Çmimi “Balkanika” shkon
në Bullgari

Çmimi “Balkanika” shkon<br />në Bullgari
TIRANE- Gara e çmimit “Balkanika” mes 7 shkrimtarëve të njohur të Ballkanit ka përfunduar me dhënien e trofeut për shkrimtaren bullgare Zdravka Eftimova, e cila e fitoi çmimin për vëllimin me tregime “Pernik Stories” (Historitë e Pernikut).

Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Balkanika” u zhvillua dje në mbrëmje në Muzeun Historik Kombëtar me pjesëmarrjen e shkrimtarëve të rajonit që konkurruan në këtë garë: Ylljet Aliçkaj nga Shqipëria, Zdravka Evtimova nga Bullgaria, Dimitrios Stefanakis nga Greqia, Mitko Madzunkov nga Maqedonia, Mirela Roznoveanou nga Rumania, Dragan Velikiç nga Serbia dhe Hakan Gunday nga Turqia. Fondacioni "Balkanika" e zhvillon për herë të dytë në Shqipëri ndarjen e këtyre çmimeve, për të cilin vendos një juri ndërkombëtare.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve u çel nga ministrja Mirela Kumbaro, e cila theksoi angazhimin e Ministrisë së Kulturës në nxitjen e përkthimit për njohjen e autorëve më të mirë të rajonit. Irena Toçi presidente e shtëpisë botuese “Toena” që përfaqëson Shqipërinë në Fondacionin Ballkanika, falënderoi ndër të tjera themeluesin e fonacionit Nikolaji Stojanov, të pranishëm në ceremoni për përfshirjen e Shqipërisë në këtë çmim prestigjioz.

Zonja Toçi kujtoi për të pranishmit edhe emrat e dy shkrimtarëve fitues të çmimit Balkanika, Ismail Kadare dhe Fatos Kongoli. Pasi prezantoi shkrimtarët dhe veprat që ishin në këtë garë, presidenti i Fondacionit “Balkanika”, Nikolai Stojanov falënderoi shtëpinë botuese të Shqipërisë “Toena”-n dhe shkrimtaren Diana Çuli, për kontributin e tyre në organizimin e këtij eventi. Stojanov pohoi se vitin tjetër çmimet “Balkanika” do të ndahen në Bullgari.

Amerikani Andrew Wachter, i zgjedhur enkas për të pasur distancë nga marrëdhëniet e rajonit para se të ndante çmimet u shpreh se çdo roman i prezantuar në mënyrën e vet mund ta fitonte çmimin. Ai përmendi edhe faktin e renditjes si numri dy në këtë garë të shkrimtarit shqiptar Ylljet Aliçkaj me romanin “me temë interesante” sipas tij, “Valsi i Lumturisë”. Kryetari i jurisë Andrew Wochter e motivoi dhënien e çmimit për shkrimtaren bullgare Zdravka Eftimova me faktin se po përjetojmë “dhunën e romanit”. “Sot në botë po përjetojmë dhunën e romanit.

Ndërsa shkrimtarja bullgare Evtimova na ka sjellë një libër interesant me tregime në këtë garë. Tregimet e saj janë shumë të veçanta. Ato janë të shkruar me shumë stil, ka tregime Çehoviane”, tha ai. Kryetari i jurisë, kritiku amerikan Andrew Wochter u përzgjodh enkas nga organizatorët, sipas tyre “që ishte sa ma larg ndikimeve të mendësisë ballkanike për të përkrahur vendet fqinje”.  
 
Kush është Zdravka Eftimova
 
Zdravka Evtimova lindi më 24 korrik 1959, në Pernik, Bullgari. Është shkrimtare e letërsisë bashkëkohore bullgare. Autore e katër përmbledhjeve me tregime dhe katër romaneve të publikuara në Bullgari, ajo e quan veten me shaka shkrimtare treni, pasi shumica  e tregimeve të saj janë shkruar në tren, gjatë udhëtimeve të saj midis Pernikut (qytetit ku banon) dhe Sofies (qytetit ku punon). Vëllimi me tregime “Pernik Stories”, për të cilin mori  çmimin Ballkanika 2013, përfshin disa dëshmi që akoma nuk janë publikuar në Bullgari.   


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Fluks në Portin e Durrësit, tragetet vijojnë me lundrimet e dyfishta! Turistët mbushin plazhet plot

Fluks në Portin e Durrësit, tragetet vijojnë me lundrimet e dyfishta! Turistët mbushin plazhet plot