SHKODER- Në odeonin e hapur të famullisë “Zoja e Shkodrës” u zhvillua ceremonia e çeljes së edicionit të dytë të Panairit “Libri të ban të lirë”. Ky aktivitet kulturor ka mbledhur në Shkodër autorë, studiues, botues dhe lexues.
Me tone të ashpra kritike, Stefan Çapaliku ngriti shqetësimin për mungesën e librarive dhe hapësirave publike për nxitjen e leximit në Shkodër.
“Qyteti ku ka lindur libri, ku kanë lindur bibliotekat e para, ku kemi pasur libraritë e para ne vend, është në krizë. Shkodranët nuk kanë librari! Shkodranët nuk kanë një vend ku të hyjnë dhe të mund të shohin prodhimin libror shqiptar. Të mendosh se ky qytet ka pas në fillim të shekullit, pra 100 vjet përpara ka pasur librari. Problemi është ç’ka i mungon autoriteteve lokale për me marrë me qira një hapësinë të madhe dhe me e kthye në librari publike?!”, u shpreh shkrimtari dhe studiuesi i njohur, Çapaliku.
Panairi synon të forcojë lidhjen e qytetit me librin dhe kulturën, duke krijuar hapësira takimi mes autorëve dhe publikut.
“Ashtu si vetë jeta, edhe qyteti jonë ka nevojë për përmbajtje më shumë se për fasada. Qoftë ky panair një mundësi e përbashkimit, zbulimit dhe drite ku çdo faqe e lexuar të jetë një hap drejt dijes”, u shpreh Dom Vlash Palaj , famullitar i Shkodrës.
Studiuesi arbëresh Matteo Mandala u ndal te marrëdhënia historike dhe kulturore mes Shkodrës dhe arbëreshëve.
“Unë jam i sigurt se ashtu si në të kaluarën libri ka qenë ura që ka lidhur arbëreshët me Shkodrën, do të vazhdojë akoma të lidhin shqiptarët me Europën”, tha Mandala.
Gjatë ditëve të panairit do të zhvillohen promovime librash me pjesëmarrjen e autorëve nga Shqipëria dhe trojet... Ndersa me 30 Maj ndahen çmimet për fituesit e këtij edicioni.
Komente









