Çifti italian, eksperienca
9-ditore rrugëve të Shqipërisë

Çifti italian, eksperienca<br />9-ditore rrugëve të Shqipërisë
Një udhëtim është gjithmonë një përvojë më vete, i mbushur me kureshti, njohje të reja, të papritura dhe ndonjëherë edhe zhgënjime. Për vite me radhë, turistë nga mbarë bota rrëfejnë për udhëtimet dhe aventurat e tyre në vende të ndryshme, në vende tabu, vende të panjohura, apo vende që krejt rastësisht janë gjendur në axhendën e tyre të udhëtimeve. Këto shënime udhëtimi janë jo vetëm përshtypje, por edhe vëzhgime të mprehta, përvoja reale që përzihen me kujtime, por ngërthejnë edhe këshilla për ata që duan të kenë të njëjtën përvojë. Për një vend, turistët e huaj, janë syri i jashtëm, që vjen nga larg, nga një botë dhe mentalitet tjetër dhe reagon kundrejt realitetit që ndesh në udhëtim. Një pasqyrë ku shpesh të vërtetat thuhen troç. Si në rastin e dy turistëve italianë që kanë qenë në Shqipëri nga data 26 qershor deri më 7 korrik të këtij viti. Kanë përshkruar një pjesë të mirë të vendit dhe kanë hedhur ditarin e tyre në sitin e preferuar të turistëve www. turistipercaso.it. Ashtu si dhe turistë të tjerë identifikohen vetem me nje nofke, por kjo nuk e kompromenton ditarin e tyre dhe as fotot që e shoqërojnë atë. Ditari ka mbi 1900 lexime dhe është i vetmi për Shqipërinë e vitit 2012. Ne po jua sjellim thuajse të plotë, jo vetëm si një ditar udhëtimi, por edhe si një mundësi për të parë veten me sytë e të tjerëve, për të kuptuar sesi na shohin dhe ccfarë (nuk) shkon në turizmin tonë. Sy që këtë herë nuk i përkasin gazetarisë, por njerëzve të thjeshtë, turistëve të rastësishëm që duam t’i kemi të shumtë jo vetëm gjatë verës, por gjatë gjithë vitit.

Ditari
Përse Shqipëria? Na kanë pyetur shumë, edhe kur ishim atje. Po pse jo, jemi përgjigjur ne, që nuk duam udhëtime ku fiket truri në qendrat e mëdha turistike. Sigurisht Shqipëria nuk është një vend i thjeshtë: mrekullitë natyrore bashkëjetojnë me skeletet impotentë të bunkerëve rugët në disa vende janë aq të këqija dhe të mbushura me gropa sa të vjen të qash, shenjat rrugore mungojnë dhe në disa raste kemi gjetur drejtimin e duhur, duke u orientuar vetëm nga pozicioni i diellit.… Por, të afeksionuar me Ballkanin, duam të kuptojmë se cila është “unaza e martesës” mes shteteve të ish-Jugosllavisë dhe Greqisë, dhe kështu duhej të niseshim.

