Çipat, etër e bij rrugëve të poezisë

Çipat, etër e bij rrugëve të poezisë
Vatrat ligjërimore të triologjisë poetike “Etër dhe bij”, botimi i tri librave, të tre poetëve të breznive të ndryshme, por të një rrënje dhe të fisit të njohur të Çipatëve, me në krye bardin e poezisë shqipe, Lefter Çipa, në bashkëprani me librin e Aleksandrit, të birit, si dhe me librin e Akrit, nipit të të parit dhe birit të të dytit, përbën një rast unik në letrat shqipe, me gjasë edhe më gjerë se sa kaq. Unikja, shenjuese dhe gjallnuese, e bashkëlidhjes së këtyre librave, si dhe të të tre autorëve, etër dhe bij, ndërkaq natyrshëm shpaloset edhe si një fakt enciklopedik dhe tepër i rrallë.

Nga ana tjetër, duke qenë poezi të një rrënje dhe gjaku, ndërkaq ky fakt unik, krijon premisën që të shqiptohet poezia pa pika këputje, përpos të tjerash, duke u kthyer kështu realisht në një gur kilometrik dhe ekzistencial i vetë qenies arbënore. Bashkëlidhja e këtyre librave, në botimin e njëkohshëm, po kaq lënda e përbashkimit të gjakut dhe vatrës, të tekstit dhe nëntekstit, frymës dhe atmosferës së endur, në fakt nuk ka penguar aspak që në këto libra, po kaq të ndeshim larminë, madje shpesh herë edhe ndryshimin në tekste dhe sidomos në vokacionin poetik, që zbulohet me nuanca dhe ndryshime të rrokshme, në mes këtyre teksteve, që e bën edhe një akt të indentietit dhe identifikimit të kahejve ligjërimore të secilit prej poetëve.

Analiza e secilit libër të triologjisë së përveçme, Etër dhe bijë, megjithatë në strukturim dhe bashkëlidhje, poetikë dhe shpalimin estetik, do të na mundësonte kapjen e tërësisë së saj, por edhe të shenjave artistike, që përçon secili nga librat më vete.

A – Lefter Çipa, bardi i mbramë dhe poeti i thekuar i fjalës shqipe Gurthemeli dhe pesha më e rëndë e triologjisë Etër e bij, pa më të voglin dyshim, është vepra e të parit të Çipajve, që si bard gojëmjaltë, edhe në këtë rast ka librin Këngët e Atdheut tim, e cila skicon tiparet e bardit, edhe simbas pikëpamjes së studiuesit Hatto, kur shkruan: Bartësit e tyre, të cilët ne i emërtojmë “bardë”, e kultivojnë repertorin e tyre vazhdimisht në kuptim të përvojave të shoqërive të tyre dhe në kuptim të potencialit të fshehur të gjuhës së tyre…

Ndërkohë që përmbledhja poetike e radhës, me titullin domethënës, Vij nga drita, që shënon librin e dhjetë të autorit, një metaforë e pazakontë, shpalos përmasën e poetit të kultivuar. Udhëtimi i Lefter Çipës, si bard dhe si poet, tashmë që i ngërthen që të dyja përmasat e lavrimit të poezisë janë të identifikuara, si shenjë dhe tekst, prani dhe shenjëzim të një poezie unike, ndikon për të shijuar disa nga vlera e poetikës së tij:

- Në përmbledhjen e fundit, përpos të tjerash, bie në sy fakti se mbizotëron bashkëbisedimi me poetët dhe artistët, më shumë si një ngushllim dhe bashkëbisedim emocional dhe artistik, tashmë në rrethakun e të ngjashmëve, sidomos të atyre shqiptar, të ngjashëm dhe të ndryshëm, që vetvetiu të krijon praninë e një simfonie poetike, me shumë zëra, pra që vjen si një kumbim polifonik, ku korifeu mbetet ai që i ka grishur në këtë melodi, pra vetë poeti.

- Tipologjia e lavrimit të poezisë erotike dhe të natyrës, që na vjen përmes një befasie poetike, aq të larme në tekstet poetike të këngëve të tij, e tani edhe në poezinë e kultivuar, duke shënuar kështu dy vatrat e zërave lirikë, që shprehet hapur dhe madje zbulohet me drithërima, e cila në disa poezi të librit, ta përkujtojnë ngjyresën poetike të Omer Khajamit, që me këtë prani rastësore vetëmsa e pasuron pentagramin shprehës të poetit.

