/ATSH/- USAID po mbështet zhvillimin e një projekti të ri, në vendet e rajonit Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi, për çertifikimin e prodhimeve bujqësore, si kërkesë kryesore e eksporteve në Bashkimit Evropian.
Përmes projektit B-REDI për Asistencë në Përputhje me Standardet e Bujqësisë dhe Çertifikimit, e implementuar nga SEGURA (i cili startoi këtë verë) do të përfitojnë 15 fermerë shqiptarë dhe agrobiznese. Prodhuesit e mëdhenj të mollëve, perimeve, serrave dhe prodhuesit e vajit të ullirit do të asistohen në implementimin dhe në marrjen e çertifikimit Global GAP.
Burime nga ky projekt bëjnë të ditur se, shumë nga produktet shqiptare nuk arrijnë të hyjnë në tregjet evropiane pikërisht për shkak të mungesës së çertifikimit. HACCP është një tjetër çertifikim që do t'iu nevojitet agropërpunuesve shqiptarë në përputhje me standartet kombëtare të sigurisë ushqimore, por edhe për t'u zgjeruar më shumë në tregjet rajonale. Marrja e çertifikimin HACCP është shumë e nevojshme për shumicën e tregëtuesve të fruta perimeve, përpunuesve dhe prodhuesve të vajit të ullirit si dhe operatorët e magazinimit të ftohtë.
Ndërkohë që ISO 22000 është një tjetër çertifikim pjesë e këtij projekti, i cili është gjithashtu një kërkesë kyçe që produktet të tregëtohen në markata dhe në zinxhirin e supermarketeve ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri, si Conad dhe Carrefour. Por edhe shitësit e markatave lokale, si Big Market me degë në të gjithë vendin e kërkojnë këtë çertifikim. Ndaj për këtë arsye prodhuesit dhe eksportuesit e frutave dhe perimeve po rrisin interesin, që produktet e tyre t'i çertifikojnë me ISO 22000.
Ky çertifikim plotëson minimumin e standardeve të kërkuara ndërkombëtare, duke përfshirë sigurinë e ushqimit dhe standardet e menaxhimit, por edhe integron aspektet themelore të gjurmueshmërinë kështu që në shumë raste është pranuar edhe nga rrjetet më të mëdha të supermarketeve në rajon. Pra, çertifikimi ISO 22000 është propozuar për të lejuar përpunuesit shqiptarë që të ofrojnë kontrata eksporti dhe shitjen e produkteve të tyre për tregtarët me shumicë dhe pakicë tek tregëtarët më të mëdhenj në Ballkan.
Kërkesat në rritje për çertifikimin
Në tregun ndërkombëtar, fermerët shqiptarë dhe prodhuesit e ushqimit do të kërkohet gjithnjë e më shumë të jenë të çertifikuar ndaj një standardi të sigurisë së ushqimit. Dhe kjo jo vetëm për shkak se ne jemi të projektuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe integrimit në tregun e tij, por edhe sepse ky treg është një mundësi shumë e madhe zhvillimi për biznesin shqiptar.