Në Gjykatën e Lartë po mbahet ceremonia e hapjes së vitit të ri gjyqësor. Kryetari, Sokol Sadushi mbajti fjalën hapëse ku tha se drejtësia duhet të jetë “e pavarur në vendimmarrje, e përgjegjshme në standarde dhe e denjë në raport me qytetarin.”
"Në këtë frymë, i drejtohemi njëkohësisht qytetarëve, profesionistëve të ligjit dhe institucioneve të Republikës, jo për të komentuar çështje konkrete, por për të riafirmuar parimet që duhet të udhëheqin drejtësinë. Që në fillim duhet ta themi qartë. Ky është një angazhim publik, i thjeshtë në formulim, por thelbësor në përmbajtje. Drejtësia duhet të jetë e pavarur në vendimmarrje, e përgjegjshme në standarde dhe e denjë në raport me qytetarin", tha Sadushi.
Ai shtoi se pavarësia e drejtësisë është “garancia që qytetari të ketë një gjykim të paanshëm dhe të drejtë.” Sadushi theksoi përgjegjësinë si shtyllën tjetër të drejtësisë, teksa kërkoi mbështetje nga pushteti legjislativ e ekzekutiv. Për këtë, kërkoi investime në aspekte të ndryshme që shërbejnë për forcimin e sistemit të drejtësisë.
"Drejtësia është një përpjekje njerëzore e vazhdueshme për disiplinë, profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe qëndrueshmëri. Kur flasim për pavarësinë, duhet ta kuptojmë drejt se ajo nuk është privilegj, por garancia që qytetari të ketë një gjykim të paanshëm dhe të drejtë, i mbrojtur nga presionet dhe ndikimet. Pavarësia kërkon integritet, kurajo, profesionalizëm dhe etikë, që e bëjnë gjyqtarin të lirë në vendimmarrje dhe të fortë në arsyetim. Megjithatë, pavarësia kërkon edhe kapacitet institucional. Drejtësia duhet të jetë e arritshme për qytetarin, brenda një kohe të arsyeshme dhe me dinjitet. Kur sistemi mbingarkohet dhe qytetari nuk arrin dot në kohë te drejtësia, pavarësia zbehet në efektin e saj më thelbësor, mbrojtjen reale të të drejtave. Prandaj drejtësia matet jo vetëm me cilësinë e vendimit përfundimtar, por edhe me rrugën për ta arritur atë. Drejtësia e pavarur nuk vendos për të kënaqur askënd. Ajo vendos për të respektuar ligjin dhe për t’u dhënë kuptim të drejtave. Nëse pavarësia është kushti që drejtësia të jetë e paanshme, përgjegjësia është kushti që ajo të jetë e besueshme. Pavarësia pa përgjegjësi rrezikon të perceptohet nga qytetari si distancë nga nevojat e tij ose si mungesë llogaridhënieje. Përgjegjësia nuk është ndërhyrje në vendimmarrje", tha Sadushi.
Sadushi renditi tri objektiva kryesore: qartësia dhe cilësia e arsyetimit, koha e arsyeshme dhe koherenca e parashikueshmëria. Këto i cilësoi angazhime kyçe në këtë vit të ri, ku theksoi vonesën e çështjeve të mbetura stok.
Së pari, qartësia dhe cilësia e arsyetimit: kur arsyetimi është i qartë, qytetari e kupton drejtësinë edhe kur nuk është dakord me të. Kur është i paqartë, atëherë humbet jo vetëm çështja, por edhe besimi. Prandaj, standardi ynë nuk duhet të jetë vetëm “të vendosim”, por “të shpjegojmë pse vendosim në atë mënyrë”.
Së dyti, koha e arsyeshme: drejtësia që vonon rrezikon të kthehet në padrejtësi. Sistemi gjyqësor përballet me një ngarkesë të lartë dhe me një stok çështjesh të prapambetura. Kjo sjell vonesa, që nuk janë vetëm çështje statistike. Janë qytetarë që presin, çështje që zvarriten dhe marrëdhënie juridike që mbeten pezull. Prandaj kërkohet menaxhim, disiplinë dhe përparësi të qarta.
Së treti, koherenca dhe parashikueshmëria. Një nga pritshmëritë më të forta të qytetarëve dhe të komunitetit juridik është që ligji të jetë i parashikueshëm. Ligji nuk kufizohet vetëm në normat e së drejtës. Ai merr kuptim edhe nëpërmjet interpretimit gjyqësor. Kur për raste të ngjashme jepen zgjidhje të ndryshme, krijohet pasiguri dhe cenohet besimi. Prandaj publikimi sistematik i praktikës gjyqësore, databazat e përdorshme dhe roli njësues i Gjykatës së Lartë nuk janë thjesht çështje profesionale. Ato janë çështje të sigurisë juridike dhe të besimit në drejtësi.
Mbështetja ndaj gjyqësorit është detyrim kushtetues, jo zgjedhje, as trajtim i privilegjuar. Për ta bërë këtë mbështetje reale, nevojiten financim i mjaftueshëm, politika të qëndrueshme për burimet njerëzore, programe infrastrukture dhe investime serioze në digjitalizim e siguri. Një shtet që kërkon drejtësi të fortë duhet të investojë në institucione të forta; përndryshe pavarësia mbetet vetëm një normë e shkruar, pa u bërë një garanci reale. Në të njëjtën kohë, drejtësia ka nevojë edhe për mbështetjen tuaj qytetare: respekt për institucionet, refuzim të çdo forme intimidimi apo ndikimi të paligjshëm dhe besim te procedura ligjore, jo te presioni, ndërhyrjet apo rrugët anësore. Drejtësia funksionon kur ligji respektohet nga të gjithë", tha Sadushi.
Edhe ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari tha se nevojitet llogaridhënie dhe jo pavarësi pa përgjegjshmëri. Lamallari shprehu sërish edhe shqetësimin për numrin e lartë të të paraburgosurve, mungesën e gjyqtarëve dhe stokun e dosjeve.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, teksa foli për sistemin e Drejtësisë, është shprehur se një shqetësim shumë i madh është numri i lartë i të paraburgosurve.
Lamallari tha se në Shqipëri mbi 50 % e personave në Institucionet e Vuajtjes së Dënimit janë aty pa një vendim të formës së prerë, gjë që sipas ministrit nuk ndodh në BE.
Lamallari ngriti edhe shqetësimin e mungesës së gjyqtarëve dhe ndihmësave ligjorë nëpër gjykata, që sipas tij ndikon drejtpërdrejt në rritjen e stokut të dosjeve.
“Le t’i themi gjërat siç janë, përtej vështirësive për plotësimin e vakancave, për të cilat janë ndërmarrë edhe veprime ligjore, nuk ka arsye bindëse që të justifikojë një numër kaq të ulët procedimesh disiplinore dhe mungesën e procedimeve proaktive. ILD ka një rol të pazëvëndësueshëm në garantimin e disiplinës dhe standardeve profesionale. Dhe pavarësia nuk mund të kuptohet e shkëputur nga llogaridhënia.
Lidhur me stokun e dosjeve, Gjykata e Lartë ka dhënë një shembull pozitiv. Gjatë vitit 2025 totali i vendimeve gjyqësore të dhëna prej saj ka shënuar 6876 vendime. Kjo do të thotë se veprimtaria e Gjykatës së Lartë vitin e shkuar u karakterizua nga një përmirësim progresiv i situatës, lidhur me numrin e lartë të çështjeve gjyqësore të prapambetura. Por drejtësia nuk matet vetëm në majën e drejtësisë, por matet aty ku qytetari ka kontakt të drejtpërdrejtë me sistemin, në Shkallë të Parë dhe Apel, me kohën e gjykimit dhe zbardhjen në kohë të vendimeve. Mos-zbardhja edhe pas një vitit e vendimeve është e papranueshme.
Në shumë segmente, veçanërisht në Gjykatat e Apelit, normat e përfundimit të çështjeve janë minimale dhe numri i çështjeve të prapambetura është alarmant. Vetëm 1/10 e çështjeve përfundon brenda një viti. Stoku total po shënon shifrën në 19 mijë çështje për secilin nga Apelet.
Një tjetër realitet që nuk mund të anashkalohet është mungesa e burimeve njerëzore. Sistemi i Drejtësisë vijon të funksionojë me vakanca të konsiderueshme të gjyqtarëve dhe ndihmës-gjyqtarëve. Nuk mund të kërkojmë efektivitet dhe cilësi kur sistemi operon me kapacitete të kufizuara. Duhet një planifikim i mirë dhe i shpejtë i organikës dhe ndihmësave ligjorë. Miratimi nga viti në vit i një numri më të ulët kuotash për ndihmësat ligjorë, shkon në sensin e kundërt dhe çon në rritjen e stokut të dosjeve.
Për fat të keq, Shqipëria vijon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë. Mbi gjysma e personave që ndodhen në institucionet e vuajtjes së dënimit janë ende pa një vendim të formës së prerë. Ky realitet tregon mungesën e alternativave efektive. Hezitim në vendimmarrje dhe një kulturë gjyqësore zgjedh rrugën më të lehtë dhe jo më të drejtë. Paraburgimi grryen besimin e qytetarëve te Drejtësia.
62 të të dënuarve në Shqipëri u caktohet një masë nga 5 deri në 20 vite burgim. Ndërsa në BE ka një marzh burimi nga 1 deri në 10 vite burgim. Duhet të afrojmë politikën penale me Bashkimin Europian”, tha mes të tjerash Lamallari.
Kreu i KLGJ, Ilir Rusi deklaroi se sistemi gjyqësor ka kaluar transformime të thella.
Në fjalën e tij, Rusi u shpreh se janë bërë hapa të rëndësishme, duke shtuar kapacitetin e burimeve njerëzore, modernizuar proceduar dhe digjitalizuar shërbimet.
“Ne forcojmë angazhimin tonë të përbashkët për t’iu shërbyer qytetarëve. Kjo ditë na jep mundësi të reflektojmë. Vitet e fundit, sistemi gjyqësor ka kaluar transformime të thella. Sistemi gjyqësor ka bërë hapa të rëndësishme, në kapacitetin e burimeve njerëzore, modernizimin e procedurave dhe digjitalizimit të shërbimeve. Një komponent është bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtare. Bashkëpunimi me SHBA, BE na ka shërbyer.", theksoi ai.
Në fjalën e tij në Gjykatën e Lartë për çeljen e vitit të ri gjyqësor, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj u ndal te 10-vjetori i reformës në drejtësi. Ai vlerësoi arritjet e reformës duke u shprehur se i ka bërë qytetarët të besojnë se epoka e pandëshkueshmërisë ka marrë fund.
Njëkohësisht, theksoi se pavarësia e gjyqësorit, si bosh i reformës, shkon përkrah me përgjegjësinë dhe integritetin. Në fund të fjalës së tij, Begaj theksoi mbështetjen e fortë ndaj sistemit gjyqësor.
Hapi i radhës në këtë vit të ri gjyqësor duhet të jetë kalimi nga reforma në drejtësi në drejtësi funksionale, tha Begaj. Ai u ndal edhe te vonesat e sistemit gjyqësor, temë që u prek edhe nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në fjalimin e tij, i cili e veçoi si angazhim. Ndërsa presidenti tha se zvarritja e dosjeve impakton në formë negative.
Ky vit gjyqësor përkon me një moment domethënës: 10-vjetorin e nisjes së reformës në drejtësi, reformës më të thellë dhe më transformuese në historinë institucionale të Republikës së Shqipërisë. E ndërtuar mbi një konsensus të gjerë politik dhe me mbështetjen e pakushtëzuar dhe të fortë të partnerëve tanë strategjikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, reforma ishte përgjigja e domosdoshme ndaj një krize të thellë besimi në sistemin e drejtësisë. Reforma në drejtësi gëzoi mbështetje të madhe publike dhe krijoi pritshmëri të larta për një drejtësi të pavarur, funksionale dhe me integritet. Dhjetë vjet më pas, rezultatet janë të dukshme. Shumica e qytetarëve besojnë se epoka e pandëshkueshmërisë ka filluar të marrë fund. Raportet ndërkombëtare, mediat dhe publiku, me të drejtë, i kushtojnë vëmendje aktivitetit dhe sukseseve të SPAK-ut dhe GJKKO-së, por në sistemin tonë të drejtësisë kemi edhe struktura të tjera, gjyqtarë e prokurorë, të cilët, po me kaq përkushtim, profesionalizëm, dinjitet dhe përgjegjësi, kanë arritur të japin drejtësi. Sot, të gjithë aktorët politikë, publikë, institucionet, media dhe shoqëria civile i referohen gjithnjë e më shumë Kushtetutës dhe organeve të drejtësisë, duke adresuar problematikat, pretendimet apo konfliktet në rrugë ligjore. Ky është tregues i një kulture të re juridike dhe demokratike, por kjo kulturë kërkon edhe respektimin e vendimeve gjyqësore nga të gjithë. Drejtësia funksionon kur respektohet, jo vetëm kur deklarohet.
