Vendimi i marrë në parlament nga shumica socialiste për të rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e akuzuar për pabarazi në tendera, siç pritej ka ndezur shumë polemika. Opozita po bën punën e saj dhe e kritikon ashpër këtë vendim, duke e konsideruar si ndërhyrje dhe pengesë ndaj pavarësisë së SPAK. Por harron se kur u desh të votohej për kërkesën për arrestimin e Sali Berishës, me një zë edhe ata votuan kundër. Megjithatë, mungesa e koherencës dhe standardi i trefishtë i Sali Berishës dhe i partisë së tij nuk habisin më askënd. Ajo që habit, përkundrazi, mes reagimeve të ngritura pas vendimit të djeshëm, është viktimizimi i shfaqur nga klani politik-mediatik-familjar i Belinda Ballukut, i cili në vend që të ndjehet i vetmi fitues përballë një vendimi tepër delikat që ka ngjallur kritika edhe nga disa vende anëtare të Bashkimit Europian, proteston sikur bëhet fjalë për një martire.

Paralelizmi më surprizues është ai që është bërë me gjyshin e saj, Beqir Balluku, i pushkatuar nga Enver Hoxha pasi për vite me radhë kishte qenë në majat e diktaturës si zbatues i pamëshirshëm i urdhrave të tij. Të diskutosh për rolin e tij në historinë e Shqipërisë do të kërkonte shumë kohë. Ai ishte padyshim një figurë e diskutueshme, e përmendur nga Nikita Hrushovi në kujtimet e tij si një nga tre eksponentët më gjakatarë të diktaturës, përkrah Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Të tjerë, përkundrazi, e lidhin fundin e tij me përpjekjen e guximshme për t’iu kundërvënë projektit të çmendur të Enverit për bunkerizimin e vendit dhe kthimin te modeli i luftës partizane, në vend që të ndërtohej një ushtri moderne dhe profesionale. Cilado qoftë natyra njerëzore dhe politike e Beqir Ballukut, ajo që është e sigurt është se ish-zv.kryeministri dhe ministri i gjithëpushtetshëm komunist përfundoi i grimcuar nga i njëjti sistem kriminal që kishte ndihmuar të ndërtonte. Dhe pikërisht këtu përfundon çdo paralelizëm i mundshëm midis Ballukut të parë dhe Ballukut të dytë: jo vetëm sepse Edi Rama nuk është Enver Hoxha dhe Klodjan Braho nuk është Aranit Çela, por mbi të gjitha sepse, ndryshe nga ajo që ndodhi 51 vite më parë me gjyshin e saj, sot sistemi politik që e ka krijuar nuk e ka tradhtuar Belinda Ballukun, por e ka mbrojtur hapur, edhe në raport me SPAK, duke penguar arrestimin e saj.

Nuk kuptohet, pra, në çfarë spiraleje komunisto-sorosiane paska rënë ish-zëvendëskryeministrja, siç pretendon klani i saj. Përkundrazi, figura e saj ka vazhduar dhe vazhdon të gëzojë një mbështetje të gjerë politike dhe mediatike. E hyrë në qeverinë socialiste në janar të vitit 2019, për pesë vjet dhe deri vetëm pak muaj më parë edhe opozita shmangte ta kritikonte, duke përqendruar sulmet ekskluzivisht te Edi Rama dhe Erion Veliaj, si dhe te unë, viktimë si gazetar e një bullizmi politik krejtësisht të shpërpjesëtuar. Një harresë aq e palogjikshme sa ka ushqyer dyshime për lidhje të fshehta mes Ballukut dhe segmenteve të PD-së. Dyshime të ngjashme me ato që për vite kanë aluduar edhe për akseset personale që super ministrja gjoja gëzonte pranë SPAK, por që hetimet e fundit i kanë përgënjeshtruar.

Në fakt vetëm kur SPAK zyrtarizoi hetimet ndaj saj, klani i Berishës u detyrua të “zbulojë” edhe ekzistencën e Ballukut, duke e shtuar për herë të parë në rrethin e ngushtë të armiqve për t’u linçuar publikisht. Në të njëjtën kohë, në mbrojtje të saj dolën në skenë dhjetëra media dhe analistë deri atëherë “të fjetur”, të cilët çdo ditë habisin për entuziazmin dhe pasionin me të cilin e mbështesin pa hezitim, krah shërbëtorëve të saj tradicionalë. Një mbështetje e zhurmshme dhe e shpërpjesëtuar në raport me numrin e atyre që, edhe pse në heshtje, prej vitesh e shohin me dyshim.

Të flasësh për komplot pikërisht në ditën kur qeveria dhe shumica socialiste, së bashku me dhjetëra media, ngritën një mburojë rreth saj, është një manipulim i realitetit. Belinda Balluku duhet të jetë mirënjohëse sepse, ndryshe nga sa ka ndodhur me disa kolegë të saj në qeveri dhe në parti, asaj iu kursye poshtërimi i një arrestimi që do të ishte edhe më dramatik pikërisht sepse konsiderohej i padrejtë. Debati politik i ndezur rreth këtij rasti, që në të kaluarën është mbytur në lindje kur politikanë të tjerë (madje edhe socialistë) kanë përfunduar në makinën e grirjes së SPAK, për Belinda Ballukun ka qenë një privilegj që megjithatë ka prodhuar edhe disa dobi. Duke filluar nga riafirmimi i rëndësisë së parimit universal të prezumimit të pafajësisë, i cili çdo ditë shkelet në parlament dhe në media.

Privilegji nga i cili ka përfituar Belinda Balluku do ta ndihmojë pa dyshim të provojë pafajësinë, falë faktit se është mbrojtur në lirinë e saj fizike dhe është çliruar edhe nga detyrimet qeveritare. Por tani do të ishte e drejtë që kjo mbrojtje që i është dhënë të mos përdoret më për drejtuar baltosjen e të tjerëve.