I ulur me kafen para dhe me një libër, në vendin ku pinte gjithmonë kafen me botuesin e tij dhe miq, Ismail Kadare rivjen në këtë 90-vjetor përmes një shtatoreje bronzi.
Mes emocioneve, bashkëshortja e shkrimtarit, Helena Kadare, shprehet se kjo ditë ka një domethënie të veçantë për të
“Me thënë të drejtën, sot ishte vërtet shumë emocionuese. Jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që ishin këtu. Kjo shtatore e mrekullueshme, në ditëlindjen e Ismailit, ishte një ndjenjë që të mbushte zemrën.”, thotë ajo për “Report TV”.
Helena Kadare kujtoi me mall se Ismaili vinte çdo ditë në këtë vend, së bashku me botuesin e tij, për shëtitje dhe kafe.
“Ismaili vinte përditë këtu. Vetëm tri ditë para se të largohej nga kjo botë nuk pati më fuqi të vinte. Por me vite të tëra ky ishte ritmi i tij i përditshëm.”
Skulptori i ri Henri Mimani, tregon se për realizimin e veprës ishin diskutuar disa variante. Të gjitha megjthatë kishin një të përbashkët, që figura e shkrimtarit të njohur të ishte sa më njerëzore
“Kemi bërë disa bocete. Njëherë menduam ta ulim në tavolinën ku rrinte gjithmonë,që të ishte më afër me njerëzit, vinin lexuesit, ndiheshin pjesë e pjesë e mentalitetit të tij, pjesë e kulturës së tij. Në fund fare menduam që më mirë do ishte të ishte pak larg, por prapë afër njerëzve, i ulur në tavolinë me kafën para dhe me librin siç rrinte ai gjithmonë. Përmasat janë shumë pak mbi natyrale. Me një fjalë Ismaili ka qenë ndoshta 170 cm i gjatë, skulptura është 190 cm. Jam munduar ta mbaj natyralin, që të jetë më afër njerëzve, më afër shikuesve, mos ndihet monumental, por të jetë njerëzor.”, thotë skulptori.
Mimani shprehet se është takuar disa herë me Kadarenë dhe për të është një kujtim i bukur dhurata me botimin e plotë të veprës së Kadaresë në të cilën ka një dedikim prej tij për të birin.
“Kam një histori shumë të bukur kur lindi çuni. Ai ka lindur në mars por diku nga maji, profesor Timo më ka bërë dhuratë botimin e Onufrit, ku është botuar gjithë krijimtaria e Kadaresë me dedikim për djalin, Ajden. Ai ka qenë takimi i fundit me të, në maj. Është një nga kujtimet më të bukura për mua dhe për djalin patjetër kur të rritet.”
Ndërsa Skënder Brataj shpjegon se “Kjo është një iniciativë e miqve të Kadaresë, në veçanti e Timo Fllokos, Behar Malaj dhe e tij.”
“Kontaktuam skulptorin Henri Mimani, një djalë i ri, një skulptor i talentuar që e priti me kënaqësi dhe me zonjën Xhulieta Lamaj, që është pronarja e këtij lokali, që e priti menjëherë me kënaqësi këtë iniciativë. Këtë ne e quajtëm kafe me Kadarenë, sepse ai pinte kafen këtu dhe njerëzit vinin pinin kafe, bisedonin, bënin foto, kështu që edhe pse ka fizikisht, ne e sollëm përsëri fizikisht në vendin që ai meriton. Kjo shtatore e tij është këtu për ta çimentuar jo figurën e tij, sepse nuk është Kadareja që ka nevojë për ne, jemi ne që kemi nevojë për Kadarenë. Është një figurë që e çoi letërsinë në një rang ndërkombëtar. Është një figurë shqiptare që e çoi gjuhën shqipe në 46 gjuhë ose librat e tij u përkthyen në 46 gjuhë. Është një person që përfaqëson unitetin kombëtar.”, thotë Brataj.
Familja e Kadaresë ishte ndarë sot, për të qenë e pranishme në aktivitete të shumta të programuara, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Paris.
