Çmimi i ndryshimeve

Çmimi i ndryshimeve
Që kur u shpallën rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, nga brenda dhe nga jashtë Shqipërisë u vlerësuan ato si shprehje e qartë e nevojës për ndryshime thelbësore. Pas kësaj ngjarjeje të rëndësishme, Koalicioni fitues me emërtimin ‘Aleanca për Shqipërinë Evropiane’, që prodhoi një mazhorancë të re kuvendore dhe një Qeveri energjike, menjëherë shfaqi jo vetëm vizionin, por edhe vullnetin politik për të bërë reforma të thella ekonomike dhe institucionale, ndërmarrja e të cilave do të krijonte mundësinë për të shpejtuar hapat në rrugëtimin evropian të vendit. Në këto kushte, vetëm një vit pas atyre zgjedhjeve të qershorit të 2013 - s iu akordua Shqipërisë statusi i shumëpritur i Shtetit kandidat për në BE.

Megjithatë, zhvillime të tilla duket që nuk kanë qenë aq pozitive sidomos për forcën kryesore të opozitës politike dhe të zgjedhurit prej rradhëve të saj në institucionet kushtetuese e të pavarura të vendit, duke mos shprehur kompromisin për implementimin e së paku katër reformave të vlerësuara nga Brukseli si kyçe në krijimin e klimës së përshtatshme për çeljen brenda një kohe të shkurtër të bisedimeve mbi anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Rezistenca e opozitës ndaj ndryshimeve të domosdoshme tenton të shpërndajë një mjegull të atillë sa mund të mbulojë edhe pamjet më tërheqëse në horizontin e vendit. Grupi parlamentar i saj dhe i ca të paktëve aleatë të vet janë larguar prej disa muajsh nga Kuvendi i Shqipërise, duke ngritur ca “komisione parlamentare” paralele inekzistente, të cilat në fillim u pretendua të kthehen atje ku e kanë vendin vetëm nëse do të ndëshkoheshin dy deputetë të mazhorancës, të cilët fatkeqësisht, një ditë të bukur i dhanë dy grushte një kolegu të tyre demokrat.

Mirëpo edhe tani, që as shumica parlamentare dhe as Qeveria e zgjedhur prej saj nuk e penguan Prokurorinë të depozitonte në Gjykatën e Lartë akuzën për dënime penale ndaj dhunuesve të “një koke të rrjepur mbi një kurriz që kruhet”, Kryetari i Partisë Demokratike i shmanget përgjigjes nëse do të kthehen apo jo në Parlament deputetët e saj. Ndoshta, me mendimin se braktisja prej tyre institucionalisht e Kuvendit do të ndikonte që ndërkombëtarët t’i hiqnin veshin shumicës parlamentare për faktin se – sipas tyre - nuk do të mund të kishte demokraci parlamentare pa pjesëmarrje të opozitës, qoftë kjo edhe destruktive.

Pra, nga vërejtjet e aleatëve të huaj do të ushqehej shpresa e opozitës se mbase mazhoranca t’i thërriste mendjes dhe, kështu, të mund të vazhdohej me rrugën e vjetër, që për vite të tëra e la Shqipërinë në udhëkryq. Por, në vend që kryetari legal i opozitës të perifrazojë i krekosur paragrafë të shkëputur jashtë kontekstit të Fjalës së fundit të Ambasadorit amerikan në Asamblenë e OSBE në Vjenë, Daniel B. Baer, sigurisht që do të ishte më mirë të përqëndrohej te thelbi i mesazhit të SHBA në atë seancë, sipas të cilit, “politika konfliktuale po pengon zhvillimin” dhe “lufta kundër korrupsionit kërkon angazhimin e të gjitha palëve”.

Ndërkohë që, me firmën e ministrave të jashtëm të 28 Shteteve Anëtare të BE është theksuar vazhdimisht “përgjegjësia e të gjithë udhëheqësve politikë shqiptarë që të fokusohen në axhendën e BE dhe të punojnë në mënyrë konstruktive, duke dhënë rezultate konkrete të mëtejshme në reforma”.

Sidoqoftë, mjegullat zakonisht nuk zgjasin shumë dhe besimi këtu te ne në shpejtimin e davaritjes së tyre po krijohet nga vullneti i palëkundur i qeverisjes së re, për të ndërmarrë reformat e përfolura. Këtij besimi, me sa kuptohet, do t’i anonçohet edhe ardhja në Tiranë të hënë e ardhshme të Komisionerit për Zgjerimin e Unionit, Shtefan Fyle, i cili do të marrë pjesë në Takimin iV të Nivelit të Lartë BE – Shqipëri.

