Edhe sot pas 20 vitesh nuk janë gjetur të gjithë përgjegjësit e masakrës së Srebrenicës ashtu sikurse mungojnë eshtrat e shumë prej viktimave që u hodhën nëpër varreza masive.
Gjithçka nisi në verën e vitit 1995, dy vite pasi ishte përcaktuar zonë e mbrojtur nga OKB, qyteti boshnjak i Srebrenicës u shndërrua në skenën e masakrës më të madhe të luftës në Bosnje.
Në 6 korrik të atij viti forcat serbo boshnjake rrethuan enklavën, ku dhjetëra mijëra civilë ishin strehuar për ti shpëtuar ofensivës serbe në pjesën veri-lindore të Bosnjës.
Ata ishin nën protektoratin e rreth 600 trupave të këmbësorisë hollandeze si pjesë e forcave paqëruajtëse të Kombeve të Bashkuara, ndërsa situata sa vinte dhe përkeqësohej. Karburanti kishte mbaruar ndërsa nuk kishte furnizime me ushqime që prej majit. Forcat serbe nisën të bombardojnë enklavën. Luftëtarët myslimanë boshnjakë të qytetit kërkuan tu riktheheshin armët që u kishin dorëzuar forcave paqëruajtëse por kjo kërkesë u refuzua. Komandanti hollandez I kërkoi selisë së OKB-së në Sarajevë që të mbyllnin hapësirën ajrore pasi predhat mbërritën pranë kampit të refugjatëve dhe postave të kontrollit të paqëruajtësve.
Në 9 korrik, trupat serbo-boshnjake nisin avancimin drejt Srebrenicës. Bombardimet filluan të shtoheshin ndërsa mijëra refugjatë u larguan nga qyteti drejt kampeve jugore për ti shpëtuar avancimit të serbëve. Këta të fundit sulmuan një postë vëzhguese hollandeze duke marrë peng 30 ushtarë. Gjatë sulmit një paqeruajtës u plagos për vdekje kur boshnjakët myslimanë qëlluan gjatë tërheqjes së trupave hollandeze.
Në 10 korrik koloneli hollandez Karremans, komandant I trupave paqeruajtëse, bëri kërkesë për mbështetjen e OKB-së nga ajri, pasi forcat serbo-boshnjake nisën bombardimet e pozicioneve të hollandezëve. Fillimisht kërkesa u refuzua nga gjenerali I OKB-së Janvier, por ky I fundit ra dakord pas një kërkese të dytë. Sulmet e serbëve ndaluan përpara mbërritjes së avionëve dhe lëshimi I predhave u shty. Rreth 4 mijë refugjatë ndodheshin në qytet atë mbrëmje 10 korriku dhe paniku kishte pushtuar rrugët. Turrma të mëdha ishin mbledhur përreth pozicioneve të hollandezëve. Komandanti I tyre I tha drejtuesve të qytetit se avionët e NATO-s do të nisnin sulmet masive ajrore kundër serbëve nëse ata nuk do të tërhiqeshin nga zona e mbrojtur brenda orës 6 të mëngjesit të ditës së nesërme.
Por të nesërmen, në 11 korrik 1995, forcat serbe nuk u tërhoqën. Në orën 09.00 koloneli Karremans mori njoftimin nga Sarajeva se kërkesa e tij për mbështetje nga forcat ajrore ishte bërë në formën e gabuar. Dhe një orë e gjysmë më vonë, kërkesa e ri-paraqitur kishte mbërritur tek gjenerali Janvier. Por avionët e NATO-s ishin rikthyer në bazën e tyre në Itali për tu furnizuar me karburant. Brenda mesditës, mbi 20 mijë refugjatë, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar u larguan drejt bazës kryesore hollandeze në Potocari. Rreth orës 14.30 dy avionë luftarakë hollandezë F-16 lëshuan dy bomba në pozicionet e serbëve që kishin rrethuar Srebrenicën. Por serbët u kundërpërgjigjën me kërcënimin se do të vrisnin pengjet hollandeze dhe do të bombardonin refugjatët duke bërë që sulmet të ndërpriteshin. Komandanti serbo-boshnjak Ratko Mladiç hyri në Srebrenicë dy orë më vonë I shoqëruar nga ekipet serbe të xhirimit. Atë mbrëmje gjenerali Mlladiç I kërkoi kolonelit Karremans një takim për ti dhënë ultimatumin që myslimanët duhej të dorëzonin armët në mënyrë që tu garantohej jeta.
Në 12 korrik, autobusët mbërritën në qytet për të larguar gratë dhe fëmijët drejt territorit mysliamanë, ndërsa serbët nisën të ndajnë veçmas të gjithë meshkujt nga 12 deri në 77 vjeç me pretekstin se do ti merrnin në pyetje për krimet e dyshuara të luftës. Rreth 23 mijë grad he fëmijë u deportuan në 30 orët që do të pasonin ndërsa mijëra djem e burra u mbajtën nëpër kamionë dhe magazina.
Rreth 15 mijë luftëtarë myslimanë boshnjakë tentuan të largohen nga Srebrenica gjatë natës dhe u bombarduan ndërsa iknin nëpër male.
Në 13 korrik nisën vrasjet e para të myslimanëve të paarmatosur në një magazinë në fshatin më të afërt të Kravicës. Ndërsa paqëruajtësit dorëzuan rreth 5 mijë myslimanë të cilët ishin strehuar në bazën hollandeze të Potoçarit. Në këmbim, forcat serbo-boshnjake liruan 14 paqëruajtësit hollandezë që ndodheshin në bazën Nova Kasaba.
3 ditë më pas, në 16 korrik, erdhën raportimet e para për masakrën që ishte kryer, pasi të mbijetuarit e paktë mbërritën në territorin mysliman pas një marshimi të gjatë nga Srebrenica.
Vetëm pas negociatave mes OKB dhe forcave serbo-boshnjake, hollandezët u lejuan të largohen nga Srebrenica, duke lënë pas armë, ushqime dhe furnizimet mjekësore. Në 5 ditët që pasuan forcat e Ratko Mlladiç morrën në dorë tërësisht Srebrenicën duke vrarë mbi 7 mijë djem dhe burra myslimanë boshnjakë.
E gjithë kjo ndodhi ndërsa komuniteti ndërkombëtar ishte përfshirë në negociata me presidentin e atëhershëm serb Sllobodan Milloshevic, për të arritur 4 muaj më vonë atë që njihet si marrëveshja e Dejtonit në Ohajo që i dha fund 3 vjet e gjysmë luftë në Bosnje Hercegovinë.
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)