Në Shqipëri sot u raportua për një valë mbylljesh të llogarive në Instagram, ku pretendohej se janë mbyllur 200 profile të disa personave që kanë mbështetur dhe promovuar protestat kundër qeverisë ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama
Në rrjete sociale u fol për censurë nga qeveria, pretendime që gjetën mbështetjen edhe të demokratëve europianë në rrjetet e tyre sociale por kryeministri Rama i cilësoi ato‘marrëzira’.
Sipas tij , qeveria nuk ka asnjë lidhje me çaktivizimin e profileve në Instagram dhe nuk disponon as kapacitetin teknik për të ndërhyrë në platforma të tilla.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë tha se e gjithë situata mund të jetë nxitur nga "burime dashakeqe", me synimin për t'i dhënë sërish jehonë protestave kundër qeverisë, të cilat ai i konsideroi tashmë të shfryra.
“Si mund ta quajnë veten demokratë këta agjitatorë, ndërkohë që publikojnë një insinuatë vizuale kaq të turpshme? Kam jetuar me lojërat e fajësimit dhe të turpërimit nga kundërshtarët e mi për aq kohë sa jam në politikë. Por kur kjo formë e ulët propagande vjen nga njerëz që hiqen si demokratë europianë, është vërtet për të ardhur keq. Po sikur e gjithë kjo farsë të vijë nga të njëjtat burime dashakeqe që ushqyen të ashtuquajturin “Revolucioni Flamingo”, shumë prej të cilave ushqyen gjithashtu kaosin në Ceuta? Pse? E thjeshtë: për t’i dhënë sërish jetë një “revolucioni” që tashmë është shfryrë. A nuk ka kuptim kjo? Sigurisht që po. Por, me sa duket, jo për këta demokratë vetëm në emër. Prandaj, më lejoni të jem i qartë: ne nuk kemi të bëjmë aspak me çaktivizimin apo kufizimin e ndonjë llogarie në rrjetet sociale dhe as nuk zotërojmë kapacitetin teknik për të kryer një operacion të këtij lloji. Turp për gjithë këtë tufë dështakësh që përhapin marrëzira të tilla” shkroi Rama në rrjete sociale.
"Kujtdo që flet shqip dhe shpërndan nëpër kanalet sociale dozën e helmit të radhës, kësaj radhe për këtë censurën e sofistikuar të profileve, i them se në qoftë e vërtetë kjo punë, jo vetëm regjimi im diktatorial që nuk ka ndaluar asnjë lloj proteste dhe ka përballuar me buzëqeshje tërë lumenjtë e sharjeve me libër shtëpie poshtë dritares, s’ka asnjë lidhje në këtë mes, por për më tepër, as ky shtet dhe as shumica dërmuese e shteteve të këtij planeti, nuk kanë asnjë kapacitet që ta bëjnë një gjë të tillë" shtoi ai më tej






Komente
Komento