Këtij besimi parashikohet t’i përgjigjet për Shqipërinë edhe Progres – Raporti i Komisionit Evropian për 2014 – n, i cili njoftohet se do të publikohet më 8 Tetor. Në këto situata, pas krijimit të Hartës së re territoriale të vendit, dizenjimin ligjërisht të së cilës nuk mundi ta pengonte opozita politike as nëpërmjet ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, koha nuk pret për të hartuar dhe miratuar variantin përfundimtar të ligjit për decentralizimin.

Në këtë kuadër, nuk ka kuptim të pritet më tej bërja e ndryshimeve përkatëse në Kodin elektoral, aq më tepër që nuk na ndajnë veçse pak muaj nga zhvillimi i procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore, që do shërbejnë edhe si një test kuptimplotë, veçanërisht për rolin e opozitës dhe politikat apo edhe taktikat e ndjekura prej saj. Gjithashtu, do të ishte e udhës që, pas ndryshimmeve në ligjin për shërbimin civil dhe ngritjen me një Vendim të Këshillit të Ministrave të një Komisioni Shtetëror të Përzgjedhjes së Drejtuesve të Nivelit të Lartë të Administratës, strukturat e saj të freskohen me specialistë e zyrtarë në të dy nivelet, për të krijuar kapacitetet e nevojshme administrative, që mund të përballojnë zhvillimet e reja në sensin evropian.

Në këtë kohë intensive ndryshimesh pozitive, mbase nuk do të kishin as vlerë dhe as efekt lajmet e kontestimeve për vendimin e Kuvendit rreth shkarkimit të Zëvendëskrytarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe një anëtari tjetër të tij. Të dy këta zyrtarë, nëse vërtetohet të kenë shkelur ligjin organik të institucionit të tyre, sikurse edhe përfliten prej kohësh, nuk mund të qëndrojnë më në ato detyra, pavarësisht zërave për proceset hetimore, që u sëmbojnë nëpër veshë. Në këtë linjë nuk duken shumë serioze edhe kundërshtitë që i bëhen ligjit për Shkollën e Magjistruar dhe sidomos atij për ndryshimet në organizimin dhe funksionimin e KLD.

Në lidhje me këtë të dytin, më tepër bujë bën ankimi në Gjykatën Kushtetuese i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, ndaj një dispozite, sipas së cilës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit të Republikës, zgjedh një zëvendëskryetar nga rradhët e 3 anëtarëve të miratuar prej Kuvendit të Shqipërisë. Vetë Nishani, si edhe ata që e kanë zgjedhur njëanshmërisht atë në postin më të lartë të shtetit, pretendon se kështu i preket komptenca, që parashtrohet në nenin 147/3 të Kushtetutës. Duke i hedhur një sy kësaj dispozite të Ligjit Themelor nuk duket që ajo e ndalon përzgjedhjen që përcakton ligji organik.

Por, mund të interpretohet edhe si kufizim, sidomos kur numri i anëtarëve të KLD të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare e kalon tre herë më shumë atë të anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi, në një kohë që ky institucion konsiderohet si organi qeverisës i gjyqtarëve të dy shkallëve të para. Nejse, kjo zhurmë që vazhdon të mbushë mediat për disa ditë rresht nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me reformën në drejtësi, e cila është etiketuar jo vetëm nga Kryeministri, por edhe nga i gjithë populli shqiptar dhe nga aleatët e huaj, si “një turp kombëtar”.

Ndërkohë që, Bashkimi Evropian inkurajo vendin tonë që të bëjë strategjinë e re për gjyqësorin 2014 – 2020, me përfshirjen komplekse të KLD, Ghykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, Prokurorisë etj, duke marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias. Në këtë kuadër vlerohet angazhimi i Qeverisë me këtë organ të Këshillit të Evropës (pra, Komisionin e Venecias) për sistemin e drejtësisë, zbatimin e ligjit të Gjykatës së lartë dhe të gjykatave administrative, ndryshimet në Kodin Penal dhe ndihmën legale për kufizimin e imunitetit të prokurorëve dhe gjyqtarëve etj.

Por, pyetja që shtrohet këto kohë rëndom nëpër auditorët ende heterogjenë të politikës shqiptare tingëllon kështu: “Cili është çmimi, me të cilin do të arrijë Qeveria të bëjë reformat, mos vallë do t’i kushtojnë shumë karrierës së saj dhe interesave të popullit?”. Në këto rradhë, përgjigjen më të mirë s’do ta gjenim kurrësesi te shifra të caktuara, por mund t’ia servirim lexuesit veçse duke iu referuar një thënieje të ish Presidentit të suksesshëm si reformator të SHBA, Bill Klinton: “Çmimi i të bërit të së njëjtës gjë të vjetër është shumë më i lartë se sa çmimi i ndryshimit”.

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Në pranga me urdhër të SPAK, ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu porositi vrasjen e gazetarit Saimir Kodra, krimi do të kryhej nga grupi Çopja

Në pranga me urdhër të SPAK, ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu porositi vrasjen e gazetarit Saimir Kodra, krimi do të kryhej nga grupi Çopja