“Tani do të ishte dashur që të ishin edhe familja ime këtu, domethënë vajzat, Gresa, Besjana, mbesa, Doruntina dhe nipi, Adriani dhe dhëndri, por ne menduam që të ndahemi. Unë të qëndroja këtu me miqtë e Ismailit, sepse ky është një aktivitet i bërë prej miqve të Ismailit dhe ato të ndiqnin aktivitetet atje sepse tamam sot në banesën ku kemi jetuar ne në 63 bulevars St. Mishel po vendoset një pllakë përkujtimore. Ngjarje shumë e bukur që do pasohet me konferenca në Akademinë e Shkencave, ku ai ishte anëtar, me studiues, kritikë arti dhe miq të tij.”, tregon Helena Kadare.
Duke folur për trashëgiminë letrare të shkrimtarit, ajo u shpreh se vazhdon të jetojë me veprën e tij, të cilën po e rilexon nga e para, tashmë me një sy tjetër.
“Tani tek unë kërkohet nga shumë producentë kinemaje që të bëjmë bashkëskenar për disa nga veprat e Ismailit. Në fakt më është propozuar dhe mua nga një producent tjetër amerikan që të bëjmë film mbi kujtimet që kam shkruar përjetën me Ismailin. Tani të gjitha këto janë projekte që po të kem fuqi do t'i ndjek, të paktën një pjesë të tyre. Tani, kur i rilexoj veprat e tij, kuptoj shumë gjëra që më parë nuk i kisha kuptuar plotësisht. Edhe kjo është një kënaqësi tjetër, me të cilën unë kaloj kohën.
E pyetur për një moment të veçantë nga jeta e tyre së bashku, Helena Kadare theksoi se çdo çast me Ismail Kadarenë ishte i jashtëzakonshëm dhe i papërsëritshëm.
“Ai ishte një njeri kaq i jashtëzakonshëm, sa çdo moment që kaloje me të ishte një zbulim i ri. Ka shumë momente të bukura, por sot nuk di cilin të veçoj.”, vëren ajo.

Një kafene mes gjelbërimit dhe qetësisë së Liqenit Artificial të Tiranës ishte prej vitesh vendi i preferuar i gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadaresë. Çdo mëngjes Kadarenë do e gjeje pikërisht aty te “Juvenilja”, ku përpos kafes së mëngjesit, ai takonte miq e admirues së tij.
Kafja e fundit e Kadaresë në këtë vend u konsumua të hënën e një dite qershori. Pikërisht më 24 qershor 2024, një javë para se zemra e tij të ndalonte së rrahuri. Ndërsa sot, më 28 janar, në ditën kur ai do të mbushte 90 vjeç, miqtë, familjarët dhe shoqja e tij e jetës, Helena Kadare, e kanë përjetësuar kujtimin e tij përmes një statuje, pikërisht në vendin ku ai ulej çdo ditë për të shijuar kafen.
Helena Kadare, gruaja e shkrimtarit u ul sot pikërisht në tavolinën që ai ulej gjithmonë për të “konsumuar” kështu një kafe të “fundit” me Kadarenë.
Kjo skulpturë u derdhur në bronz u realizua me mjeshtëri nga skulptori Henri Nimani, ndërkohë që ideja ka qenë e aktorit të mirënjohur Timo Flloko, me mbështetjen dhe bekimin e miqve të familjes Kadare.
Sot, kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare, do të festonte 90-vjetorin e lindjes. Kadare u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare më 1 korrik 2024, por vepra e tij nuk do të shuhet kurrë.
Kadare ka lënë pas një trashëgimi të vyer, dhjetëra libra, shkrime e poezi, një identitet për kohën dhe atëherë kur për popullin ishte e pamundur të shihte përtej kufijve. Etnograf sarkastik, romancier duke alternuar groteskun dhe epikën, Ismail Kadare eksploroi mitet dhe historinë e vendit të tij, për të zbërthyer mekanizmat e një të keqeje universale, totalitarizmit.
Komente












