Gjyqtarja e Posaçme Etleva Deda rrëzoi kërkesën e Ilir Metës, që seancat gjyqësore ndaj tij të transmetohen drejtpërdrejt nga mediat, një vendim që nga mbrojtja u vlerësua në shkelje të hapur të Kushtetutës. Por në pak momente të çeljes së seancës, ku kamerat u lejuan, imazhi i ish-presidentit Ilir Meta u shfaq për herë të parë në publik, pas 1 viti e gjysmë nga arrestimi. Sot 57-vjeçar, ai ka pësuar një transformim të dukshëm fizik. Seanca e parë e gjyqit në themel u shty për shkak të mungesës së ish-vjehrrës së Metës, Fatime Kryemadhit.

***

1 vit e gjysmë pas paraburgosjes së tij, ish-presidenti i Republikës, ish-kryeministër dhe ish-kryetar i Kuvendit, sot 57-vjeçar, u shfaq për pak minuta, me zë e figurë, në seancën e parë të gjyqit në themel, kundër tij, ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi dhe 3 të pandehurve të tjerë.

Transformimi i tij fizik, i dukshëm. Para se seanca të çelej, nga kafazi i qelqtë, bëri me duar shqiponjën dy krenare.

Pretendoi pafajësi, në një proces që sipas kreut të Partisë së Lirisë është i montuar politikisht.

"Jam ai Ilir Meta i 2 marsit. I ka përzgjedhur Charles McGonigal që është në burg dhe nuk do mbetet i vetëm atje. Montime me shpifje, gënjeshtra, me kallëzues të rremë, një proces të dhunshëm kundër shtetit shqiptar, jo kundër Metës, presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit.

Ju garantoj, mbaj përgjegjësi për çdo veprim timin, për çdo sjellje time, për çdo akt timin", - tha Meta.

Për të bërë mbrojtjen e tij para qytetarëve, të cilëve thotë se u detyrohet për funksionet e larta shtetërore që ka mbajtur, ashtu siç ia kërkoi me shkrim Gjykatës së Posaçme, edhe pas kafazit të të pandehurit përsëriti:

"Nga sot deri në sekondën e fundit të ndiqni dhe të transmetoni live këtë proces", - tha Meta.

Këto ishin të vetmet momente në të cilat kreu i Partisë së Lirisë foli para kamerave të televizioneve, teksa gjyqtarja Etleva Deda ende nuk e kishte çelur zyrtarisht seancën.

Gjyqtarja vendosi t’i lërë kamerat vetëm në fillim, në diskutimet teknike të procesit, ku legjitimohen palët. Më tej, me vendimin e gjyqtares, operatorët u nxorën jashtë.

Meta i përshëndeti nga kafazi punonjësit e medias teksa lënë sallën. Ndërsa ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi bën një gjest me dy gishtat e demokracisë.

Mes të dyve, një ftohtësi e akullt që nuk u thye as edhe me një shikim në sy.

Kjo seancë u shty, pasi nëna e ish-deputetes, Fatime Kryemadhi, mungoi dhe avokatja që kishte zgjedhur për ta mbrojtur nuk kishte një prokurë. Gjykata pezulloi afatet e paraburgimit deri në seancën e ardhshme më 11 maj dhe nga të pandehurit e tjerë pa masë sigurie, i vetmi që e pëson është Ilir Meta, i cili ndodhet në arrest me burg.

Si brenda dhe jashtë seancës në Gjykatën e Posaçme, avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, përsëriti dy kërkesa: që kreu i PL-së të qëndrojë jashtë kafazit të qelqtë dhe që gjykata t’u lejojë mediave t’i transmetojnë live seancat.

“Të gjithë gjyqet që nga 1995, i Alisë, Nanos, gjyqi në Hagë, të gjitha gjyqet bëhen me kamera, online.

Çmendet gjykata, s’kemi ç’t’i bëjmë.

