Dy shfaqje në një mbrëmjeje, dy kryevepra që qëndrojnë në skaje të kundërta të emocioneve njerëzore, por që bashkohen në një përjetim të vetëm artistik.

Cavalleria Rusticana” e Pietro Mascagni-t dhe “Gianni Schicchi” e Giacomo Puçini-t u interpretuan mbrëmjen e së premtes në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Për publikun, shfaqja e parë ishte “Cavalleria Rusticana”, nën regjinë e Renato Bonajuto. Historia e Santuzzës dhe Turiddu-t vjen si një shpërthim emocionesh të forta, ku dashuria, tradhtia dhe xhelozia marrin formën më të dhimbshme.

“Jam shumë e lumtur sepse është një Santuzza krejt ndryshe. Nuk është hera e parë që e interpretoj, por ky produksion është i jashtëzakonshëm. Herën e parë kam luajtur në Siçili, në Mesina, në vendin e ku luhet dhe ku është bërë Cavalleria Rusticana. Them se ky produksion është i jashtëzakonshëm.”, tha sopranoja Eva Golemi.

Drama e periudhës së Verizmit, që lulëzoi në Italinë e fund shekullit XX, paraqet realitetin pa zbukurime, ku pasionet e forta të njerëzve të thjeshtë çojnë drejt pasojave tragjike. Ajo riktheu në skenë baritonin Armando Likaj në rolin e Alfios.

“Të them të drejtën është ajo vepër e një stili muzikor që unë e pëlqej shumë dhe e kam për zemër, siç është dhe stili verist, ku në këtë vepër tregohet shumë fort mentaliteti dhe traditat e një vendi siç është Siçilia. Publikun e ftoj madje të shohë disa dhe disa gjëra të përbashkëta me traditën shqiptare. Në këtë vepër do kemi emocione të papërmbajtura, thellësisht të forta, të pasionit, të dashurisë, të xhelozisë, të fatit të keq tragjik.”, tha Likaj.

Më pas, “Gianni Schicchi” nën regjinë e Ada Gurrës solli një kthesë të menjëhershme drejt humorit dhe ironisë. Opera komike zbërthen me finesë absurditetin e lakmisë njerëzore.

“Është një kënaqësi për mua pasi jam në premierë në të dyja në të dyja shfaqjet. Te ‘Cavalleria Rusticana’ luaj rolin e Lolës, kurse te Gianni Schicchi”, Lauretën. Është një rol të cilin e kam luajtur shumë herë jashtë, sidomos në operën e Sofjes dhe jam e lumtur se vjen në një produksion tërësisht të ri këtu.”, tha sopranoja Ramona Tullumani.

Këto dy vepra repertorit operistik, që bëjnë bashkë dy botë të ndryshme, duke takuar në një mbrëmje të vetme tragjedinë dhe komedinë do të vijojnë të shfaqen deri në 7 prill nga një kastë e njohur artistësh.