Kreu i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka lajmëruar protestën e radhës më 31 janar në orën 18:00 përpara kryeministrisë. Lapaj që prej datës 8 janar qëndron poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama pa ndalim së bashku me mbështetës të tij dhe aktivistë.

Qëllimi i kësaj qëndrese dhe i protestave është rrëzimi i qeverisë aktuale. Lapaj i referohet rastit të Belinda Ballukut, për të cilën thotë se Rama nuk e dorëzon përpara drejtësisë edhe pse SPAK ka kërkuar arrestimin e saj.

“Ditën e shtunë në datën 31 Janar, në orën 18:00,  bashkohemi masivisht në protestë, përballë qeverisë më të korruptuar të Europës. Në këto 52 ditë të qëndresës sonë, institucionet e kapura nga Edi Rama, nuk po e dorëzojnë Belinda Ballukun te drejtësia.

Nëse ti si qytetar, do të bëje një gjë sado pak të paligjshme, do të vendosje një tjegull në kundërshtim me lejen e ndërtimit, do të vinin, do të merrnin e do të të çonin në kokërr të burgut.

Nëse do të merrje energji pa leje, do të të çonin në kokërr të burgut, ndërkohë ata na vjedhin të ardhmen dhe paratë e këtij vendi, miliarda e miliarda dhe nuk mbajnë përgjegjësi. Ndaj ne, qytetarët kemi në dorë të mos pajtohemi, dhe të protestojmë masivisht, duke u bërë gjithmonë e më shumë. Ditën e shtunë, datë 31 Janar, në orën 18:00, merr familjen, merr shoqërinë, merr të afërmit, të bashkohemi përballë hajdutëve”, tha Lapaj.

Që prej 8 dhjetorit, Lapaj është përplasur disa herë me policinë për shkak të tendave të ngritura në trotuarin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Ai ka organizuar disa protesta që kanë përfunduar dhe me persona të arrestuar. Lapaj thotë se nuk proteston me logo partiake, por si qytetar i thjeshtë. Me të njëjtin sens ka ftuar dhe partitë e tjera opozitare t’i bashkohen, por deri më tani secili grupim ka protestuar i ndarë.