Petro Koçi është i pari socialist që artikulon kërkesën për dorëheqjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, pasi kjo e fundit u mor e pandehur nga SPAK.

Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Koçi jep mendimin e tij për çështjen Balluku, për të cilën thotë se duhej të ishte dorëhequr ose duhej shkarkuar në momentin që ndaj saj nisi hetimi si për tenderin e Tunelit të Llogarasë, edhe për Unazën e Madhe. Koçi shkruan se personaliteti i një politikani nuk varet nga të qenit patjetër ministër.

Postimi i plotë i Petro Koçit

Këndvështrimi im

1. Ishte i drejtë ankimimi në Gjykatën Kushtetuese i vendimit të GJKKO për pezullimin nga funksioni ministror i Belinda Ballukut.

2. Balluku duhej të kishte dhënë dorëheqjen ose të ishte shkarkuar sapo u shpall fillimi i ndjekjes penale për te.

3. Gjykata Kushtetuese nuk shpalli pafajësi për Ballukun. Ajo vetëm pezulloi pezullimin e saj nga funksioni ekzekutiv.

4. Gjykata Kushtetuese nuk e shpalli GJKKO fajtore. Pra nuk shpalli ndonjë palë humbëse apo ndonjë palë fituese.

5. SPAK nuk ka ndërmarrë ndonjë hap hakmarrës me kërkesën për heqje imuniteti, por një vijimësi të logjikshme. Gjykoj që me pezullimin që kishin kërkuar më parë patën përzgjedhur një masë me favorizuese për ministren Balluku.

6. Situata është e vështirë për partine tonë, por jo e rëndë. Mjafton që Kuvendi të ruajë standardin e vendosur prej kohësh me rastet e kërkesave të SPAK për heqje imuniteti.

6. Do ishte e këshillueshme dorëheqja e ministres Balluku edhe se e vonuar. Nuk varet personaliteti i një politikani nga të qenit patjetër ministër.

7. PD po bën teatër. Asaj nuk i intereson legjitimimi moral i drejtësisë së re përballë mbështetësve të vet. Ajo parti ka hallin e madh të ndjekjes penale të Kryetarit të vet Berisha. Lufta e PD ndaj SPAK mbetet sërish e egër.

8. Mbështetja e deritanishme e PS për  SPAK dhe GJKKO mbeten një histori suksesi që nuk duhet të shënojë asnjë hap prapa.

9. Në aspektin njerëzor çdo fërkim duarsh nga kolegë të PS për këtë situatë të vështirë ku ndodhet kolegia Balluku do të ishte tejet kompromentues dhe i pamoralshëm. Në fund të fundit kemi të bëjmë me një rrethanë që dëmton imazhin e Partisë tonë e jo vetëm një person. Urimi më i moralshëm do të ishte pafajësia në fund të procesit.