Shqetësimi për rregulloren e re të miratuar nga GJKKO e cila censuron aktivitetin e mediave, është ngritur edhe në platformën online që dokumenton sulmet ndaj medias në të gjithë Europën, Mapping Media Freedom. Kjo platformë, është e krijuar nga një koalicion i gjerë organizatash europiane që mbrojnë të drejtat e gazetarëve. Në deklaratë, ndalimi i përdorimit të celularit nga gazetarët gjatë seancave cilësohet si “veçanërisht shqetësues.”
Deklarata:
Më 17 korrik 2026, Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) publikoi vendimin nr. 49, duke përcaktuar kritere, procedura dhe kufizime të reja të rëndësishme për praninë e mediave dhe gazetarëve në këtë institucion.
Veçanërisht shqetësues është ndalimi që gazetarët të përdorin telefona celularë gjatë seancave gjyqësore, një masë që devijon nga Udhëzimet e vitit 2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor për marrëdhëniet mes gjykatave, publikut dhe medias. Sipas nenit 14, pika 7 të këtyre udhëzimeve, “seancat gjyqësore mund të regjistrohen dhe transmetohen në media”, për sa kohë që kjo nuk bie ndesh me rregullat e procesit të rregullt ligjor.
Siç ka theksuar Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), ndalimi i përdorimit të telefonave celularë në sallat e gjyqit pengon drejtpërdrejt raportimin në kohë reale dhe komunikimin e nevojshëm me redaksitë, për të garantuar mbulim të shpejtë dhe transparent të proceseve gjyqësore me interes të lartë publik, veçanërisht të atyre që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Rregullorja e brendshme u miratua gjithashtu pa konsultim paraprak me përfaqësues të medias, gazetarë dhe palë të tjera të interesuara nga fusha.
Më 11 qershor 2026, Top Channel, TV Klan, Vizion Plus, Report TV, Neës 24, A2 CNN dhe Klan Neës i dërguan një letër Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke kërkuar që kamerat të lejohen gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore. Ata shprehën shqetësimin për vështirësitë e shumta me të cilat përballen gazetarët çdo ditë gjatë seancave, ku seancat publike dhe e drejta për informim trajtohen shpesh vetëm si përjashtime nga rregulli.
Këshillit të Lartë Gjyqësor iu kërkua të japë “një interpretim më të detajuar që do t’i mundësonte medias të përmbushë misionin e saj pa pengesa dhe të kufizojë hapësirën e vendimmarrjes për refuzimin e kërkesave për ndjekjen e seancave gjyqësore, duke mundësuar raportim për publikun me saktësi maksimale, gjë që mund të garantohet vetëm përmes regjistrimeve audio dhe video”.
Gjithashtu, në raportin e tij krahasues të publikuar më 28 korrik 2026, AGSH paralajmëroi për nevojën që Shqipëria të zbatojë në mënyrë të qëndrueshme rregullat ekzistuese dhe të nxjerrë vendime të arsyetuara për çdo kërkesë individuale, në vend që të krijojë kufizime të reja. AGSH rekomandoi gjithashtu përdorimin e regjistrimeve të pjesshme në vend të ndalimeve të plota, në përputhje me udhëzimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në një deklaratë të publikuar më 4 gusht 2026, AGSH i bëri thirrje GJKKO që të shtyjë menjëherë hyrjen në fuqi të rregullores së brendshme, të parashikuar për 1 shtator, me qëllim nisjen e një procesi të rregullt konsultimi me AGSH-në dhe palët përkatëse nga komuniteti i gazetarëve. Sipas organizatës, ky proces duhet të synojë krijimin e një kuadri që garanton të drejtën për informim dhe zhvillimin e seancave publike, në përputhje me Udhëzimet e vitit 2023 të Këshillit të Lartë Gjyqësor për marrëdhëniet mes gjykatave, publikut dhe medias, si dhe me standardet evropiane.
Lajmi kryesor:
GJKKO censurë mediave, shoqatat e gazetarëve brenda dhe jashtë vendit në unison kundër rregullores së re: Shihemi si kërcënim, nëse s’tërhiqeni ankohemi në KiE










