Rreth 12 mijë efektivë të Policisë së Shtetit pritet të kenë rritje të pagës. Sipas ministrit të Brendshëm, Ervin Demo, i cili përshëndeti fillimin e studimeve bachelor të Sigurisë dhe Hetimit në Akademinë e Sigurisë, rritja pritet të jetë e konsiderueshme. Megjithatë, Demo nuk dha detaje kur pritet të hyjë në fuqi.
"Unë besoj që ne shumë shpejt, duke filluar që me politikën e pagave, dhe po e them dhe këtu sot zyrtarisht, që ne jemi në rrugë të mbarë për sa i përket rritjes së pagave për të gjithë personelin e Policisë së Shtetit. Do të jetë një rritje e konsiderueshme. Prandaj ditën që ju do të dilni në detyrë do të jeni trajtuar më mirë se paraardhësit tuaj", tha Demo.
Në fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, nis brezi i tretë i studentëve. Mesazhi i ministrit për ta ishte i qartë.
"Uniforma e shtetit është përgjegjësi, nuk është privilegj. Autoriteti që jep ligji duhet ushtruar me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe integritet. Kombinimi i faktorit të ardhmes që jeni ju me eksperiencën që ne kemi në Policinë e Shtetit do të jetë formula për të garantuar një Polici Shteti, e cila do të plotësojë të gjitha standardet që ne do të donim për të ardhmen e vendit", shtoi ai.
Studentët e Akademisë së Sigurisë u përballën me situata të vështira helmimi pak kohë më parë. Kryepolici Skënder Hita, duke e nënkuptuar situatën e vështirë, siguroi studentët e rinj që problematikat janë eliminuar.
"Jam angazhuar maksimalisht, së bashku me Rektorin dhe Bordin e Akademisë, për të eliminuar çdo problematikë që kemi hasur gjatë këtij viti dhe do të jem pranë jush, ashtu siç do të jem pranë çdo punonjësi të Policisë së Shtetit që, me ndershmëri, përkushtim dhe sakrificë, përmbush këtë mision të shenjtë", tha Hita.
Studentët që mbarojnë fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit pas 3 vitesh, marrin direkt gradën “Nënkomisar” dhe punësohen si hetues ose oficer për sigurinë publike.
Në ceremoninë e fillimit të vitit akademik ishte i pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili u shpreh se përfshirja e të rinjve në Policinë e Shtetit është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e institucionit.
Sipas tij, interesi i maturantëve për këto studime ka qenë i lartë gjatë tre viteve të fundit, që prej hapjes së Akademisë së Sigurisë për të rinjtë që dëshirojnë të ndjekin këtë karrierë.
Duke iu drejtuar studentëve të rinj, Hita theksoi se studimet nuk duhet të shihen vetëm si një profesion, por si përgatitje për një mision në shërbim të qytetarëve dhe vendit.
“Policisë së Shtetit i duhet brezi i ri, energjia, mentaliteti dhe fytyra e re, komponentë që ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e qytetarëve te Policia. Në tri vitet e fundit, që kur kemi hapur dyert e Akademisë për maturantët, interesi ka qenë shumë i lartë. Mijëra të rinj e të reja kanë zgjedhur Fakultetin “Siguria dhe Hetimi” për të ndjekur studimet Bachelor dhe sot, pas një procesi konkurrues dhe transparent, janë 390 maturantë që ndjekin këto studime. Sot, Akademia e Sigurisë është zhvilluar në çdo drejtim. Ajo është e binjakëzuar dhe anëtare e bordeve të akademive prestigjioze në rajon, Evropë dhe SHBA. Ka në dispozicion literaturë të akademisë italiane, si dhe ambiente e laboratorë të përshtatshëm për të përmbushur sa më mirë procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Në këto ambiente jam shkolluar edhe unë, e bashkë me mua breza të tërë të Policisë së Shtetit. Por, ndryshe nga sot, ne ishim shumë më pak të privilegjuar në të gjitha aspektet, pasi edhe Policia ishte ende e brishtë. Ndërsa sot, Policia e Shtetit është rritur profesionalisht dhe është e barabartë me partnerët, e besueshme dhe pjesë e hetimeve dhe operacioneve ndërkombëtare.
Për ju nis një rrugëtim i ri, si në aspektin e dijes, ashtu edhe të misionit që keni marrë përsipër. Sepse Policia e Shtetit nuk është thjesht profesion, por është mision. Dhe për të përmbushur këtë mision duhen këmbëngulje, vullnet, dije, përgatitje fizike, disiplinë, respekt për njëri-tjetrin dhe për pedagogët. Pas tri vitesh do të jeni oficerë të Policisë së Shtetit, një titull që ju jep privilegjin, por mbi të gjitha përgjegjësinë, për t’iu shërbyer qytetarëve, sigurisë dhe vendit.
Ndaj mësoni sa më shumë, sepse dija, e gërshetuar me stërvitjen dhe disiplinën, do të jenë faktorët kryesorë në formësimin tuaj profesional dhe njerëzor gjatë këtyre viteve. Që ditën e parë të punës sime si Drejtor i Përgjithshëm, Akademia ka qenë dhe do të jetë në vëmendjen time të veçantë, sepse ajo është motori kryesor i rigjenerimit të Policisë, i shkollimit, trajnimit dhe përgatitjes së brezave të rinj të Policisë së Shtetit.
Jam angazhuar maksimalisht, së bashku me Rektorin dhe Bordin e Akademisë, për të eliminuar çdo problematikë që kemi hasur gjatë këtij viti dhe do të jem pranë jush, ashtu siç do të jem pranë çdo punonjësi të Policisë së Shtetit që, me ndershmëri, përkushtim dhe sakrificë, përmbush këtë mision të shenjtë. Mos nguroni të më shkruani për çdo shqetësim apo ide për përmirësim. Duke folur, komunikuar dhe duke dhënë kontributin tuaj në zgjidhjen e problematikave kudo që ato shfaqen. Dhe mos harroni përgjegjësinë që keni marrë mbi vete dhe përkushtimin që duhet të keni për të dalë sa më të aftë nga ky fakultet, për t’i shërbyer qytetarit, ligjit dhe atdheut", tha Hita.











Komente
Komento