Mosmarrja e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese për çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku nuk lidhet me kompleksitetin e çështjes, por me mungesën e një shumice mes gjyqtarëve dhe jo me vështirësi juridike, tha të martën avokati Idajet Beqiri në emisionin Frontline në Report TV. Sipas tij, nga pikëpamja kushtetuese, rasti është i qartë.

“Ky vendim duhet të ishte për mendimin tim i njëjtë që në fillim, sepse është antikushtetues. Imuniteti i ministrit është i barabartë me imunitetin e deputetit. Mund të marrësh masa të tjera, por pezullim nga detyra nuk bën dot, sepse nuk ta lejon neni 103 i Kushtetutës”, tha Beqiri.

Duke shpjeguar pse vendimi po zvarritet, ai u ndal te skenarët e mundshëm të votimit në Gjykatën Kushtetuese dhe pasojat që secili prej tyre sjell për çështjen Balluku.

“Unë shoh që akoma nuk po u mbushet mendja se kush do ta përbëjë shumicën për marrjen e vendimit. Po të kishte shumicë, vendimi do të ishte shpallur, sepse zvarritjet janë të kota. Këtu ka diçka që po piqet. Në skenarin 5 me 3 quhet vendim i marrë, ndërsa në variantin 4 me 4 rrëzohet kërkesa, konsiderohet sikur nuk është paraqitur fare dhe qëndron në fuqi vendimi i GJKKO”, tha Beqiri.

I pyetur nëse po shkohet drejt një situate ku votimi mund të bllokohet në barazim, Beqiri tha se kjo është arsyeja pse po kërkohet kohë dhe pse vendimi nuk po shpallet.

“Për këtë po kërkohet koha. Vendimin ata nuk e japin menjëherë të zbardhur, por do të shpallin dispozitivin dhe më pas konkluzionet. E keqja qëndron te debatet që ata kanë dhe mesa duket nuk do të ketë një votë unanime”, u shpreh ai.

Beqiri u pyet edhe për ndikimet politike dhe rolin e aktorëve kryesorë në këtë proces.

“E njoh shumë mirë piramidën e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Ua them me bindje absolute: Edi Rama nuk ka ndikim mbi sistemin gjyqësor. E kam këtë bindje sepse e shoh marrëdhëniet që janë ndërtuar. Edhe kur PS ka qenë në opozitë, nuk ka pasur kurrfarë ndikimi. Sepse është realitet që kjo mazhorancë që është sot ka respekt për ligjin, e ka frikë atë dhe nuk ndërhyn. Kurse Sali Berisha nuk e ka për gjë të shkelë ligjin dhe e ka treguar me vepra që e shkel sa herë të dojë”, tha Beqiri.

Ai sqaroi edhe lidhjen mes vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe veprimeve të Parlamentit për kërkesën e SPAK.

“Mazhoranca do një vendim të shpejtë që të mbajë pozicionin e vet. PS nuk e bëri mbledhjen e Këshillit të Mandateve sepse duhet të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në rast se Gjykata Kushtetuese do të thotë që vendimi është antikushtetues dhe masa e sigurimit për pezullimin e Ballukut është e drejtë, atëherë do të jetë e detyruar të pranojë heqjen e imunitetit. Por, nëse Gjykata Kushtetuese thotë se vendimi për pezullimin e Ballukut nga detyra është i ligjshëm, atëherë në Parlament nuk hiqet imuniteti i Ballukut dhe nëse bëhet kjo është gabim, sepse marrja e masës së sigurimit që e pezullon nga detyra, pse do vemi tek arresti kur ka një masë sigurimi?”, u shpreh Beqiri.

Ai hodhi poshtë edhe argumentet e SPAK për intimidim dëshmitarësh apo prishje provash, duke e akuzuar për veprime selektive dhe humbje kredibiliteti.

“Pastaj, SPAK, vetëm nëse është hakmarrës selektiv do të vazhdojë më tutje. Nëse Gjykata i jep ‘ok’ masës së sigurimit të kërkuar nga SPAK për pezullimin nga detyra, çfarë mase tjetër kërkon SPAK? Çështja mbaroi. Nëse kërkon arrest, do të thotë se je tendencioz dhe hakmarrës. Intimidimi i dëshmitarëve, prishja e provave e të tjera janë përralla me mbret të SPAK. Sepse kur e merr dikë të pandehur do të thotë se e ke thesin plot me prova. Ata flasin për intimidim dëshmitarësh. Të cilëve dëshmitarë? Dëshmitari pyetet nga SPAK, i merret deklarimi me shkrim dhe firmos faqe më faqe. Nëse ky dëshmitar ndryshon, shkon në burg dhe në gjykatë merren për bazë ato që janë thënë me shkrim. Këto janë përralla me mbret të SPAK”, tha Beqiri.

Biseda u përqendrua edhe te debati për Kodin Penal dhe orientimi i drejtësisë drejt masave të rënda, si burgu dhe paraburgimi, siç ndodhi edhe në rastin Veliaj.

“Ka dy çështje me të cilat SPAK po e rëndon veten dhe po humbet kredibilitetin në shkallën më të rëndë. Ata janë të turpëruar me çështjen Veliaj, sepse kjo çështje ishte bombë që i plasi në dorë SPAK. Doli që për interesa meskine, prokurorë që donin leje ndërtimi dhe që ishin çuar në detyrë me akte të pavlefshme, morën masën më ekstreme ndaj njeriut më të votuar në Shqipëri. Të dytën e bënë me Belinda Ballukun. E morën të pandehur fiks gjashtë ditë para zgjedhjeve. Balluku ishte e deleguara kryesore e kryeqytetit. SPAK për t’i dhënë shansin opozitës dhe Berishës tha ‘ta godasim Ballukun’”, tha Beqiri.

I pyetur nëse SPAK po çon ujë në mullirin e Berishës, Beqiri u shpreh:

“Një pjesë e SPAK është bërë seksion i Berishës. SPAK mund të priste disa ditë dhe ta merrte Ballukun të pandehur pas zgjedhjeve, por nuk e bëri. Po merret me thërrime dhe jo me kriminalitetin që i ka bërë varrin Shqipërisë. Pse nuk shkon çështja Gërdeci në gjyq? U dogjën të gjallë 26 veta dhe mbi 300 të tjerë mbetën invalidë. SPAK u ngrit për Gërdecin, për 21 Janarin. Pse nuk çon Berishën në burg për këto dhe merret me ndërhyrje në tender? Këto janë thërrime. Janë pozicionim. Meqë ka vdekur opozita, SPAK po bëhet pjesë e opozitës. Kjo është turp. Kodin Penal e kemi në rregull, por prokuroria dhe gjykatat shkojnë nga masa më e rëndë tek ajo më e lehtë, sepse burgu pa afat jep lekë”, tha Beqiri.

Në emision u diskutua edhe për kërkesën e gjyqtarëve për rritje pagash

“Kjo është një çmenduri. Buxheti i shtetit është i shqiptarëve, i taksapaguesve. Kryeministri e ka për detyrë të reagojë kur sheh akte të tilla. Nuk mund të ketë gjyqtarë me paga më të larta se kreu i shtetit. Janë disproporcione që nuk i fal askush. Nuk e justifikojnë pagën me punën që bëjnë. E kanë haram pagën që marrin”, përfundoi Beqiri.