Dita 2
Pas ditës së parë nëpër ish-Jugosllavi, nisemi në mëngjes në drejtim të kufirit, dhe vazhdojmë të familjarizohemi me mungesën totale, në shumë raste, të çfarëdo lloj shenje rrugore: informohemi për drejtimin e duhur, kalojmë përmes një kanioni pa shenjë jete dhe ku mund të pyesim. Deri në rënien e komunizmit, kufijtë e vendit i kalonin njerëz që mateshin me gishtat e dorës, tani janë hapur sërish, por nuk figurojnë në hartat rrugore. Posta e kufirit “fantazëm” materializohet përpara fshatit Murriqan. Kalojmë shpejt në anën tjetër dhe ndalojmë përpara kioskës për të siguruar makinën (sigurimet italiane nuk e mbulojnë atë të Shqipërisë, kështu që duhet prerë sigurimi, një veprim që kushton 3 minuta dhe 27 euro për 15 ditë mbulim dhe pas kësaj marrim rrugën drejt Tiranës. Rruga nga kufiri në drejtim të kryeqytetit është në kushte të mira, peisazhet janë shumë të bukura dhe vendosim të bëjmë një ndalesë të shkurtër në Lezhë, vendi ku është varrosur heroi kombëtar, Skënderbeu. Në të vërtetë, siç shpjegon me italishte të mirë urdhërëfyesi i ri, eshtrat e Skënderbeut më pas u morën nga turqit, pas vdekjes. Lezha nuk ofron alternativa të tjera, kështu që pasi këmbejmë valutën vijojmë drejt Tiranës. Hyjmë në qytet pa e vënë re (shenjat rrugore nuk janë aq të përhapura, por kur janë të befasojnë: në këtë zonë janë njëlloj me ato italiane, të njëjtat ngjyra, të njëjtat përmasa, të njëjtat karaktere dhe nisemi drejt qendrës. Qëndrimi ynë në Tiranë do të jetë i shkurtër: tamam në kohë për të vizituar sheshin “Skënderbej”, Muzeun Historik Kombëtar (nuk ka ajër të kondicionuar, kështu që këshilloj vizitën në muajt e freskët), Piramida që do të ishte mauzoleu i Enver Hoxhës (katandisur në kushte shumë të këqija), një drekë e shpejtë dhe kthehemi në hapat tonë, drejtimi Kruja. Kruja e famshme ka një qendër të bukur antike në kodër, një Pazar, rrënojat e një kështjellë antike dhe një muze etnografik, që ka gjetur strehë në një shtëpi të kohës otomane. Kam parë shumë shtëpi otomane nëpër Ballkan, por kjo për nga bukuria dhe pasuria e ornamenteve që janë ruajtur ende, i mund të gjitha. Takojmë një udhërëfyes të ri, që tregon të gjitha dhomat, me një italishte të saktë. Vëmë re se është e kotë të tentosh që të flasësh anglisht me njerëzit, italishtja është gjithandej e përhapur dhe komunikuam edhe në vendin më të humbur në gjuhën tonë. Nuk vizitojmë muzeun e Skënderbeut, që është në ndërtesën më hijerëndë në zonë, një lloj kështjelle moderne (dhe e shëmtuar) që dominon kodrën, tërhiqemi poshtë muzeut etnografik, drejt Teqesë së Dollma, vend i shenjtë i sektit Bektashi. Roja që nuk di më tepër se 20 fjalë italisht, por kupton shumë mirë, na drejton nëpër teqe, një lloj xhamie e vogël, hamami pak më tutje, i bukur, por totalisht i braktisur, aq sa duhet të bëjmë dritë me çakmakë për të parë diçka brenda. Rrimë në hotel “Panorama”, që ndodhet pikërisht përballë pazarit. Dhomat standarte kushtojnë 30 euro, por vendosim të marrim një dhomë në pjesën e re të hotelit, me ajër të kondicionuar, tarracë private dhe dush të mbyllur (do të zbulojmë se dushet e mbyllur dhe tendat e dushit nuk janë aq të përhapur), na kushton 40 euro: çmimi më i lartë që paguajmë në Shqipëri për një dhomë dopio. wifi është i pranishëm, por rezulton se nuk bën për smartfonët tanë.

Dita 3
Nisemi drejt Durrësit. Qyteti ka një amfiteatër interesant, por mos mendoni Koloseun ose Arenën e Veronës: pjesa më e madhe e vendit duhet nxjerrë në dritë, kështu që duket vetëm gjysma e strukturës, tjetra është poshtë shtëpive. Është një mur antik i ruajtur mirë dhe disa dëshmi të tjera arkeologjike, disa monumente që përkujtojnë rezistencën shqiptare kundër pushtimit italian. Bregdeti, duhet pranuar, është shumë trishtues. Drejtohemi nga vendi arkeologjik i Apolonisë, afër qytetit të Fierit, por më parë humbasim në rrethinat e Durrësit, për shkak të mungesës së plotë të tabelave rrugore. Rruga për në Fier është shumë e mirë, praktikisht një autostradë. Por duhet thënë se panorama është trishtuese, me skelete ndërtesash në izolim të plotë. Arrijmë në Fier, dhe zhytemi në një rrugë pa shenja rrugore: provojmë të orientohemi me mjetet e zakonshme (busulla, drejtimi i diellit…) dhe arrijmë të marrim rrugën për në Apoloni, që ndodhet pas fshatit Ndërmenas dhe jo përpara, siç thoshte harta. Sërish rrugë e prishur dhe arrijmë te parku arkeologjik: është një Odeon (teatër i vogël) dhe disa mbetje arkeologjike, por mbi të gjitha një kishë e bukur dhe një manastir bizantin ku është strehuar një muze arkeologjik, i vogël, por i strukturuar. Në atë moment aty ishte për vizitë një delegacion i Unesco, me shumë truproja dhe trupa televizive në ndjekje. Nëse do të jepja një këshillë të apasionuarve pas arkeologjisë, besoj se nuk do tua këshiloja vizitën. Mbetjet arkeologjike janë interesante, kisha siç thashë është shumë e bukur, muzeu është i vogël dhe deri diku i pasur, por nuk duhet të mendoni për gërmadhat. Rruga nuk është në kushte të mira, dhe ajo që në hartë mund të ngjajë një devijim i vogël, në realitet bëhet një odise e vogël mes gropave të asfaltit. Kthehemi në rrugën tonë (pasi hëngrëm në një restorant të vogël në zonës arkeologjike) dhe rimarrim rrugën në drejtim të Beratit. Tani, pjesa e rrugës që lidh Fierin me Beratin është në kushte vërtet të rënda: gropa gjithandej dhe asfalti mungon shpesh kudo, ndoshta për shkak të kamionëve që kalojnë vazhdimisht të ngarkuar me gurë. Nuk këshillohet. Nëse ndodheni në Fier merrni autostradën në drejtim të Lushnjes dhe drejtimin për në Berat nga aty, ose-nëse keni fatin të gjeni drejtimin-ndërrojeni. Para se të shkoni në Lushnje, te fshati Fieri i Ri, dhe prej aty vazhdoni më tej. Berati, megjithatë, ai vlen lodhja e udhëtimit. Shtëpitë e tij të bardha ngulur në kodrinë njëra mbi tjetrën…Marrim në hotelin Mangalem, një dhomë te vogël, por shumë te këndëshme me ajër të kondicionuar, Wifi dhe mëngjes që kushton 30 euro. Ngjitemi në hyrje të kalasë (zbulojmë se mund të shkohet në majë me makinë…Kalaja është ende e banueshme dhe e ruajtur, përveç shtëpive tradicionale, disa kisha të bukura, për fat të keq të mbyllura, dhe muzeu kombëtar i Onufrit. Nga kalaja duket një panoramë e bukur e tërë luginës së Osumit.