S’e kuptoj gjykatën që merr vendim antikushtetues dhe thotë që s’do e shfaqim publikisht.

Bëjani pyetjen gjykatës, KLGJ, ministrit të Drejtësisë, do i ftoj ndërkombëtarët të vijnë seancën tjetër të shohin Metën në kafaz.

Më palaçot janë KLGJ që shohin këtë shkelje dhe rrinë në zyrat me kondicioner e bëjnë sehir”, - tha Cakrani.

Të njëjtat kritika edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.

"Nuk mund të ketë më gjykime në bodrume, si në kohën e diktaturës", - tha Blushi.

Monika Kryemadhi kërkoi t’i vihen në dispozicion si provë materialet e këqyrjes së telefonit të saj, për të përgatitur mbrojtjen.

Në seancë morëm pjesë edhe përfaqësues të Partisë së Lirisë, por për në seancat e radhës, prokurori Sotir Kllapi, kërkoi të mos jenë të pranishëm, duke qenë se një pjesë e tyre mund të thirren dëshmitarë në proces.

SPAK e ka marrë të pandehur Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, lidhur me aferën CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA. Në seancën e radhës, gjykata pritet të shprehet nëse do të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar për tre të pandehurit e tjerë: nënën e Monika Kryemadhit, Ema Çokun, mikeshë e saj, të akuzuara për pastrim parash, si dhe ish-kreun e AKEP, Pirro Xhixho, i pandehur për korrupsion.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:04
Sot nisi gjyqi në themel, Meta: Loja e zvarritjeve të seancave vazhdon nën dirigjimin e prokurorëve

1777281536_meta.jpg

Sot nisi gjykimi në themel i dosjes "Meta". Pas seancës, protagonisti i çështjes, Ilir Meta, përsëriti kërkesën për transmentimin live të seancave gjyqësore. 

Reagimi i plotë i Ilir Metës: 

Asnjë çudi nga Drejtësia me Regji.

Edhe kur Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës, funksionarët publikë gjykoheshin pranë avokatëve të tyre dhe çdo seancë gjykimi transmetohej live.

Por në drejtësinë e George Sorosit, të realizuar me angazhimin e ditur të Charles McGonigal dhe plot të tjerëve si ai, në vend që të respektohet Kushtetuta, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe thirrja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, shndërrohet në normë standardi i gjykimit të një terroristi në Francë dhe jo standardi i gjykimit të Presidentit të Francës, Sarkozi.

Madje drejtësia sorosiste nuk respekton as standardin e gjykimit të ish-Kryeministrit Nano dhe ish-funksionarëve të regjimit komunist, kur e theksoj, Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës.

Loja e zvarritjeve të seancave, me sebepe nga më të ndryshmet, vazhdon nën dirigjimin e prokurorëve, të cilët dihet se kush i komandon.

Sidoqoftë, ka një “koherencë" të plotë, nga standardet e rrëmbimit tim më 21 tetor 2024 e deri te standardet e sotme të gjykimit, sepse për këtë regjim kukullash, të jesh patriot ne fakt do të thotë të jesh terrorist.

Jam krenar për patriotizmin tim dhe kjo më bën të pamposhtur dhe superior përballë burracakëve, që i shërbejnë bandës ndërkombëtare të George Sorosit dhe Kuislingut të tij në Tiranë, që ka nxjerrë në shitje çdo interes kombëtar.

Ora 12:57
Nis gjyqi në themel për dosjen 'Meta', avokati Cakrani: Gjyqtarët e GJKKO po mundohen të hermetizojnë procesin

Avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, tha për mediat se Gjykata e Posaçme po përpiqet që të hermetizojë procesin gjyqësor "që mos të dalin të vërtetat, zero prova, fakt penal, zero mesazh, zero qindarkë, zero pasuri e paligjshme, Meta është i burgosur politik".

"Bunkerizimi është për të mos dalë arsyet e vërteta të atij rrëmbimi gjeopolitik. Meta ndodhet i izoluar politik, sepse ka kryer një gabim, ka mbrojtur interesin kombëtar, ka mbrojtur kufijtë e Kosovës, ka mbrojtur integritetin dhe sovranitetin territorial të Shqipërisë. Kallëzimi i regjistruar ndaj tij u regjistrua kur sapo kishin nisur përplasjet e forta publike të Metës me Ramën. Gjyqtarët do mundohen të hermetizojnë një proces që mos të dalin të vërtetat, zero prova, fakt penal, zero mesazh, zero qindarkë, zero pasuri e paligjshme, Meta është i burgosur politik",- tha Cakrani.

Ora 12:52
Mori vilë për të votuar ligjin për minierat? Monika Kryemadhi: Do kërkojmë thirrjen si dëshmitar të Ramës, Gjiknurit e Shalsit! E mbështetën vetë

Në Gjykatën e Posaçme ka nisur sot gjyqi në themel ndaj dosjes “Meta”.

Monika Kryemadhi, e cila po ashtu është e pandehur në çështje, ka ngritur shqetësime për mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor.

“E gjithë dosja ka ardhur në gjykatë pa listën e provave dhe ne u njohëm në seancën e fundit yë seancës paraprake po e quajmë. Kërkuam nga gjyqtarja që pëveçse të kishim të gjithë ekspertimin e celularëve, sepse çdo gjë është e ndërtuar si një fabul le të themi, për të krijuar një përcetim dhe iluzion optik dhe mendimi në aspektin e mesazheve të caktuara telefonike. Pavarësisht se mesazhet telefonike nuk përbënin asnjë vepër penale, por kërkonin për të krijuar thjeshtë një histori. Edhe në seancë paraprake, gjyqtarja kishte vendosur që prokuroria të më pajiste me këtë material, me ekspertimin e të gjithë telefonit tim, ku bëhet fjalë për të gjitha bisedat e mia, jo vetëm mesazhe të selektuara që organi i akuzës, ka nxjerrë në akuzë, por për të pasur të logjikën e mendimit të bashkëbisedimeve të mia si anëtare e komisionit të veprimtarive prodhuese për ligjin e famshëm të minierave, në marrëdhënien me fibrën optike apo edhe komunikimet e tjera që kanë qenë me kryeministrin e asaj kohe, Edi Rama, e me radhë”,- tha Kryemadhi.

Duke iu referuar akuzave për përfitim pasuror nga ligji për minierat, Kryemadhi i ka hedhur poshtë ato, duke deklaruar se ligji është një vendim kolegjial dhe jo personal.

Ajo shtoi se shtëpia për të cilën flitet në hetim është porositur gjashtë muaj para se ligji të mbërrinte në parlament dhe se ai është propozuar dhe votuar papërjashtimisht nga socialistët dhe mbështetur publikisht nga Rama.

“Pretendon që kjo shtëpi është marrë si premtim për ligjin e minierave. Ligji është vendim kolegjial, nuk ështrë vendim personal, duke pasur parasysh që ligji i minierave i miratuar në tetor të 2014, ka të bëjë me sigurinë e minatorëve në galeri. Nga ana tjetër, një shtëpi e porositur 6 muaj përpara se ligji të vinte në parlament. Një ligj i propozuar jo nga Monika Kryemadhi, por ministri i Industrisë së asaj kohe, me ministër Damian Gjiknuri, kryeministër Edi Rama. Besoj të gjithë e keni parë fjalimin e tij në parlament për ligjin, një komision për veprimtaritë prodhuese i drejtuar nga Eduart Shalsi dhe një dhe një deputet relator që ishte Namik Kopliku”,- tha Kryemadhi.

Ajo shtoi se do të kërkohet që të gjithë këta persona të thirren si dëshmitarë, pasi sipas saj një nga akuzat lidhet pikërisht me çështjen e ligjit për minierat.

