TIRANE - Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka përgatitur analizën e tregjeve të telefonisë celulare, që propozon një rikthim të rregullimit të tarifave me pakicë, pas rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës, që mendon se operatorët ofrojnë diferencime shumë të mëdha për tarifat e thirrjeve brenda rrjetit me ato jashtë rrjetit.

Sipas projektit, thirrjet celulare dalëse duhet të kenë çmime të njëjta ose të përafërta, pavarësisht drejt cilit rrjet drejtohen. Një tjetër rregullim i rëndëisshëm është çështja e diferencës shumë të madhe mes paketave ofertë dhe çmimeve standarde. 

Sipas AKEP, Shqipëria ka tarifa standarde të telefonisë celulare nga 1.5 deri në 4 herë më të larta krahasuar me vendet e rajonit. Për këtë arsye, shumica e përdoruesve me parapagesë komunikojnë përmes paketave ofertë, ku çmimet për njësi komunikimi bien ndjeshëm, por kjo kundrejt një pagese fikse që fillon nga rreth 1 mijë lekë në muaj për çdo ofertë.

AKEP synon ta minimizojë këtë diferencim që ekziston mes paketave ofertë dhe tarifave standarde. Sipas propozimeve, operatorët detyrohen që në janar të çdo viti të paraqesin për miratim tarifa të ndryshuara standard, ku të kenë kryer të paktën një ndryshim në çmim. Paketat ofertë nuk mund të kenë një kohëzgjatje prej më shumë se dy muaj.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)