-komunist, Berisha dhe mediat e tij nisën të më quanin mafioz, trafikant droge dhe armësh deri edhe ''kapo'' të Sacra Corona Unita, pikërisht mafia puljeze kundër të cilës kisha bërë qindra shkrime si gazetar i kronikës në Itali. Një epitet komik dhe surreal që nuk e rinovoi për 10 vitet e mëpasme, sepse edhe shpifja më e dëshpëruar në fund e konsumon ngarkesën e fantazisë. Dëgjoja këto akuza të çmendura (të shtrira në disa raste edhe ndaj familjarëve të mi!!!) dhe nuk dija ç’të bëja veçse të vazhdoja të shkruaja.  

I kthyer në pushtet në vitin 2005, i ricikluar në mënyrë të pabesueshme pavarësisht krimeve që kishte bërë, Sali Berisha nuk më kishte harruar. Vërsuli SHISH-in ndaj meje duke kërkuar të gjente të paktën një provë që të tregonte se isha mafioz. Dikush më tregoi se një ditë përplasi grushtat mbi tavolinë pasi lexoi të disatin raport që përjashtonte çdo faj timin apo përfshirje në çdo lloj aktiviteti kriminal. “Nuk ka mundësi të jetë i vetmi ky i ndershëm!”  bërtiste me urrejtje dhe tërbimin që e karakterizon. 

I dorëzuar para mundësisë për të inkriminuar një gazetar “fajtor” vetëm se i pavarur dhe që kishte krijuar një grup editorial me teknologjinë që të tjerët e hidhnin, mendoi tjetër mënyrë për të më mbyllur gojën, duke më hequr nga duart median që themelova. Pika që bëri të derdhej uji nga gota ishte 21 janari 2011 dhe video që me kurajo vendosa vetëm unë për ta transmetuar në televizionin që drejtoja dhe që i tregonte vendit mbarë se të shtënat që vranë 4 protestuesit në bulevard u qëlluan nga Garda dhe jo nga ''çadrat pistoletë'' të opozitës siç po përpiqej të gënjente ai dhe mediat e tij. Ekzaktësisht 4 muaj pas transmetimit të asaj videoje, fatale për planet e Sali Berishës, grupi editorial që unë pata themeluar (por ku nuk isha pronar) m’u hoq nga duart. Pronari italian e shiti i joshur nga shuma marramendëse që i ofruan. I gjithë operacioni u financua nga banka e lidhur me Berishën. Në atë kohë ishte kështu, Berisha kontrollonte edhe bankat private, jo vetëm atë kombëtare. Por une qëndrova me gojën të mbyllur vetëm për gjashtë muaj, deri me 4 nëntor 2011 kur u riktheva në Shqipëri duke hapur me kursimet e mia fillimisht Shqiptarja.com dhe pas disa muajsh Report TV.  

Nuk ja vlen të rendis shpifjet, akuzat, kërcënimet dhe presionet që Sali Berisha vazhdoi të ushtronte edhe pas 2011. E kuitoj si ndër më qesharaket aksionin e policisë bashkiake të PD që pretendonte të paguaja një taksë mbi tavolinat e gazetarëve sikur të ishin tavolina kafeneje. Pasi më kishte linçuar për muaj me radhë si “Carlo malavita” dhe pastaj si të “korruptuar” (epitet për të cilin mora kurajon i pari ta çoj në gjykatë e të dënohet për shpifje), në kohët e fundit Berisha ndryshoi strategji. Jo më “Carlo malavita”, por tashmë “biznesmen”, një përpjekje qesharake për të zhvleftësuar profesionin tim si gazetar duke më barazuar me një sipërmarrës. E kotë të thuhet se këto etiketime përsëriteshin çdo mbrëmje nga deputetët dhe analistët e tij si papagaj në çdo emision televiziv, duke menduar që kështu mund më sulmonte lirisht, duke shmangur akuzat se po më sulmonte si gazetar i pavarur. Njësoj sikur Çim Peka, të mos konsiderohej gazetar vetëm se është bërë pronar i televizionit të familjes së tij.  

Në fakt, tani që më ka bërë “biznesmen”, Berisha po vë në lojë përpjekjen e re për të më mbyllur gojën. Pas 31 vitesh sulmesh nga më të ndryshmet, tani ka filluar ta përdor kallëzimin në SPAK. Në atë Spak që ai dhe të tijët e quajnë me përbuzje SKAP, por vetëm kur heton ata. Meqë ai vetë ka vjedhur, dhëndrri i tij ka vjedhur, fëmijët e tij kanë vjedhur, ish-ministrat e tij kanë vjedhur, shumë nga deputetët e tij kanë vjedhur, gazetarët që e kanë mbrojtur dhe e mbrojnë kanë vjedhur dhe të gjithë në mënyra të ndryshme kanë abuzuar me ligjin dhe bëjnë pastrim parash, nuk mund ta imagjinojë se ky “italjoni” me pasaportë shqiptare, të mund të ketë mbetur i ndershëm. Ai beson se gjithçka që ka bërë ai dhe të tijët duke shkelur ligjin, e kanë bërë edhe të tjerët, duke më përfshirë edhe mua. 

Duke besuar se mund të përdorë SPAK-un ashtu si një kohë përdorte gazetën “55”, Berisha dhe klani i bashkëpunëtorëve të tij ka nisur të mbledhë në kallëzime shpifjet e tyre fantazioze dhe qesharake. Një koleg që e njeh mirë Sali Berishën një herë më tha: Eshtë kot që inistson për t'ja treguar të vërtetat Berishës. Atij nuk i intereson. Berishës i interesojnë vetëm gënjeshtrat që shpik vetë për të dëmtuar kundërtsharët. Pas fushatës shpifese si spiun dhe gjeneral gramofon, tani Berisha më kallëzon në SPAK me të njëjtat gënjeshtra 30 vjecare. Një tjetër mënyrë e dëshpëruar për të provura të ma mbyllë gojën e për të më hequr atë mburojë kristali që e tremb kaq shumë, e cila, pa kërcënime dhe dhunë, përbëhet nga ajo që e çmend Berishën më shumë nga çdo gjë: ndershmëria dhe dëshira për pavarësi.  

xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aksidenti ajror në Kazakistan: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta

Aksidenti ajror në Kazakistan: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta