Cështja 'Konomi', Prokuroria
kërkon zilen e telefonatës

Cështja 'Konomi', Prokuroria <br />kërkon zilen e telefonatës
Zbulimi i autorëve që ekzekutuan në qëndër të Vlorës gjyqtarin Skerdilajd Konomi, ka detyruar grupin e hetimit të thellojë akoma dhe më tepër veprimet hetimore rreth kësaj çështje. Në vazhdën e verifikimit të tabulateve telefonike, tashmë Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon nga kompanitë celulare edhe të dhëna për sa i përket zileve telefonike që janë kryer në rafshin kohor prej 5 minuta(09:00 deri në 09:05). Siç mësohet kërkesa u është dërguar të gjitha kompanive celulare që operojnë në Shqipëri, por si përgjigje të kësaj kërkese prokuroria ka marë, se kompanitë me ligj mund të ruajnë për një periudhë vetëm tabulatet telefonike dhe jo zileve. Nisur nga kjo situatë, burime pranë grupit të hetimit të dosjes "Konomi" i thanë gazetës "Shqiptarja.com" se tashmë i janë drejtuar me një kërkesë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. "Kjo kërkesë bëhet në mënyrë që AKEP-I, të ushtrojë prension mbi kompanitë celulare me qëllim që ato të detyrohen të japin të dhëna rreth kërkesës së bërë disa ditë më parë"-tregojnë burimet pranë grupit të hetimit. Më tej ata nënvizojnë se marja e këtyre të dhënave është e domozdoshme për hetimin, pasi shpresohet që të hidhet dritë mbi numrin që ka aktivizuar lëndën plasëse prej 500 gr tritol që ishte vendosur poshtë sediljes së shoferit.

Kërkesa e prokurorisë
Grupi i hetimit pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, prej pesë muaj është duke kryer veprime në shumë drejtime me qëllin zbulimin e personit që në 9 shtator 2011 vrau mizorisht gjyqtarin e qytetit Vlorë Skerdilajd Konomi. Një ndër veprimet e fundit që tashmë është kryer rreth kësaj çështje, është dhe kërkesa drejtuar AKEP-it, me qëllim detyrimin e kompanive celulare që të japin informacione nga dhjetëra antena në Vlorë. Në kërkesën drejtuar këtij institucioni prokuroria deklaron se: "Kërkojmë nga kompanitë celulare informacione për sa i përket kryerjes së zileve telefonike në rafshin kohor prej 5 minuta nga ora 09:00 deri në 09:05 të mëngjesit të datës 9 shtator". Më tej në kërkesë vijohet duke nënvizuar komleksitetin e kësaj çështje dhe domosdoshmërinë e zbardhjes së vrasjes së gjyqtarit Konomi sa më parë.

Karta e telefonit
Çështja "Konomi" është ndërlikuar akoma dhe më tepër për shkak se dhe brenda automjetit nuk janë gjendur pjesë të telefonit apo kartës SIM, që ka bërë aktivizimin e rreth 500 gr tritol të vendosur poshtë sediljes, ku qëndronte i ulur gjyqtari Skerdilajd Konomi. Sipas tyre, mosgjetja e kartës e bën të pamundur lokalizimin nëpërmjet antenave të vendndodhjes nga ku është bërë thirrja telefonike, si dhe gjetja e numrit që ka bërë telefonatën e fundit në drejtim të celularit bombë. "Ky është çelësi i çështjes",- shprehet burimet pranë grupit hetimor, të cilët kujtojnë rastin e vrasjes së anëtarit të Bandës së Lushnjës, Enver Rabija, me minë me telekomandë. Pikërisht në këtë ngjarje është gjetur si provë karta e telefonit dhe nga verifikimet e bëra rezultoi se thirrja e fundit ishte bërë nga shtetasi Leonard Prifti që njihet me nofkën "Çibuku", tashmë i vrarë, ish-anëtar i bandës së drejtuar nga Aldo Bare. Në rastin e vrasjes së gjyqtarit, shpërthimi dhe zjarri ka zhdukur gjithçka dhe për pasojë në këtë drejtim e bën të pamundur gjetjen e autorit.

Pistat e hetimit
Momentalisht hetimet rreth kësaj çështje janë fokusuar në dy drejtime kryesore ku po verifikohet pista e vrasjes për shkak të detyrës dhe pista e interesave ekonomike për pronat që gjyqtari Skerdilajd Konomi kishte në gjirin e Lalëzit si trashëgimi nga gjyshja e tij. Hetues të Prokurorisë dhe policisë janë mobilizuar maksimalisht për zbardhjen e kësaj çështje, por për shkak të dinamikës tepër të sofistikuar të këtij krimi, grupi i hetimit ende nuk ka arritur të drejtojë gishtin në ndonjë person të dyshuar si autor i vrasjes së Skerdilajd Konomit. Gjatë kësaj kohe është arritur të administrohen në dosjen penale rreth 150 dëshmi të personave që kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe atyre që kanë pasur dijeni rreth konflikteve të mundshme të gjyqtarit 33-vjeçar Skerdilajd Konomi. Këto dëshmi i janë nënshtruar analizave të vazhdueshme mes grupit të ekspertëve të policisë dhe Prokurorisë që po punojnë me qëllim zbardhjen e motivit të ngjarjes dhe arrestimin e autorëve të krimit. Vëmendje po i kushtohet dhe informacioneve operative të servirura nga agjentët e policisë dhe SHISH për disa persona që njihen si kontingjentë kriminalë. ah/shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë

Këngëtarja italiane Giusy Ferreri koncert në Tiranë: E lumtur që rikthehem, të rinjtë të jenë autentikë