Dita 4
E mbyllim vizitën në Berat duke vizituar Muzeun Etnografik (shumë i bukur) dhe zonën e Goricës, që gjendet matanë urës mbi lumin Osum. Vijojmë udhëtimin tone, duke iu afruar ngadalë detit. E zgjasim pak udhëtimin sipas intinerarit alternativ të mëparshëm për të ruajtur amortizatorët e makinës. Para se të drejtohemi për në Vlorë, bëjmë një ndalesë në Bylis. Ai është mbi një kodër dhe ka mbetje të bazilikave paleokristiane, lagje rezidenciale dhe një teatër. Bazilikat kanë mozaikë të shkëlqyer në dysheme, por që për fat të keq jo të hapur për publikun. Në këto raste si në Butrint, mbulimi i mozaikëve me një shtresë rëre është mënyra e vetme për t’i mbrojtur nga kushtet atmosferike, por kjo ndalon shikimin e tyre nga publiku. Hamë në restorantin e vogël që ndodhet në hyrje të parkut dhe nisemi drejt Vlorës. Rruga këtu, duhet thënë, përmirësohet ndjeshëm. Ngjitemi deri në majë të Llogarasë dhe pastaj biem poshtë, në drejtim të Dhërmiut. Para syve tanë hapet Joni, ishujt e parë grekë, bregdeti malor i Shqipërisë dhe mbi të gjitha plazhet: vija të gjata me gurë të bardhë që kontrastojnë me detin e kaltër. Panorama është shumë e bukur dhe sa më shumë i afrohemi plazheve, aq më shumë e vëmë re se sa i bukur është. Plazhi deri në Dhërmi është është krejtësisht i “pabanuar” dhe nuk arrijmë të afrohemi deri në breg, sepse rruga nuk është e asfaltuar. Dhërmiu përshkruhet si një lloj Rimini i Shqipërisë dhe ne nuk duam një vend shumë “trendy” dhe të zhurmshëm,ndaj vendosim të ndalojmë në Himarë disa kilometra më në jug. Fshati është i vogël dhe ngjan i qetë, ka një plash të mrekullueshëm dhe na afrohet një dhomë në hotel Gjoka, me ajër të kondicionuar dhe tarracë private drejt në det, me çmimin përrallor prej 20 eurosh. Pastaj provojmë kuzhinën e mirë në fund të plazhit, me wifi dhe pica të pjekura në furrë druri, lokalet një hap larg detit ku shërbehet uzo e mrekullueshme (influencë e Greqisë, që është e dukshme në këto anë). E vetmja e metë, por që e vumë re vetëm natën e dytë ishte se hoteli ndodhej afër një diskoteke, e cila na “ëmbëlsonte” me muzikë tekno deri në 3.45 të mëngjesit, me një volum që në Itali do të kishte shkalluar gjithë fshatin. Dukej sikur DJ ishte mbi tarracën tonë. Këshilloj që të mos hiqni dorë nga hoteli për këtë defekt, por të mos nisen pa tapa veshësh.

