ATHINË – Qeveria greke nuk e ka fshehur pakënaqësinë pas vendimit të Tiranës zyrtare për të bërë pjesë të kabinetit qeveritar edhe PDIU-në.
Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Gregori Delavekouras ka komentuar emërimin e dy përfaqësuesve të PDIU si zëvendësministra në kabinetin Berisha.

“Ne jemi duke monitoruar nga afër zhvillimet e brendshme në Shqipëri dhe jemi plotësisht të informuar për zhvillimet politike atje. Njihen qëndrimet e partisë PDIU që minojnë mundësitë për përmirësim të mëtejshëm dhe forcim te marrëdhënieve dypalëshe ”, tha ai.
Zyrtari grek pohoi se, presin që qeveria shqiptare të konfirmojë në terma konkretë angazhimin e saj në përmirësimin e marrëdhënieve greko-shqiptare.
“Ne duam marrëdhënie të mira me Shqipërinë, por, parakusht për këtë është dëshira e ndërsjelltë dhe zbatimi praktik i veprimeve që do të tregojnë respektin midis dy vendeve dhe rritjen e bashkëpunimit dypalësh”, theksoi Delavekouras.
Zëdhënësi i diplomacisë greke ka risjellë në kujtesë qëndrimet e qeverisë shqiptare, përmes ministrit të saj të jashtëm dhe drejtuesve të tjerë, ka deklaruar se dëshiron të forcojë marrëdhëniet me Greqinë në kuadër edhe të integrimit të saj evropian.

(aq/shqiptarja.com)