Jetimët që mbushin moshën 18 vjeç nuk përfitojnë asgjë. Duke mos përfituar asgjë ata janë të detyruar që të përballojnë çdo gjë vetë, si gjetja e një pune, shkollimi etj. Ndërsa ligji aktual u siguron statusin e jetimit  atyre deri para moshës 18 vjeç, më pas ata lihen në “harresë”.

Shqetësimi për këtë problem është ngritur nga drejtuesit e institucioneve që merren me mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie, të cilët do të kërkojnë ndryshim të ligjit aktual. "Të hartojë një ligj të plotë, bashkëkohor, konform standardeve të BE, dhe që të garantojë një status të avancuar social të kësaj kategorie në nevojë.

Synimi është që ata të kenë një kuadër ligjor që tu vijë në mbrojtje në drejtim të punësimit, të arsimimit, të integrimit real, dhe të strehimit të tyre që ti bëjë ata të barabartë në shanset për tu integruar në rrjedhën e shoqërisë", tha Ilir Çumani, nga Instituti Kombëtar i Integrimit të fëmijëve jetimë shqiptarë.

Ai thotë se shumë jetimë pasi mbushin moshën 18 vjeç nuk përfitojnë asgjë nga shteti dhe shpesh janë të harruar. Ata, shton ai, duhet të përballojnë çdo gjë vetë që nga shkollimi deri te punësimi. Sipas Çumanit për fëmijët jetimë nuk ka të përcaktuar qartë kompetencat që ka qeveria qendrore dhe ajo vendore, në respektimin e të drejtave të tyre.

Si pasojë  e mos decentralizimit  si duhet të këtyre kompetencave, ka fëmijë që gëzojnë statusin e jetimit që nuk përfitojnë shërbimet e duhura. Në vendin tonë sipas shifrave që raportojnë  institucionet jo qeveritare për mbrojtjen e fëmijëve jetimë,  ka rreth 31 mijë të tillë të grupmoshave të ndryshme, ndërkohë që zyrtarisht numërohen rreth 22 mijë jetimë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)