Çelet në Tiranë ekspozita me foto
në 25-vjetorin e revolucionit çek

Çelet në Tiranë ekspozita me foto<br />në 25-vjetorin e revolucionit çek
TIRANE- Me rastin e 25-vjetorit të revolucionit të Kadifenjtë në Çeki është çelur një ekspozitë me foto të kësaj periudhe në ambientet e Muzeut Kombëtar në Tiranë. Në fjalën e saj përshëndetëse ambasadorja çeke në Tiranë, Bronislava Tomasova theksoi se Shqipërinë dhe Çekinë nuk i bashkon vetëm historia, por edhe e tashmja dhe e ardhmja.
 
“Pikërisht një çerek shekulli më parë shtetasit e Çekosllovakisë fituan liritë dhe të drejtat e tyre, pas më shumë se 40 vjet diktaturë totalitare. Kemi hapur këtë ekspozitë me fotot e fotografëve çekë që tregojnë momente jete nga diktatura dhe të rrëzimit të saj, dhe besoj se Shqipëria dhe Çekosllovakia nuk ndajnë bashkë vetëm historinë, por ndajnë edhe të tashmen dhe të ardhmen”, tha ambasadorja çeke në Tiranë, Bronislava Tomasova.
 
Në këtë ekspozitë ishin të ftuar edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, si dhe homologu i tij çek Jan Hamecek, por edhe trupi diplomatik në Tiranë dhe shumë artdashës.
 
Pas ceremonisë hapëse të aktivitetit, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë ka vizituar ekspozitën me foto nga ngjarja historike e vitit 1989 ish-Çekosllovaki.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla: Frymëzim dhe për shqiptarët
 
Gjatë çeljes së ekspozitës “Nga Pranvera e Pragës deri në Revolucionin e Kadifenjtë”, në kuadër të 25-vjetorit të Revolucionit të Kadifenjtë në Çekosllovaki, e pranishme ishte dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.

Sipas Ministres Nikolla kjo ekspozitë  dëshmon më së miri, përpjekjet dhe aspiratat për liri të një populli, në vitet 1968-’69, të cilat  u mbytën nga ndërhyrja e dhunshme e trupave ushtarake të paktit të Varshavës. Gjithashtu, sipas Ministres, fotografitë e ekspozuara janë ilustrimi i popullit sovran për liri dhe demokraci.

“Vetëflijimi i studentëve Jan Palak dhe Jan Zajic në emër të demokracisë dhe lirisë frymëzuan dhe mbajtën gjallë përgjatë 20 viteve mendimin për liri. Mendim që u konkretizua me  ngjarjet e vitit ‘89, i njohur ndryshe si Revolucioni i Kadifenjtë. Nëpërmjet këtyre fotografive historike, të cilat ilustrojnë më së miri dëshirën e sovranit për liri dhe demokraci, ne përkujtojmë me nderim ato të rinj dhe të reja simbol të kësaj periudhe historike” tha gjatë fjalës së saj Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla.

Gjithashtu, sipas Nikollës, periudha e tranzicionit dhe modeli çek ka qenë një frymëzim për revolucione të ngjashme për përmbysjen e regjimeve totalitare dhe diktatoriale në të gjitha vendet e Europës Lindore dhe më gjerë. Ndërsa shtoi dhe se vuajtjet e popullit çek njihen nga populli shqiptar, pasi dhe vendi ynë ka kaluar përmes një periudhe të errët të regjimit totalitar diktatorial.

“Ajo periudhë i ka shërbyer historisë si një shembull i mirë referimi për kalimin e pushteteve nga totalitarizmi në demokraci. Jehona e saj, padyshim, ndikoi edhe në lëvizjen studentore të dhjetorit”- deklaroi Nikolla.


Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje