82 votat e maxhorancës në Kuvend kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, ishte kufiri që Edi Rama i vuri drejtësisë se deri ku duhet të hetojë. Ky ishte qëndrimi i kreut të grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhit pak çaste pas rrëzimit në parlament.
“Prej sot, mazhoranca e Edi Ramës është zyrtarisht kërcënim për pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe integrimit europian të Shqipërisë”, tha Bardhi.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i quajti 82 kartonët e kuq të socialistëve bomba kundër demokracisë.
“Të mbrosh korrupsionin me votë në Parlament është akti më i rëndë politik dhe moral që mund t’i bëhet një vendi.Është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës dhe ndaj parimit themelor se të gjithë janë të barabartë para ligjit”, tha Blushi.
Edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku, e quajti ditë të errët për parlamentin.
“Sot ishte një ditë e trishtë për parlamentin sepse parlamenti duhet të ishte sjellë ndryshe, i referohem mazhorancës. Duhet të kishte treguar një standard të munguar demokracie dhe evropian”, tha Tabaku.
Deputeti i Partisë “Mundësia” Erald Kapri, që po ashtu bashkoi votën pro kërkesës së SPAK me deputetët e PD-së, tha se i gjithë shteti u vu në mbështetje të imunitetit të Belinda Ballukut.
“I gjithë shteti në mbështetje të imunitetit të Ballukut. Policia në gatishmëri me mijëra forca në mbështetje të zyrtarëve të korruptuar”, tha Kapri.
Ndërsa kreu i “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj, vetë jashtë tij, tha se Parlamenti nuk ka më legjitimitet.
“A ka më moral ky Parlament të vazhdojë punën? A mund të ketë më besim se ky njeri do organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme? A mund të bashkëjetojmë më me këtë model shtypës?” tha Lapaj.
Reagim pati në rrjetet sociale edhe ish-deputeti Ervin Salianji që shkruajti se vendimi i Parlamentit është fillimi i një beteje të re të socialistëve me drejtësinë, me Ramën, në përballje të hapur kundër SPAK.

Gazment Bardhi ka reaguar sërish pas përgjigjes së Ramës kundrejt ambasadave për rrëzimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut. Përfaqësitë ndërkombëtare u shprehën se hetimi pa pengesa i korrupsionit është kyç për rrugëtimin europian të Shqipërisë.
Kreu i grupit parlamentar të PD, i cili nuk ishte i pranishëm në Kuvend pas përjashtimit të tij me 10 ditë, shkruan se parimi i barazisë para ligjit nuk vlen për Ramën. Ai shkruan në postim se vetëm kryeministri e shpall më të rrezikshme se vetë korrupsioni luftën ndaj tij, ndërsa thekson se Rama është kërcënim për drejtësinë e integrimin.
“Në Gjermani, Hollandë e kudo në Europë, ka një rregull të padiskutueshëm si për qytetarin, ashtu edhe për kancelarin/kryeministrin: Ligji është i barabartë për të gjithë. Edhe në Britani funksionon e njëjta logjikë e sundimit të ligjit. Vetëm për Edi Ramën është ndryshe. Ligji shpallet fajtor, korrupsioni mbrohet me votë dhe vendet anëtare të BE shpallen zëdhënëse të PD. Vetëm Edi Rama e shpall luftën kundër korrupsionit më të rrezikshme se vetë korrupsioni. Edi Rama sot është kërcënimi më i madh për drejtësinë dhe për integrimin. Sepse problemi i Edi Ramës nuk është se ka plan A, B apo C. Problemi është se asnjëri nga këto plane nuk është për Shqipërinë dhe të mirën e shqiptarëve”, shkruan Bardhi.