“Ne do t’i kërkojmë të gjithë këta si dëshmitarë sepse një nga akuzat ëshë çështja e ligjit për minierat, pra korrupsion ose influencë”,- tha Kryemadhi.

Ora 12:03
Gjyqi i Metës, Cakrani: E papranueshme që nuk transmetohet live, GJKKO ka frikë nga provat

GJKKO ende nuk ka marrë një vendim mbi kërkesën e Ilir Metës për tu transmetuar live seancat gjyqësore. Avokati i tij, Kujtim Cakrani në një komunikim për mediat tha se është e papranueshme që gjyqet nuk jepen live për publikun.

“Të gjithë gjyqet që nga 1995, Alisë, Nanos, gjyqi në Hagë, të gjitha gjyqet bëhen me kamera, online. Kur bëhet gjyqi në Hagë për krime kundër njerëzimit, imagjinoni mos të bëhet gjyqi i presidentit. Fakti që s’e merr vendimin, tregon që ka frikë nga provat. Nuk ka guxim ta transmetojë që të shohin shqiptarët montimin që i ka bërë SPAK çështjes së Metës. E dëgjuar gjykatën çfarë arsyetimi bëri, iu referuar një terroristi në Francë dhe jo Sarkozy. Gjyqi i Nanos është bërë në kushte të barabarta, janë bërë të hapur për gazetarët dhe mediat. Do u bëj ndërkombëtareve kërkesë të vijnë të shohin Metën në kafaz seancën e radhës, kjo është e papranueshme. E papranueshme të mbash mbyllur në kafaz presidentin apo kryetarin e bashkisë. Humbet seancë e të qenit një shtet i së drejtës, bëhesh shtet diskriminues. Vetëm në Shqipërinë e 2026, për turpin e këtyre deputetëve dhe të kësaj shoqërie që pranon një diskriminim të tillë”, tha Cakrani.

Ora 11:30
Meta në kafazin e qelqtë, avokati Cakrani debaton me tone të larta me gjyqtaren e GJKKO: Të mos mbahet aty gjatë seancave (VIDEO)

Ka nisur seanca në themel në Gjykatën e Posaçme për dosjen “Meta”. Gjykata lejoi kamerat e mediave të transmetojnë live fazën e ligjitimimit të palëve, kohë të në cilën u shfaq edhe ish-presidenti, i cili ishte izoluar në kafazin e xhamtë të sallës gjyqësore.

Për këtë vendim të gjykatës, avokati Kujtim Cakrani debatoi me tone të larta me gjyqtaren e seancës, duke i kërkuar që Meta mos të qëndrojë në kafaz gjatë seancës gjyqësore.

Cakrani: Ky xhami dhe kabina këtu nuk ka bazë ligjore, unë e di përgjigjen që do rrëzohet kërkesa, por për turpin tonë në 2026 mbahet në izolim, vetëm isis i turpëronte njerëzit kështu më publik. Turp për drejtësinë e re. Presidenti i republikës nuk përbën kërcënim për gjyqin. Ka një vendim në francë por ata i referohen terrorizmit. Ngrihuni në dinjitetin njerëzor hiqeni nga kafazi silleni pranë avokatit z meta. Gjëja minimale.

Gjyqtarja e Posaçme, Etleva Deda, u përgjigj duke thënë se pavarësisht vendosjes në kafazin e qelqtë të Metës, atij i garantohen të gjitha të drejta.

Gjyqtarja Etleva Deda: Ligji i garanton prezencën, të drejtën e fjalës, mbrojtjes, mundësinë për tu konsultuar me mbrojtjen në kushte kofidenciale që edhe mga kabina e qelqtë. Kabina përmbush të gjitha kushtet për sa më sipër, metës i janë garantuar të gjitha të drejtat e parashikuara në ligj.

Ora 11:24
Gjyqi në GJKKO për dosjen 'Meta', nuk shkon në seancë Fatime Kryemadhi

Fatime Kryemadhi, mamaja e Monika Kryemadhit nuk është prezent, por përfaqësohet nga avokatja e saj. Gjykata ka urdhëruar policinë për njoftimin e saj. Fatime Kryemadhi nuk i ka bërë të ditur gjykatës shkakun e mungesës ndërsa Komisariati nr. 1, i ka kthyer përgjigje SPAK se Fatime Kryemadhi është njoftuar për tu paraqitur në datën dhe orën e caktuar.

Ora 11:17
Report Tv sjell për herë të parë pamjet e ish-presidentit brenda në kafaz në GJKKO, transformimi fizik i Ilir Metës gjatë 18 muajve në paraburgim (VIDEO)

Report Tv sjell për herë të parë pamjet e ish-presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, i cili prej 18 muajsh ndodhet në paraburgim. Shihet qartë transformimi fizik i Metës që prej tetorit 2024 kur dhe u arrestua.

Kamerat u lejuan brenda në sallën e GJKKO vetëm në fillim të seancës deri në legjitimimin e palëve në gjyq. Në video dëgjohet Meta teksa duke qëndruar brenda në kafazin e qelqtë, thotë se procesi ndaj tij është "i montuar me shpifje dhe kallëzues të rremë kundër shtetit".

"Mbas 20 muajsh keni mundësinë të më shikoni. Jam ai që kam qenë. jam ai Ilir Meta i 2 marsit. I ka përzgjedhur Charls Mc Gonigal që është në burg dhe nuk do mbetet i vetëm atje. Montime me shpifje gënjeshtra, me kallëzues të rremë një proces të dhunshëm kundër shtetit shqiptar, jo kundër metës, presidentit, kryetari të kuvendit dhe kryeministrit. Nga sot deri në sekondën e fundit të ndiqni dhe të transmetoni live këtë proces. Ju garantoj mbaj përgjegjësi për çdo veprim timin për çdo sjellje time, për cdo akt timin.", thotë Meta.

Ilir Meta mbahet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024 dhe përballet me akuza për korrupsion në lidhje me aferën CEZ-DIA, kontratën lobuese të LSI-së në Shtetet e Bashkuara, si dhe për pastrim parash e fshehje pasurie.

Ora 10:56
Sot gjyqi në themel për dosjen 'Meta', Blushi: GJKKO të pranojë transmetimin live të seancave, ligji nuk e pengon

Deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka mbaërritur në GJKKO për të ndjekur në sallën e gjyqin seancën e parë në themel të dosjes "Meta". 

Blushi i bëri thirrje Gjykatës së Posaçme të pranojë kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për transmetimin live në media të seancave gjyqësore. Deputeti tha se nuk ekziston asnjë bazë ligjore që pendgon realizimin e kërkesës së Metës.

"Në emër të Partisë së Lirisë në nisje të seancës në themel, dua të përsëris thirrjen publike për transparencën që GJKKO, t’u mundësojë të gjithë mediave pa përjashtim, aksesin për transmetim live të kësaj seance. Nuk është një seancë e zakonshme, dhe për shkak të kësaj rëndësie, dua t’u mundësohet të gjithë mediave pa përjashtim transmetimi live, sepse transparenca dhe llogaridhënia janë një detyrim, për çdo institucion publik dhe për çdo funksionar publik. Nuk po bëjmë asgjë më shumë se sa po kërkojmë të garantohet një standard që vendin ynë e ka garantuar 30 vite më parë, kur transmetoheshin live gjyqet e ish-bllokmenëve. Nuk ka asnjë arsye përse mos të transmetohet live edhe kjo seancë nga sekonda e parë, te sekonda e fundit",- tha Blushi. 

"Nuk ka asnjë mbështetje ligjore në rast se gjykata do të refuzojë këtë kërkesë",- theksoi ai.