Energji pozitive solli nata e parë e Festivalit Mbarëkombëtar të Humorit mbrëmjen e së enjtes në Shkodër. Mjeshtër të humorit shkodran, si: Zyliha Miloti, Besnik Çinari, Drande Xhaj, Sandër Ruçi dhe regjisori Arian Çuliqi ndezën atmosferën me interpretimet e tyre në edicionin e dytë të festivalit.
“Kemi ftuar nga gjithë rrethet, edhe nga Kosova dhe Maqedonia. Mendoj se shkoi bukur. Arian Çuliqi e tregoi dhe njëherë veten si regjisor. Interpretoi dhe vetë. Materialet e këtij festivali janë të gjitha të reja. Spektaktori u kënaq, pati reagime.”
Aktori Sandër Ruçi e cilësoi Shkodrën si mbretëreshën e humorit dhe solli në vëmendje nevojën që Shkodra të ketë edhe një hapësirë tjetër për aktivitete artistike krahas teatrit “Migjeni”.
“E prita me shumë kënaqësi ftesën. Shkrova materialin, mendoj ishte mesazh që Shkodra nuk vdes. Shkodra nuk është ajo që thonë dashakeqtë për Shkodrën. Jam i kënaqur sidomos kur ke në krah një partnere si Zylihaja. Në total numri i roleve tanë bashkë është 20.”
Mbrëmja u pasurua edhe nga tingujt e këngëtarëve të qytetit dhe orkestrës nën drejtimin e maestro Ilir Zogës, të cilët shtuan ritmin dhe gjallërinë në skenë.
Festivali do të vijojë deri më datë 8 dhjetor, duke i dhënë mundësinë publikut shkodran që të ndjekë artistë të njohur të humorit shqiptar, duke i dhënë ngjyra dhe energji këtij festivali që synon të ruajë dhe promovojë traditën e zhanrit të humorit.
Komente