- Poezi e derdhur në ngjyresa klasike, nga strofa dhe vargu, ritmi dhe muzikalitetit, e cila përgjithësisht sendërtohet me anë të harmonisë së ligjëratës poetike, ku spikaten tekstet e poezive: Dua të hënoj dhe ca, Kush erdhi s’shkoi, Hëngra portokallen, Shpirt rrëmbyese, Ke apo s’ke burrë, Natë Himare, Ç’ke moj ti Himarë etj.

B – Aleksandër Çipa, ose poetika e verbit bashkëkohor. Me përmbledhjen Mbi re s’ka stacione, pra librin e dytë të triologjisë, që ndërkaq shënon librin e tretë të autorit, duke shenjëzuar kështu një cak tjetër të shkrimit poetik, në strukturim dhe shprehësi, në shpalimin e një poezie të kumtit të hapur, në thënie dhe vlera artistike, e cila në karahsim me dy përmbledhjet e para të autorit, vjen si një kurbë ngjitëse, ku përvijohen dhe dallohen qartësisht disa tipare:

- Poezia e këtij libri, përbëhet nga një matrie poetike, ku ndërthuret klasikja me modernen ose në një kuptim, në përqasje me dy librat e parë, ndërkohë që identifikohet metafizika e përmbysjes. - Strukturuar në shtatë cikle, përmbledhja Mbi re s’ka stacione, të cilat ndërkaq shoqërohen edhe me disa sentenca, thënie tipike me ngarkesë filozofike dhe etike, që duket se e pasuron pentagramin shprehës, siç ngjet në rastin: Me kohën kam raportin tim: e humbas duke qenë i zënë me të dhe e fitoj pa qenë i lirë…

- Poetika e mendimit, që duket se më shumë, prek bash në vatrat ekzistenciale të qenies, sidomos në tanishmëri, ku përmes kamerës së frymëzimit, si dhe në ëmnyrë të veçantë, duke depërtuar në gjirin e shqetësimeve qytetare, mu në amën e kahjeve të lëvizjes së qenies, madje edhe si një vokacion i hapur qytetar, po kaq shoqëruar edhe një nerv bashkëkohësie, që zbulohet në të gjithë librin, por që kuptimësohet, veçmas të tjerave, në poezitë Pikëturë fëmijërie për vendlindjen, Tri kohë në kohën e vetme, Në viset e jugut, Mbi re s’ka stacione, Jeta reale, Kur ti je Marmara, Albanishte, Ritual në shitoren e lagjes, Matanë dritës e ndonjë tjetër, të cilat shpalosin përmbysjen, vokacionin qytetar të poezishkrimit.

C – Reagim dhe meditim personal, një poezi moderne në frymë. - Gjurmë të ndryshme, të një poezi që anësohet më tepër nga rimarrja e gërshetimit të poetikave të ndryshme, madje që bartin edhe dëshminë e rebelimit dhe shpërfilljes, si dhe të formësimit të ngjyresave moderne ligjërimore, në hapësirat e librit Në modernitet humbëm, i Akri Çipës, që shënon të parin libër të autorit, po kaq edhe një poezi interesante dhe të ngjeshur si thënie dhe figurativitet.

-Poezia kësaj përmbledhje, në metrikë dhe strukturim, vjershërim dhe shpalimin estetik, ndërkaq rimerr poetikën klasike dhe e rifunskionalizon atë, në frymë dhe ritëm, muzikalitet dhe nervin ligjërimor, duke e ndërfutur si mënyrë shprehje në atmosferën moderne.

- Poezie e mendimit modern, reagues dhe shpesh herë ajio mbërrin deri në rebelim kundërvënës, derdhur në sfumatura të strofave dhe të vargut të matur, që kumbon përmasën e vitalizimit të poezisë burimore, të ngjizur në hemisferat e një shpirti që shpërfill skemën dhe klishet e pranishme.

-Libër i ndarë në katër cikle, si një akt konceptual i lavrimit të poezisë me anë të një sistemi poetik personal, pra që në strukturë dhe formësim lëviz në binarët e modernitetit, e ndarë përkatësisht në: Bota tokësore, Bota e dashurisë, Bota e përtej-jetës dhe Epilog, që paraqet një strukturim konceptual modern, si dhe nga ana tjetër, realizon një mbyllje të beftë të metafizikës autoriale. Mëtimet autoriale, të një poezie ndryshe, marrin një pamje më të plotë në vargjet e poezive: Njeriu, Çështje tundimi, Kam ftohët, Ëndrrat, Etyd për jetën, Humbës në shpirtin tënd, Të panjohur e të tjera.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Sytë drejt Teheranit! Izraeli pret sulmin dhe paralajmëron: Do të përgjigjemi

Sytë drejt Teheranit! Izraeli pret sulmin dhe paralajmëron: Do të përgjigjemi