Deputeti i Partisë Mundësia Erald Kapri e ka quajtur një turp vendimin e mazhorancës socialiste këtë të enjte, që e rrëzoi në Kuvend me 82 vota kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të ish/zv.kryeministres Belinda Balluku.
Duke iu referuar numrit të lartë të efektivëve të policisë që ishin në terren përreth Parlamentit gjatë kohës që në seancën plenare u votua kundër kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Kapri shprehet: “I gjithë shteti në mbështetje të imunitetit të Ballukut. “Policia në gatishmëri me mijëra forca në mbështetje të zyrtarëve të korruptuar.”
Kapri thekson se socialistët u futën në historinë e turpit duke u bërë “barrikadë për drejtësinë” ndaj zyrtarëve të lartë.
“Si duhet të ndihet një politikan që nuk ecën dot në rrugë, sepse akuzohet se ka vjedhur paratë e qytetarëve të vet? Dhe që ka ngritur gjithë shtetin e pushtetin në këmbë për ta mbrojtur? Po ata 82 deputetë që ngritën kartonat për të mbrojtur korrupsionin dhe për t’i bërë barrikadë drejtësisë? Çfarë turpi!”, shkruan Kapri në rrjetet sociale krah videos.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi e cilëson qeverisë si një kërcënim për pavarësinë e sistemit të drejtësisë pas votimit kundër arrestimit të Belinda Ballukut. Bardhi thotë se votat e mazhorancës kanë për qëllim vetëm mbrojtjen e Edi Ramës nga drejtësia, të cilin e konsiderojnë palë me Belinda Ballukun.
“Prej sot, mazhoranca e Edi Ramës është zyrtarisht kërcënim për pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe integrimit europian të Shqipërisë.
Ata votuan sot kundër SPAK-ut për një arsye të vetme: për të mbrojtur Edi Ramën dhe për t’i vendosur drejtësisë vijën e kuqe se deri ku lejohet të hetojë.
Për 10 vjet Edi Rama u tha shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë se askush nuk është mbi ligjin, por sot provoi të kundërtën.
Prandaj, problemi i Shqipërisë nuk është mungesa e provave për korrupsionin e Belinda Ballukut. Problemi është një kryeministër që pengon drejtësinë për një hetim të shpejtë dhe të pandikuar nga pushteti.
Integrimi europian matet me mënyrën si trajtohet korrupsioni në pushtet dhe me mënyrën si veprojnë institucionet për të mbrojtur ligjin. Sot Edi Rama dha përgjigjen më të keqe të mundshme: mbrojti korrupsionin dhe shpalli fajtore drejtësinë”, tha Bardhi.

Ervin Salianji ka reaguar pas rrëzimit me 82 vota në Kuvend të kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Në një reagim në rrjetet sociale, ai thotë se vendimi i sotëm është fillimi i një beteje të re të socialistëve me drejtësinë.
Salianji thotë se Rama dhe socialistët provuan se drejtësia është e mirë vetëm kur përdoret politikisht dhe me standarde të dyfishta.
“Vendimi i sotëm në parlament rrëzoi propagandën për “shkëlqimin” e drejtësisë së re dhe i dha fund një epoke të shkurtër, por të zhurmshme, gati 10-vjeçare, ku u shit iluzioni se një drejtësi e re, e mbështetur politikisht, do t’i jepte fund pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit. Vendimi i sotëm është qartësisht fillimi i një beteje të re të socialistëve me drejtësinë, një betejë institucionale, publike dhe politike ndaj asaj që me propagandë u quajt “drejtësia e re”. Sot, Rama dhe socialistët rrëzuan mitin që kishin ngritur prej vitesh për një drejtësi të pagabueshme. Ata provuan se për ta drejtësia është e mirë vetëm kur përdoret politikisht, vetëm kur godet kundërshtarët, vetëm kur burgos ata që denoncojnë. E vërteta është e thjeshtë: Rama dhe qeveria nuk ka dashur kurrë drejtësi të pavarur dhe te barabartë për të gjithë. Ka dashur një drejtesi për ta përdorur si mekanizëm mbrojtjeje ose për ta përdorur me standarde të dyfishta, një instrument presioni dhe propagande, jo një garanci për shtetin e së drejtës. Nga sot nis epoka e re, Rama në përballje të hapur kundër SPAK dhe drejtësisë!”, shkruan Salianji.

Foto: Adriatik Lapaj
Pas përfundimit të seancës plenare në Kuvend, ku mazhoranca me 82 vota rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit Belinda Balluku, kreu i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, akuzoi mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama se e hoqi maskën dhe doli në mbrojtje të abuzimeve dhe kundër drejtësisë.
Postimi i plotë:
Maskat ranë! Edi Rama me 82 vota u rreshtua në krah të abuzimit duke i dalë kundër drejtësisë!
Besoj dhe ndërkombëtarët tashmë janë të qartë se Edi Rama në funksion të pushtetit të vetë është i gatshëm të bëjë çdo gjë!
A ka më moral ky Parlament të vazhdojë punën? A mund të ketë më besim se ky njeri do organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme? A mund të bashkëjetojmë më me këtë model shtypës?
Zgjidhja e vetme është dorëheqja pa kushte e tij!
Krijimi i një qeverie tranzitore të përbërë nga intelektualë përtej partive me mandat 12 mujor për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Reformim i Kodit Zgjedhor për demokratizimin e vendit.
Depolitizim i administratës zgjedhore.
Komente