Dita 6
Pas ditës së pushimit (dita 5) jemi gati për të vijuar udhëtimin tonë drejt jugut, drejt zonës së Sarandës. Bregu është shumë i bukur, qyteti mjaft i madh dhe i çimentuar, por me një shëtitore të bukur dhe restorante të mira. Dëshira jonë për paqe gjatë natës na çon drejt fshatit të Ksamilit ku qëndrojmë në hotelin “Artur”, në portat e fshatit, ku për 35 euro marrim një dhomë me pamje nga deti, me mëngjes, ajër të kondicionuar, tarracë, shezlong dhe çadër në plazhin e vogël dhe sigurinë se diskoteka do të mbyllë dyert në mesnatë (dhe kështu do të jetë, për fat të mirë). Nisemi menjëherë për në Butrint, zonës arkeologjike më të rëndësishme të Shqipërisë, që gjendet pak kilometra nga aty. Butrintin ia vlen ta vizitosh edhe pse tërheqja më e madhe është mozaiku, pasuri e Uneskos, si Berati dhe Gjirokastra, aty zbulohen vazhdimisht dëshmi të epokave të ndryshme të kaluara. Nga muret gjigande ilirike, te teatri romak, bazilika paleokristiane, kullat veneciane dhe e gjitha vendosur në një natyrë shumë të bukur. Pas vizitës që na kushton disa orë, vijojmë zbulimin e territorit për të rezervuar ditën e dytë të qëndrimit në Ksamil. Arrijmë të Syri i Kaltër, një burim që ndodhet brenda një parku, rrugës që nga Finiqi të çon në Gjirokastër. Burimi që merr ujë nga një liqen i thellë (kërkimi ka ndaluar në 50 metra) dhe ka ngjyra të pabesueshme.

Dita 7
Vendosim për një ditë tjetër në det. Ksamili ka plazhe të shquara dhe një det spektakolar: por fshati nuk është ai që mund të presësh nga një vend plot potencial turistik. Është një përzierje shtëpish dhe hotelesh të shpërndarë kudo, madje ka edhe skelete të rrëzuara. Me anë të internetit kuptojmë se ato pallate ishin pa leje dhe janë prishur nga autoritetet, duke lënë rrënojat aty.

Dita 8
Jemi gati për të nisur rrugën drejt vendit që do të mirëpresë natën tonë të fundit në Shqipëri: Gjirokastra. Ngjitemi në Sarandë, pastaj Finiq, zbresim në rrugën e “luksit”(e gjerë, e mirë, plot me tabela rrugore) që vjen nga kufiri grek. Qendra historike e Gjirokastrës është e bukur, me shtëpi të vjetra prej guri, kështjella, xhamitë, duket një shumëllojshmëri më e madhe ndërtimi krahasuar me Beratin, shtëpitë janë të gjitha ndryshe, disa shumë të mëdha, të ngjashme me kështjellat. Gjejmë strehë te B&B Cotoni, ku për 25 euro marrim një dhomë të madhe të një shtëpie tradicionale, mëngjes, kafe dhe biskotat e mirëseardhjes, Wifi, ajër të kondicionuar dhe një mikpritëse që flet një anglishte të mirë. Nisemi menjëherë në zbulim të qytetit dhe hasim shtëpinë e parë tradicionale, për fat të keq nuk ia mbajtëm mend emrin, por gjendet pranë hotelit, është e madhe dhe gjendet në të djathtë të rrugës dhe gjatë kohës së rregjimit ishte shndërruar në muze. Këtu takojmë një arkitekt të ri dhe që na bën guidë me një anglishte të mirë: na udhëheq për të zbuluar këtë shtëpi-fortesë, plot me masa mbrojtëse, bunker, kalime të fshehta dhe një zonë te bukur festive në katin e fundit, me një sallon të madh, xhama të bukur dhe një tavan të punuar mjeshtërisht. Pas kësaj vizite të gjatë drejtohemi te kështjella. Edhe këtu si në Berat është e mundur të vish me makinë, por vendosim të sfidojmë ngjitjen dhe të nxehtin mbytës të paradites. Kështjella është një kompleks, hyrje shumë të mëdha prej guri dizenjojnë hapësirat e errëta dhe të lagështa të galerive në të cilat ishin vendosur pjesë të artilerisë së rëndë shekullin e kaluar. Muzeu i armëve është më interesanti për hapësirat dhe për koleksionin. Bëhet fjalë për mjedise që deri në vitet ’60 ishin përdorur si burg, pasi kështu e kishin përdorur edhe italianët dhe gjermanët. Qelitë të bëjnë të të shkojnë mornica. Shkojmë deri te kulla e sahatit, pika më e lartë e kështjellës. E kalojmë paraditen, duke ecur nëpër rrugë, qyteti është i dashur dhe vizita jonë përfundon në restorantin e Kujtimit, që na kishte ftuar për drekë.

