Sot në orën 10:00 Kuvendi do të votojë në seancën plenare 2 raportet e maxhorancës dhe opozitës mbi kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes socialiste Belinda Balluku, duke vulosur fatin e kësaj kërkese që qëndron në Kuvend prej datës 16 dhjetor të vitit të shkuar. PS dhe PD shkojnë të ndara në qëndrime. 

Socialistët, këmbëngulin se tashmë pa një funksion ekzekutiv, e shkarkuar edhe si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe nga numri 2 i qeverisë, Belinda Balluku nuk mund të prishë provat apo të arratiset, nuk mund të përsërisë veprën penale, dhe rruga e SPAK për ta hetuar për pabarazi në tenderë është e hapur, pa nevojën e masës arrest me burg. Për ta rrëzuar këtë kërkesë, Partisë Socialiste do i mjaftojnë 71 vota.

Ndërsa demokratët që dorëzuan të parët raportin e tyre insistojnë se heqja e imunitetit deputetes Balluku për t’i dhënë dritën jeshile arrestimit, është domosdoshmëri, pasi pavarësisht se është zhveshur nga postet ministrore, rrezikon të intimidojë dëshmitarët e të prishë provat.

Raporti i PS do të lexohet nga Ulsi Manja, kurse i PD nga Oerd Bylykbashi pasi Gazment Bardhi është përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit.

Nuk dihet nëse vetë Balluku do të shfrytëzojë të drejtën për të mbajtur një fjalë në Kuvend, apo nëse do të jetë e pranishme në seancë paraditen e së enjtes.

Demokratët do të rrethojnë Kuvendin në një protestë që do të nisë njëkohësisht me seancën plenare dhe do të mbyllet me përfundimin e saj, pa skenarë ngujimi, siç burime nga selia blu thonë për Report Tv. Policia e cila ka marrë përsipër edhe zhvillimin e tubimit, ka marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë dhe ka rrethuar Kuvendin me kangjella. 

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:44
Protesta e opozitës, Berisha mbërrin në selinë e PD

 

Berisha ka mbërritur në selinë e PD duke thënë “këta janë shqiptarët e vërtetë”. Ndërsa gazetarët e pyetën a është ky kilometri i fundit dhe se çfarë do të ndodhë sot, ai s’u përgjigj.

Ora 09:43
Protesta e PD, nis grumbullimi i deputetëve në seli

1773305311_partiademokratike.jpg

Deputetët e PD kanë nisur të grumbullohen në selinë blu, ndërsa pas pak minutash do të nisë protesta e opozitës për të kundërshtuar qëndrimin e PS për mosarrestimin e Belinda Ballukut.

Mes deputetëve shihen Luçiano Boçi, Belind Këlliçi, Flamur Noka, Edi Paloka, Ivi Kaso etj.

Ora 09:41
Protesta e PD, ekran e podium para Kuvendit! Bardhi e Balliu të përjashtuar nga punimet, ngarkohen me ‘mbikëqyrjen’ e protestuesve

 

Përgatitjet për protestën e opozitës para dhe brenda Kuvendit kanë nisur . Përballë gardhit të policisë po vendoset një podium i vogël dhe një ekran që demonstruesit të ndjekin zhvillimet e seancës plenare.

Deri më tani nuk ka grumbullim të protestuesve, por vetëm kalimtarë që vijojnë rutinën e tyre.

Mbetet për t’u parë skenari që opozita do të ndjekë, por në krye të demokratëve që ndodhen jashtë, do të qëndrojnë Gazment Bardhi e Klevis Balliu, të dy të përjashtuar me 10 ditë nga Kuvendi pas gjuhës së papërshtatshme në seancën e fundit. Ndërkohë i përjashtuar për 20 ditë është edhe Agron Shehaj, pasi refuzoi të linte sallën ndërsa fliste për banorët e Rrjollit.

Pritet një tentativë e demokratëve për të hyrë në Kuvend, ndërsa pritet të shihet nëse opozita do t’u qëndrojë fjalëve për një tubim paqësor dhe me gjuhë simbole apo do të zgjedhë sërish molotovët.

Ora 09:00
Protesta e PD, Garda e Republikës vendoset në tarracën e Kuvendit (VIDEO)

 

Masat për protestën e PD brenda e jashtë Kuvendit kanë bërë që gardistët të zhvendosen në tarracën e godinës.

Ora 08:39
Në 09:00 mbledhja e grupit parlamentar, socialistët nisin të paraqiten në Kuvend (VIDEO)

 

Socialistët kanë nisur të paraqiten në Kuvend që prej orës 8:14 ndërsa në orën 09:00 pritet të nisë mbledhja e grupit parlamentar. 

Ka qenë porosi e Taulant Ballës që deputetët të paraqiten më herët për të mos krijuar përplasje me protestën e opozitës. Gjithashtu ata duhet të futen nga hyrja anësore.

Ora 08:29
Protesta e PD, policia ‘blindon’ parlamentin! 1500 efektivë në gatishmëri (VIDEO)

 

Pak orë para se të nisë seanca plenare dhe protesta e opozitës, policia ka marrë masat e nevojshme.

Efektivët janë grumbulluar në hyrje të parlamentit, ndërsa kanë marrë me vete pajisjet si fikëset e zjarrit dhe mburojat. Mësohet se 1500 prej tyre janë në gatishmëri për protestën.

Sipas burimeve, protesta e PD do të zhvillohet brenda dhe jashtë dyerve të parlamentit duke kundërshtuar qëndrimin e mazhorancës për mosarrestimin e Belinda Ballukut.

Mbrëmjen e shkuar, policia e rrethoi Kuvendin me kangjella. Pas gardhit metalik, ka një kordon sigurie me policë të Rendit dhe dhjetëra forca të ndërhyrjes së shpejtë. Brenda ambienteve të Kuvendit, gjenden edhe makineritë me ujë me presion, si edhe zjarrfikëse.

Gjithashtu është bërë e ditur se se nga ora 06:00 deri në përfundim të tubimit, do të kufizohet lëvizja në rrugën “George W. Bush”. Po ashtu sipas Policisë, në varësi të zhvillimit të tubimit, edhe rrugë të tjera mund të bllokohen. Por Policia thekson se qytetarët dhe mjetet mund të qarkullojnë në rrugë alternative.