Gjykata Kushtetuese ka pranuar të shqyrtojë kërkesën e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë e cila kundërshton rregulloren censuruese të Gjykatës së Posaçme. Me shumicë votash anëtarët e Kushtetueses kanë vendosur ta kalojnë në seancë gjyqësore.
AGSH kundërshton një rregullore të brendshme të GJKKO-së për sigurinë dhe rendin, e cila vendos kufizime të përgjithshme ndaj gazetarëve, publikut, dhe personave të tjerë që nuk janë në varësi administrative të gjykatës.
Akti përcakton kushtet e hyrjes, pajisjet që mund të përdoren, procedurat e akreditimit, afatet për paraqitjen e kërkesave, mënyrën e fotografimit dhe filmimit, transmetimin e seancave dhe përdorimin e mëvonshëm të materialeve nga redaksitë.
Një nga argumentet kryesore të AGSH-së është se Këshilli i Gjykatës së Posaçme nuk ka kompetencë të krijojë, përmes një rregulloreje administrative, kufizime thelbësore të lirisë së shprehjes, lirisë së medias dhe publicitetit të procesit gjyqësor.
Kushtetuta parashikon se të drejtat dhe liritë themelore mund të kufizohen vetëm me ligj, për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.











Komente
Komento