Dita 9
Nisemi shpejt nga Gjirokastra sepse qëllimi ynë është të kalojmë natën në Ohër, në liqenin me të njëjtin emër, në anën maqedone. Marrim nga Përmeti, Leskoviku, Erseka e Korça. Peisazhi deri në Përmet ishte shumë i bukur, male të lartë të stlit dolomit, lugina, një lum i bukur i kristaltë, fshatra me shtëpi të vjetra, bagëti dhe fshatarë që bënin punët në një botë që dukej si në Italinë e 50 viteve më parë. Mundëm të shohim edhe fluturimin hipnotizues të një shqiponje që u rrotullua disa herë mbi kokat tona. Por duke nisur nga rruga afër kufirit grek, peisazhi bëhet shumë pak interesant. Nuk ka më fshatra, zona është e braktisur, dhe peisazhet nuk janë aq të bukura. Arrijmë në Korçë, pas 6 orësh udhëtimi dhe të pakënaqur nisemi drejt Voskopojës, rreth 20 km larg Korçës: duhet thënë, në një rrugë të pamundur. Voskopoja kishte tërhequr kuriozitetin tonë sepse deri në fund të viteve ‘700 ishte qyteti më i madh në të gjithë Ballkanin, pastaj një seri zjarresh dhe bastisjesh e kishin shndërruar në një vend-fantazëm me disa qindra persona. Për të dëshmuar të shkuarën e lashtë kishin mbetur disa kisha të mëdha (disa prej 24 syresh në origjinë), rrugët, kalldrëme me gurë, tashmë të dëmtuara rëndë. Vendi është vërtetë interesant dhe janë bërë disa hapa të vegjël për të pritur turistët, por rrugët janë shumë të vështira për tu kaluar dhe për të vizituar kishat. Kisha e Shën Nikollës ka afreske të shkëlqyera poshtë një portiku, por përballë agjentëve atmosferikë dhe vandalëve ai po shkatërrohet. Kthehemi në Korçë dhe vijojmë rrugën drejt Pogradecit, dhe prej andej drejt kufirit maqedonas, duke kaluar nga fshati Tushemisht. Këtu përshëndesim bunkerin e fundit dhe gjithë Shqipërinë dhe nisemi drejt qytetit të Ohrit. Gjëja e parë që bie në sy në Maqedoni, duhet thënë, janë rrugët…

Përfundimi
Duke tentuar për të dhënë një gjykim final për udhëtimin mund të them se Shqipëria është një vend që ofron shumë surpriza. Disa pozitive si: duke lënë pas krahëve disa steriotipe për rrezikshmërinë e vendeve dhe të njerëzve. Kurrë, por vërtetë kurrë nuk u ndjemë në rrezik, përkundrazi: në disa vende, (më vjen ndërmend Gjirokastra) sjellja dhe gadishmëria e njerëzve ishte vërtet mbresëlënëse. Pjesa jugore është shumë e bukur dhe ia vlen ta vizitosh: bregu nga Vlora dhe kufirit grek, parku i Butrintit, qytetet e Gjirokastrës dhe Beratit, Syri i Kaltër janë vende me bukuri të rrallë. Në të kundërt është e qartë se vendi nuk është në një situatë si Italia, madje edhe se ato fqinje: infrastruktura, duke nisur nga rrugët, janë në kushte të këqija dhe vazhdon shëmtimi i peisazheve me ekomostrat (strukturat ndërtimore, shumë shpesh të braktisura) që e bëjnë panoramën të shëmtuar. E pamundur të mos numërosh mes aspekteve pozitive koston e një udhëtimi në Shqipëri: për 12 ditë, duke fjetur nëpër hotele, drekë dhe darkë gjithnjë nëpër restorante, hyrje nëpër muzeume, karburant, dhe shpenzime të tjera ekstra, harxhuam më pak se 1000 euro për dy persona. E vështirë të thuhet e njëjta gjë për vendet e tjera të Europës…

Shkrimi u botua ne suplementin FUNDJAVA, 10 gusht, te gazetes Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë