Çelet Muzeu "Marubi", Rama: 
 Thesar i injoruar tragjikisht 

Çelet Muzeu  Thesar i injoruar tragjikisht ">
Një thesar tragjikisht të mjeruar për vite me radhë e cilësoi kryeministri, Edi Rama, Muzeun e Marubit në Shkodër.

Në ceremoninë e çeljes së saj, kreu i qeverisë theksoi se me inaugurimin e muzeut u përmbyll një udhëtim i gjatë e i rrezikshëm që kishte lënë në harresë një arkiv të jashtëzakonshëm të kujtesës pamore.
 
“Thesari i Marubit ka qenë tragjikisht i injoruar për dhjetëra e dhjetëra vite”, u shpreh Rama.
 
Duke theksuar aspektin historik të Marubit, Rama tha se historia e fototekës nis që në vitin 1860, 160 vjet më parë, kur italiani Pietro Marubi zbriti në Shkodër.
 
Sonte, këtu përmbyllet një rrugëtim i gjatë, i rrezikshëm deri në zgrip të ekzistencës, i një thesari tragjikisht të injoruar për dhjetëra, e dhjetëra e dhjetëra vite. Një rrugëtim që nisi në brigjet e Italisë 160 vjet më parë, kur një burrë misterioz me emrin Pietro Marubi ngjiti shkallët e anijes për të kapërcyer Adriatikun dhe për të emigruar drejt brigjeve përballë, këtu në Shkodër, ku u shfaq në jetën e qytetit si zotnia i çuditshëm, me arkën e zezë me tri këmbë në shpinë. I cili me atë arkë hynte dilte nga dera e një dugaje, që mori emrin fort të çuditshëm “Dritëshkronja”.

Nuk ka asnjë të dhënë që “signor Pietro”, emigranti nga Italia, një revolucionar karbonarist, i ikur prej atyre anëve për shkak të persekutimit, të ketë hasur ndonjë vështirësi për të bërë letrat këtyre anëve tona dhe për t’u kthyer në “zoti Pjetër”, i pari i një dinastie dritëshkruesish shkodranë, të cilët mblodhën në kutinë e zezë me tri këmbë, thesarin e kujtesës pamore të kohërave shqiptare që jetuan.

Askush po ashtu nuk di ta thotë çfarë e shtyu signor Pietro-n të shndërrohej në zoti Pjetër, në një vend si ky, prej ku Italia është parë gjithnjë me adhurim dhe italianët janë mirëpritur gjithnjë si kushërinj të parë. Por çka dimë është se virtuozi Kel Marubi nuk është djali në gjak, por biri në dritë i Pjetër Marubit.

Ismail Kadareja thotë se ishte një rast shumë i rrallë, kur i zoti i një ndërmarrjeje, në vend t’i vinte ndërmarrjes emrin e vet, mori emrin e ndërmarrjes. Babai në gjak i Kelit ishte një malësor, Rrok Kodheli, i cili zbriti në Shkodër dhe çoi në dugajën e zotit Pjetër, djalin e tij Matij. Por 19 vjeç, Matija vdiq nga një sëmundje e rëndë dhe ai, Rroku, këmbënguli që ta zëvendësonte me një tjetër djalë, 15-vjeçarin Mikel.

Dhe Mikeli ishte ai që më pas u bë pas u bë Kel Marubi i famshëm, që njërin ndër 5 fëmijët e vet, Gegën, e çoi në Francë në moshën 17 vjeçare. Mendojeni pak, sesi e çoi në Francë; Falë miqësisë që kishte me Vëllezërit Lumière. Dhe e regjistroi si studentin e parë të huaj në shkollën e parë fotografike në botë, shkollën e vëllezërve Lumière në Paris.

Gega u kthye me më shumë dituri teknologjike se i ati që kishte lënë këtu dhe në fakt ishte Gega që e nxori syrin e aparatit përtej pozave apo atyre që pozonin, tek peizazhet dhe tek natyra përreth.

Në 1937-ën, Ahmet Zogu e fton Gegën, bashkë me një grup fotografësh, për 25-vjetorin e Pavarësisë, për kremtimet e asaj feste. Ndërkohë që Gega ishte i pari shqiptar fotograf që kishte marrë një fletë nderi në panairin e “Fiera del Levante” dhe më pas medaljen e arit në Panairin e Selanikut. Bash në atë vit, kur ai shkon në Tiranë, me ftesë të Mbretit Zog, çel dhe ekspozitën e parë personale fotografike në historinë e vendit tonë.

Në 1949-ën, studioja e famshme shtetëzohet dhe po atij viti i përket një fotografi e jashtëzakonshme e njërit prej 5 të famshmëve të Shkodrës, që ishin Gegë Marubi, Shan Pici, Dedë Jakova, Pjetër Rraboshta dhe Angjelin Nenshati dhe ky i fundit i fotografon kolegët e tij, në një foto që është ngrirja përfundimtare e Gegë Marubit, i cili mbylli aparatin dhe nuk fotografoi më.

Në 1970-ën, Gega dorëzon fondin tek partia dhe në 1984-ën vdes. Pak ditë përpara se të vdiste, i beson një mikeje, një pjesë deri atëherë të fshehtë dhe të panjohur nga askush të koleksionit, të cilën ia kishte mbajtur të fshehtë edhe vetë partisë, nudot. Nudot e bëra këtu në Shkodër midis viteve 1927 dhe 1940.

Kjo është shkurtimisht historia. Ndërkohë që ajo që vlen përtej kronologjisë është përgjigja e pyetjes, pse Pietro Marubi erdhi në Shkodër dhe pse saga e Marubëve nuk mund të kishte asnjë skenë dhe asnjë sfond tjetër, përveçse Shkodrës në këtë anë të Adriatikut",
u shpreh kreu i qeverisë.

Në Muzeun e Marubit ka aktualisht më shumë se 100 mijë fotografi të dixhitalizuara. 

Aty ndodhet një inventar i plotë në një hambar prej gati 500 mijë negativësh, pa folur për objekte, dokumente, regjistra, telegrame, aparate fotografikë, dëshmi fantastike të historisë së fotografisë në vendin tonë.

Kryeministri Rama theksoi gjithashtu se godina e fototekës Marubi ishte në gjendje të mjerueshme deri në ndërhyrjen e qeverisë. 

"E nisëm me muzeun virtual, para se të vinim tek ky muze real. Me muzeun në rrjet, si një hapësirë pa kufi për t’i krijuar mundësi të gjithë bashkëkombësve të hedhin sytë në këtë mrekulli të panjohur.

Ndërsa këtë godinë e gjetëm bina bosh, të djegur, me një dry të madh e të ndryshkur në derë dhe me një oborr pas që ishe i mbushur me ferra. Ndërkohë një pjesë e oborrit, siç ndodh rëndom, ishte “tokë e zanun” mu në mes të Shkodrës dhe nën hundën e të gjithëve, në një godinë të blerë nga shteti.

Dhamë fjalën që do të riktheheshim, kur të kishim ndërtuar një shtëpi të denjë për thesarin që vazhdonte të përpëlitej dhe që në fakt, sot është i shpëtuar falë një grushti njerëzish. Një grushti njerëzish, emrat e të cilëve mund të mos merren vesh kurrë, por që janë po kaq të rëndësishëm, sa të gjithë personazhet e botës së Marubëve, sepse janë nga ky qytet, gra, burra, vajza e djem, që pavarësisht se nuk kishin asnjë mbështetje dhe asnjë mundësi reale, e shpëtuan thesarin nga lagështira, pluhurat, nga asgjësimi"
, u shpreh Rama.  

Nga Muzeu i Marubit, kryeministri bëri edhe një batutë në lidhje me ambasadorët Donald Lu e Romana Vlahutin. 

Përmes notave të humorit, Rama tha se në kohën e Marubit, 160 vjet më parë, ambasadorët do t'i zhvillonin këtu takimet intensive parti më parti. 

"Në kohën kur erdhi Pietro Marubi këtu, edhe ambasadorët Vlahutin dhe Donald Lu do ta kishin zhvilluar këtu aktivitetin e tyre intensiv konsullatë më konsullatë dhe parti më parti", theksoi më tej Rama. 

Fjala e plotë e Kryeministrit Rama në inaugurimin e Muzeut Marubi

celet marubi shkoder

celet marubi shkoder

celet marubi shkoder
 Foto të tjera..

Çelet Muzeu i Fotografisë "Marubi" në Shkodër, Kumbaro: Jemi krenarë
Nga sot, të gjithë ata që duan të shikojnë nga afër, arkivën e pasur të Fototekës Marubi, mund ta gjejnë atë në Muzeun e ri të Fotografisë në Shkodër.

Në ceremoninë e përurimit të Muezut të Fotografisë "Marubi" , ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro tha se ky muze, do t'i shtojë miqtë dhe turistët Shkodrës.

Kumbaro tha se muzeu i fotografisë "Marubi", është një premtim i mbajtur i kryeministrit Rama.

"Sot është dita ku ndjamë bashkë kënaqësinë e mbajtjes së premtimit nga kryeministri Edi Rama ku i treguam publikut lëngimin e fototekës "Marubi". Sot është dita të krenohemi në Shkodër dhe të dalim ballëlartë, siç do t'i dalim edhe për projektin për Teatrin "Migjeni". Vizitorët e shumë të Shkodrës, do të vijnë në Shkodër për Muzeun Kombëtar të Fotografisë Shqiptare, me artistët e Shkodrës," tha Kumbaro.

Sipas saj, muzeu në fjalë do t'i shtojë jo vetëm turistët Shkodrës, por edhe famën sepse ai do të jetë edhe muze, edhe arkiv, edhe vend edukimi për artin e fotografisë.

Ministrja e Kulturës shtoi se Muzeu "Marubi", të cilin e quajti si muzeun më të bukur të fotografisë në Ballkan nuk do të jetë një ishull, por një nga projektet e shumta për promovimin e trashëgimisë kulturore.

kumbaro

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Spahiu thirrje: Rama dhe Kurti të fillojnë bashkimin e Shqipëri-Kosovë në një shtet kombëtar

Spahiu thirrje: Rama dhe Kurti të fillojnë bashkimin e Shqipëri-Kosovë në një shtet kombëtar