Ky vit gjyqësor duhet të shënojë kalimin nga faza e reformës në drejtësi në fazën e drejtësisë funksionale e të qëndrueshme. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë kanë rol thelbësor për të krijuar norma, praktika unifikuese dhe garantim të sigurisë juridike. Prej vitesh drejtuesit tuaj kanë kërkuar, me të drejtë, më shumë pavarësi, siguri, mbrojtje dhe respekt për magjistratët. Vrasja tragjike e gjyqtarit Astrit Kalaja në tetor të vitit të kaluar është një kambanë alarmi për të gjithë ne, institucionet dhe shoqërinë shqiptare. Siguria e jetës dhe dinjiteti juaj nuk janë privilegje, por kusht për ekzistencën e shtetit të së drejtës. Një tjetër parim i drejtësisë është: drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Zvarritjet procedurale, qartësia e vendimeve, koha e gjatë që merr shqyrtimi i dosjeve dhe zbardhja me vonesë e vendimeve perceptojnë te qytetarët impaktin negativ për sistemin e drejtësisë, për jetën, të drejtat, pronën dhe mjedisin e tyre. Forcimi i standardeve, unifikimi i praktikës gjyqësore, eficienca institucionale dhe cilësia e vendimmarrjes janë parakushte për rikthimin dhe konsolidimin e besimit publik. Si President i Republikës do të vijoj të mbështes fuqimisht forcimin e pavarësisë dhe funksionalitetit të sistemit të drejtësisë, të mbështes çdo nismë që shkon në drejtim të forcimit të institucioneve të drejtësisë dhe ruajtjes së integritetit të tyre, por gjithmonë do të mbetem një zë i qartë në mbrojtje të interesave të qytetarëve që presin drejtësi funksionale, të ndershme dhe të barabartë për të gjithë.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, është shprehur se pavarësia e sistemit të Drejtësisë nuk do të thotë që mund të përdoret për mosveprim apo për zvarritje të çështjeve.
Lamallari foli në ceremoninë hapëse të vitit të ri gjyqësor, Lamallari u shpreh se drejtësia në mënyrë që të jetë sa më efektive, duhet të japë edhe llogari, ashtu si çdo institucion tjetër i Republikës së Shqipërisë, për ruajtjen e parimit të kontrollit dhe balancës.
“Përtej solemnitetit të këtij momenti e cilësoi këtë forum tejet të rëndësishëm. Hapja e vitit të ri gjyqësor është një moment përgjegjësie. Është momenti kur drejtësia të shohë veten në pasqyrë dhe të pyesë ‘a po u shërbejmë qytetarëve në mënyrë të drejtë dhe të ndershme?’. Tema e kësaj ceremonia na fton në një reflektim të tillë që nuk i vlen askujt nëse nuk është i hapur dhe i drejtpeshuar.
Ruajtja e pavarësisë së drejtësisë është një luftë e vazhdueshme, por kjo pavarësi nuk mund të kuptohet pa llogaridhënie, pasi vetëm zbatimi me objektivitet i parimit kontroll dhe balance mund të garantojë përgjegjshmërinë, transparencën dhe efektivitetin e qëndrueshëm, të një sistemi që gjykatat nuk janë thjeshtë zbatuese të ligjit, por interpretuese të vlerave kushtetuese. Vetëm në këtë mënyrë ato ruajnë besimin e publikut. Reforma në Drejtësi ishte reforma kyçe që hapi rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Vetëm një sistem që reflekton dhe korrigjon veten mund të ruajë besimin e publikut. Pavarësia e Drejtësisë nuk mund të përdoret për mosveprim, për zvarritje apo mungesë përgjegjshmërie. Inpektoriati i Lartë i Drejtësisë është krijuar pikërisht për qëllimin për të garantuar standarde të larta profesionalimi dhe disipline në radhët e magjistratëve. Në vitet 2023-2025, numri i inspektimeve dhe hetimeve disiplinore mbeti i ulët. Konkretisht nga 1374 ankesa të regjistruara, janë marrë vetëm 23 vendime për çelje hetimi disiplinor për 25 magjistratë, ndërsa pjesa tjetër dërrmuese është arkivuar pas shqyrtimit fillestar”, tha mes të tjerash Lamallari.
Komente










Pa u zbardhur Gërdeci dhe 21 janari nuk do të ketë drejtësi në këtë vënd.
PërgjigjuPo mbushim 8 vjet e nuk kemi ende seance ne apelin administrativ. Eshte skandal. Sistemi nuk funksionon po fare. Nuk kemi gjyqtare thone. Tmerr...as ne Afrike.
Përgjigju