TIRANË, 2 Tetor/ATSH/-Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë,  Elvis Çefa i dorëzoi sot dokumentacionin zyrtar prej  7.017 fletë, Komisionit Hetimor të ngritur për shkarkimin e tij dhe të anëtarit tjetër të KLD-së Lulzim Lelçajt. Dokumentacioni shkresor që i është dërguar Kuvendit përfshin të gjithë aktivitetin e KLD-së, nga data e zgjedhjes së z. Çefa, si anëtar, datë 12.04.2012, deri ditën e sotme.
Më 26 shtator, një ditë pas votimit në Kuvend, Komisioni Hetimor i ngritur për shqyrtimin e kërkesës për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së, Elvis Çefës dhe Lulzim Lelçajt i kanë kërkuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë të dërgonte informacionin përkatës që ka të bëjë me mbledhjet, vendimet e KLD që nga periudha që kanë ushtruar detyrën Çefa dhe Lelçaj.
Në letrën bashkangjitur me dokumentacionin, Çefa shprehte qëndrimin e tij mbi nismën e Kuvendit për shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas tij, kushtetuta nuk parashikon në asnjë moment ndërprerjen e mandatit të anëtarit të KLD-së përmes proceduarve parlamentare.
Nesër Komisioni Hetimor nën drejtimin e deputetit Armando Subashi, mblidhet sërish për të shqyrtuar kërkesën e 39 deputetëve të Mazhorancës për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së, Elvis Çefës dhe Lulzim Lelçajt./a.gegvataj/