Sipas rezultateve të censusit, Shqipëria ka gjithsej në rang Republike, 2,831,741 banorë. Natyrisht rezidentë. Ndërkaq, në listat e zgjedhësve të votimeve për pushtetin vendor më 8 maj të vitit 2011 janë të regjistruar gjithsej, 3 milionë e 166 mijë e 279 votues. Natyrisht, në censusin e përgjithshëm të popullsisë janë numëruar vetëm banorët rezidentë në Shqipëri. Por gjithsesi, diferenca mbetet e madhe. Ndërkaq, sipas rezultateve zyrtare në votime kanë hedhur fletën në kuti, rreth 1 milion e 600 mijë votues.
Diferenca e votuesve të regjistruar me numrin e përgjithshëm të popullsisë së regjistruar nga INSTAT është 334538 banorë. Ndërsa diferenca e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar me numrin e banorëve që kanë hedhur votën është edhe më dramatik. I bie që gjysma e popullsisë së Shqipërisë nuk arrijnë dot të kryejnë detyrimin themelor kushtetues, atë të zgjedhjes dhe të zgjedhurit. Dhe si rrjedhim organet që dalin nga zgjedhjet e përgjithshme të jenë me legjitimitet të cunguar(edhe pse formalisht është në përputhje me ligjin). Ish-kryeministri Pandeli Majko, në një shkrim të botuar disa ditë më parë theksonte se “Shqipëria dhe politika ua ka “borxh” të drejtën e votës emigrantëve atje ku ata jetojnë. Pse po vonon kjo e drejtë?! – mund të pyesë dikush. Përgjigjja e thjeshtë është se emigrantët janë votues të frikshëm. Ata nuk blihen dhe shiten, për një vend pune në administratë. Standardi i tyre i të kuptuarit të politikës nuk është naiv. Votat e emigrantëve do të jenë një thuajse “revolucion” për mentalitetin politik shqiptar. Vota e emigrantëve, pa asnjë metaforë optimiste, do të ishte “hapja” e dytë e Shqipërisë pas viteve ‘90-të”.
MONITORIMI
Në Kodin e ri Zgjedhor është parashikuar që të rishikohet dhe mbikëqyret në mënyrë të posaçme lista e zgjedhësve. Në mendimet e bëra i jepet një rol thelbësor bashkive dhe komunave, pra zyrave të gjendjes civile për hartimin dhe kontrollin e listës së votuesve të zonës. Ndërkaq, një përfaqësues i opozitës do të jetë rezident në Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile për të monitoruar të gjithë procesin e hartimit të listave të zgjedhësve. Siç mësohet që pas shpalljes së datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit të Republikës, që sipas gjasave do të bëhet në shtator, atëherë të gjitha krerët e njësive vendore që i përkasin opozitës do të hartojnë raporte periodike të hartimit të listave të zgjedhësve dhe ndryshimit të tyre. Ndërkaq, do të caktohet përfaqësuesi në Ministrinë e Brendshme, i cili do të jetë online me selinë rozë për të transmetuar të gjitha të dhënat. Mësohet gjithashtu se në selinë rozë është ngritur një “shtab statistikash” që zëvendëson zyrën e drejtuar dikur nga Kastriot Islami, i cili do të krijojë një bazë të re të të dhënave. Në fakt, kjo zyrë është krijuar dhe siç mësohet është hartuar një “skenar në letër” bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 2009-s dhe vendoreve të 2011-s, sipas të cilave PS ka hartuar panoramën teorike të asaj që e quan fitore të zgjedhjeve të 2013-s. Megjithatë, e gjithë kjo bazë të dhënash do të rinovohet sapo të shpallen listat e plota me ndryshimet përkatëse që pritet të bëhen edhe në të ardhmen, kur deri në ditën e zgjedhjeve do të pasurohen edhe me votuesit e rinj, që pritet të mbushin moshën 18 vjeç.
Shkrimi u botua ne gazeten "Shqip"
(sg/shqiptarja.com)