TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar çështjen e Fredi Belrit, i cili është në burg për shitblerje votash. Në një deklaratë për mediat, Meta tha se Beleri është një i ‘burgosur politik’ i Ramës. Sipas Metës, rasti i Belerit tregon shembjes e shtetit të së drejtës në vendin tonë. Kreu i Partisë së Lirisë thotë se arrestimi i Belerit u bë me vetëm një qëllim, që PS të ndalonte vendosjen e tij në krye të Bashkisë së Himarës.

“Nuk kam asnjë koment për protestën, sepse protestat në një vend demokratik duhet të jenë të përditshme. Kam një qëndrim shumë të qartë lidhur me rastin Beleri, i cili është një i burgosur politik, personalisht i kryeministrit aktual, provat për të cilin nuk kanë munguar. Rasti Beleri është rasti i shembjes së shtetit të së drejtës në vendin tonë. Ai është arrestuar në mënyrë flagrante sa i takon të të drejtave të njeriut dhe qëllimi ka qenë një dhe vetëm një, bllokimi i tij fizik me qëllim humbjen e bashkisë së Himarës. Edhe qëndrimi që mbahet ndaj tij është një demonstrim i mos ekzistencës së shtetit ligjor dhe juridik i vendit tonë. Kjo bëhet për ti pamundësohet betimi”, tha Meta.

Me ta u shpreh se qeveria ka si qëllim që të tjetërsojë pronat në Himarë dhe për këtë aryse u bënë pengesë që Fredi Bleri të mos betohej si kryebashkiak.

“Qëllimi ka qenë që të vazhdojë tjetërsimi i pronave në Himarë, për të cilin Beleri kishte premtuar zgjidhje. Me këtë veprim kryeministri ka treguar në mënyrën më arrogante se ka kapur shtetin, ka treguar se është armik  i zgjedhjeve të lira, por u ka bërë një shërbim nacionalisteve ekstremistëve grek për ti dhënë ngjyrat që ata dëshirojnë një skandali të tillë sa i takon çështjes në fjalë nga aspekti juridik. Dëshmitarët kanë qenë të fabrikuar nga policia dhe bashkëpunimi polici prokurori ka sjellë këtë situatë paradoksale”, tha Meta.

Të njëjtën linjë mbajti edhe deputeti i Rithemelimit, Oerd Bylykbashi, i cili tha për mediat se Beleri duhet të betohet dhe se arrestimi i tij ishte me urdhër të Ramës.

Fredi Beleri e ka marrë mandatin nga KQZ. Asnjë ligj në Shqipëri nuk pengon betimin e Fredi Belerit si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës edhe duke qenë i pandehur në paraburgim. Me Kushtetutë, ai është i pafajshëm dhe gëzon të gjitha të drejtat kushtetuese dhe ligjore. Betimin e tij e pengon pa ligj apo më mirë të themi me ligjin e mafies, vetë kryeministri Edi Rama.

Sot Fredi Beleri është i burgosur politik dhe mbahet në paraburgim në kundërshtim me kriteret e ligjit për arrestimin si masë sigurie penale. Ai u arrestua vetëm dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, pas një aktiviteti fushate. Fredi Beleri u arrestua vetëm dy ditë pasi Kryeministri Edi Rama, duke premtuar që do të merrej personalisht me të, de facto urdhëroi në një emision televiziv arrestimin e tij”, tha Bylykbashi.

Njëjtë si Meta, Bylykbashi thotë se kryeministri ka si qëllim që të grabisë pronat e shqiptarëve në Himarë.

“Edi Rama, mendoi se duke arrestuar Belerin, me një gur vriste dy zogj: hiqte qafe një kundërshtar që do ta pengonte në planet për grabitjen e pronave të shtetasve shqiptarë në bregdet dhe njëkohësisht godiste opozitën sikur ajo blen vota. Planet e Edi Ramës dhe klientelës së tij për të grabitur për vete pronat e shtetasve shqiptarë dhe veçanërisht ato në bregdetin e jugut janë të qarta”, tha ai.

Një grup i vogël personash protestuan në Himarë më 14 gusht në mbështetje të Belerit. Të pranishëm ishin edhe kryetari i bashkisë së Athinës, Kostas Bakojanis dhe kryebashkiaku i Selanikut, Konstantinos Zervas. Kryeministri Edi Rama në një reagim një ditë pas grumbullimit në Himarë theksoi se akuzat ndaj Belerit janë çështje e drejtësisë.