Çimento, proteston biznesi kosovar:
Latë 2 mijë punëtorë pa punë

Çimento, proteston biznesi kosovar: <br />Latë 2 mijë punëtorë pa punë
TIRANE - Vendimi i ministrisë së Industrisë dhe të Tregtisë së Kosovës, që rriti tarifat e importit të çimentos 35 për qind, duket se po sjell pasoja për kompanitë kosovare. Mbi 200 të tilla që prej një jave janë bllokuar dhe, për pasojë, 2 mijë punëtorë aktualisht kanë mbetur pa punë. Të hënën, importuesit dhe përfaqësuesit e bizneseve nga Shqipëria e Kosova protestuan kundër këtij vendimi, të cilin e quajtën të nxituar dhe pa një analizë të duhur. Importuesit kosovarë kanë kërkuar heqjen e kësaj tarife, pasi thonë se që prej shtatë ditësh janë të bllokuara 200 firma që kanë blerë çimento në Fushë-Krujë dhe se 2 mijë punëtorë kanë mbetur pa punë. Në mitingun e protestës, përveç Odës Ekonomike të Kosovës dhe importuesve kosovarë, morën pjesë Dhoma e Tregtisë Tiranë dhe drejtuesit e kompanisë nga Fushë-Kruja. Ata kundërshtuan edhe pretendimet se importet e çimentos nga Shqipëria po dëmtojnë prodhuesit vendorë. U tha se “Sharrcem”-i përmbush 40 për qind të tregut, Fushë-Kruja përmbush 32 për qind dhe kompania Titan e Shkupit përmbush 19 për qind të tregut. Sipas kreut të Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, avancimi ekonomik duhet të jetë prioritet i prioriteteve dhe se duhet të mbrohen interesat e të gjithëve, jo në mënyrë selektive. Sipas tij, vendimi i marrë nga Ministria e Tregtisë është rezultat i mungesës së dialogut paraprak dhe i marrë në mënyrë “ad hoc”.
“Nuk kemi dëshiruar që të përsëritet e kaluara dhe vështirësitë që kemi pasur me eksportin e patateve, kemi menduar dhe dua të besoj që kemi mësuar nga e kaluara, që barrierat nuk janë në favor të avancimit të bashkëpunimit ekonomik, në veçanti në mes shteteve të një populli të ndarë. Një qasje e tillë është joserioze për vetë ne, por mbi të gjitha është joserioze për faktorin ndërkombëtar”, tha ai.
Ndërsa Nikolin Jaka, nga Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë e Shqipërisë, deklaroi se nuk ka asnjë argument që të kuptohet vendimi i marrë nga Ministria e Tregtisë së Kosovës dhe kreut të saj, Mimoza Kusari-Lila. “Në asnjë lloj pike nuk mund të gjejnë argument logjik, i cili i jep të drejtën kësaj ministrie për vendosjen e kësaj tarife. Ne duhet të punojmë për një treg të lirë, konkurrencë të ndershme dhe për çmime në treg që të jetë e përballueshme për tregtarët, por njëkohësisht edhe për konsumatorët. Në rastin konkret, në tarifën e ngritur në masën prej 35%, vjen në kundërshtim me çdo lloj logjike ekonomike, por edhe të çdo lloj synimi politik”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Zhorzh Jeha, menaxher i çimentos në Fushë-Krujë, ka thënë se nuk janë kryer importime nga vendet e tjera, por kanë hyrë në Kosovë vetëm prodhime nga Shqipëria. Jeha ka thënë se “Sharrcem” ka çmimin më të lartë në të dy tregjet, Kosovë dhe Shqipëri.
“Ky vendim duhet ta ketë arsyen dhe objektivin e vet, ky vendim nuk duhet të shërbejë për mbrojtje të ndonjë kompanie, sepse kjo mbrojtje tashmë ekziston. Kompania ‘Sharr’ mbulon rreth 40% të tregut në Kosovë dhe pjesa tjetër duhet të sigurohet nga kompanitë e tjera në Kosovë, apo importet nga vendet e tjera. Nëse prodhimi vendor nuk do ta mbulonte kërkesën e vendit, atëherë duhet të ketë importe të tjera, një pikë e rëndësishme, çmimi të cilin e ofron ‘Sharrcem’-i është çmimi më i lartë në dy tregjet, në Kosovë dhe Shqipëri”, ka vlerësuar ai.
Edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka ka thënë se ky vendim është i nxituar, është krijuar situatë jonormale dhe, sipas tij, më e pakta që do të duhej të bënte Ministria e Tregtisë, është konsultimi. Lauka ka thënë se kjo është një logjikë që nuk çon askund dhe është joproduktive.

(gk/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Ushtria Izraelite godet objektivat e Hezbollahut në të gjithë Liban! E akuzon se fshihet pas sulmit me raketë në Lartësitë e Golanit 

Lufta/ Ushtria Izraelite godet objektivat e Hezbollahut në të gjithë Liban! E akuzon se fshihet pas sulmit me raketë në Lartësitë e Golanit