Justina Shiroka Pula ka marrë sot zyrtarisht detyrën si presidente e Kosovës, disa orë pasi u zgjodh në këtë post me 81 vota në Kuvend.

Zgjedhja e Shirokës në postin e Kreut të Shtetit i dha fund krizës politike 2-vjeçare në Kosovë dhe shmangu shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Në një ceremoni zyrtare në Presidencën e Kosovës, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, i dorëzoi detyrën Justina Pulës.

Haxhiu e uroi Pulën për detyrën e re, ndërsa Shiroka-Pula u zotua se do të punojë për qytetarët dhe për Republikën e Kosovës.

Para se të hynin në Presidencë, Shiroka-Pula u prit me ceremoni zyrtare në prani të qeveritarëve, ish-presidentëve, si dhe trupit diplomatik në vend.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:10
'Shkrihet akulli' mes Kurtit dhe Osmanit? Ish-aleatët bisedojnë të relaksuar në ceremoninë për Presidenten e re të Kosovës (VIDEO)

 

Pesë vjet më parë hynë bashkë në zgjedhje dhe u bënë dy figurat qendrore të pushtetit në Kosovë. Sot, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë në një tjetër moment të historisë së tyre politike. Të dy janë filmuar duke biseduar në ambientet ku po zhvillohej ceremonia e inaugurimit të presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula.

Një bisedë mes dy ish-aleatëve do të ishte një episod krejt i zakonshëm, po të mos vinte pas një marrëdhënieje që gjatë pesë viteve kaloi nga bashkëpunimi i ngushtë politik në distancim dhe më pas në përplasje të hapura. Kurti dhe Osmani fituan së bashku në vitin 2021, por në fund të mandatit të saj presidencial gjendeshin shumë larg raportit me të cilin e kishin nisur.

Osmani, e larguar nga LDK-ja dhe me iniciativën "Guxo", hyri në zgjedhjet e shkurtit 2021 në listën e përbashkët me Vetëvendosjen. Fitorja i çoi të dy në krye të institucioneve: Kurtin në Qeveri dhe Osmanin në Presidencë. Me kalimin e viteve, megjithatë, dallimet nisën të shfaqeshin sidomos për veriun dhe raportet me aleatët. Osmani kërkonte koordinim më të ngushtë me SHBA-në dhe NATO-n, ndërsa përplasje publike pati edhe për çështje si hapja e urës së Ibrit.

Distanca u thellua në vitin 2026. Osmani kërkoi një mandat të dytë, por këtë herë nuk mori mbështetjen e Vetëvendosjes. Më pas, mosmarrëveshjet kaluan edhe në terren institucional, me përplasjen për shpërndarjen e Kuvendit dhe interpretimin e Kushtetutës.

Sot, ndërsa të dy bisedonin në mënyrë të relaksuar dhe me nga një gotë në dorë, Kurti dhe Osmani lanë për disa minuta mënjanë përplasjet që kanë shoqëruar raportin e tyre gjatë këtyre viteve. Megjithatë metet për t'u parë nëse biseda në ceremoninë e inaugurimit të Shiroka-Pulës ishte thjesht kortezi mes dy ish-aleatëve apo sinjal i një raporti më të qetë mes tyre.