Janë 334 drejtorë të arsimit parauniversitar të cilët u çertifikuan sot. Kryetarja e Komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, u shpreh krenare për qasjen dhe fokusin që Bashkia e Tiranës ka pasur përgjatë këtij 10-vjeçari jo vetëm sa i përket investimeve publike dhe infrastrukturës në arsimin parauniversitar por edhe standardeve të edukimit dhe mirërritjes të fëmijëve, të krahasueshme me çdo qytet tjetër evropian. Ristani tha se rëndësia që Bashkia e Tiranës i ka kushtuar infrastrukturës por edhe mirërritjes së fëmijëve ka krijuar kushtet që ata të jenë qytetarë të denjë të së ardhmes, si një një aset i rëndësishëm i shoqërisë.

“Ndryshe kanë qenë shoqëri të tjera të cilat e kanë ende sfidë, ne i vëmë fëmijët të parët, i vëmë në shtëpitë tona, në kulturën tonë, në mjediset tona, në buxhetin tonë në fund të ditës dhe kjo do të reflektojë jo vetëm në investimet, ato që janë të rënda por edhe në investimet e buta, pra në infrastrukturën e butë, atë të edukimit, jo vetëm në kushtet në të cilat operojnë kopshtet apo çerdhet tona, pra i gjithë sistemi i arsimit parashkollor por edhe mënyrën se si qasemi ndaj arsimit parashkollor, mënyrën se si sillemi me fëmijët, ambientin që u krijojmë atyre. Jam po ashtu krenare edhe për faktin që kopshtet tona kanë qenë si të thuash fusha e betejës edhe sepse standardet tona të mësimdhënies dhe metodat të cilat sot fëmijët kanë në mjediset e tyre parashkollore që megjithëse jo të natyrës tejet akademike por edhe më shumë edukative janë të tilla që mund t’i krahasojmë me çdo qytet tjetër evropian e më tepër”, theksoi Ristani.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Mirela Kumbaro e konsideroi programin si një ndër revolucionet më të mëdha. Ajo e cilësoi këtë si një politikë arsimore kombëtare, të krahasueshme me standardet më të mira evropiane.

“Është një ndër gjërat më të mira, revolucionet më të mëdha që ne kemi bërë në sistemin e rekrutimit të mësuesve në shkollat tona të arsimit parauniversitar. Shkolla e drejtorëve është një vijim logjik i kësaj politikëbërje dhe për të promovuar përmes meritës dhe jo ngjyrave politike. Kjo është politikë arsimore. “Shkolla e drejtorëve” është sot një standard kombëtar, i krahasueshëm me standardet më të mira evropiane dhe veçantia e kësaj ceremonie është edhe që bashkon drejtuesit e shkollave me drejtuesit e arsimit parauniversitar. Është një program që vendos bazat për cilësi të re në edukimin e hershëm” – nënvizoi Kumbaro.