Ç'është sistemi SWIFT dhe pse BE-SHBA kërcënojnë Rusinë me largim prej tij? Përfaqësuesja e SWIFT në Shqipëri: Dritarja e vetme e komunikimit global financiar! Bllokimi i bankave, bllokon çdo transaksion

Largimi i bankave ruse nga sistemi ndërkombëtar i pagesave SWIFT, do i izolonte pagesat, dhe për pasojë do e ndikonte negativisht në anën ekonomike. Por çfarë është ky sistem, pse është kaq i rëndësishëm, për çfarë shërben? Për këto pikëpyetje përgjigjet i jep për Report TV kryetarja e përdoruesve të sistemit SWIFT, në Shqipëri Najada Xhaxha, njëkohësisht eksperte në Shoqatën e Bankave.

INTERVISTA E PLOTË

- Çfarë është konkretisht sistemi i pagesave ndërbankare SWIFT?

Xhaxha: Sistemi SWIFT, është një kooperativë network që përdoret nga sistemi financiar banka dhe jo vetëm, në mbarë botën. Funksionon në një network të zgjeruar të përdoruesve të tij dhe reflekton nevojat, kërkesat, dhe transaksionet që përdoruesit zhvillojnë nëpërmjet platformës SWIFT. SWIFT-i është një teknologji, teknologji sistemesh, platforma të sistemesh të pagesave të blerimit, por ka shumë rëndësi.

-Çfarë rëndësie ka?

Xhaxha: Është dritarja e vetme e komunikimit të shteteve në mbarë botën financiarisht. Nëpërmjet sistemit SWIFT lëvizin paratë nga njëri shtet nga njëri shtet në tjetrin në bazë të kërkesave që kanë vendet apo zhvillimit të tyre financiar qeverisës, investues, transaksione të thjeshta tregtare, individuale. Të gjitha këto nëse kalojnë kufirin kombëtar në të gjithë botën realizohen nëpërmjet sistemit SWIFT.

A janë të gjitha shtet të përfshira?

Xhaxha: Sot që flasim SWIFT-i është krijuar në 1974, si një alternativë ndryshe e atij grupimi të parë që krijoj SWIFT-in, qendrën e ka në Belgjikë, funksionon sipas ligjit belg, por edhe sipas legjislacionit evropian. Është një kompani kooperativë që shërben për të gjithë komunitetin nuk ka një pronar, ka një bord drejtues dhe vendimmarrës për strategjitë dhe rregullat që zbaton. Teknologjia është shumë e sigurt, është në një spektër të gjerë dhe jo vetëm transferta të klientëve midis tyre, është përtej kësaj dhe të gjitha sistemet e pagesave në çdo vend të botës përdorin standardin SWIFT, jo vetëm për marrëdhënien që kanë ndërkombëtare, por edhe brenda shumë vende të botës sistemet e tyre kombëtare i kanë bazuar në teknologjinë dhe platformën e SWIFT.  Sot në janë 200 shtete të regjistruara në SWIFT, dhe 11 mijë përdorues, janë banka, shtete, jo banka, fintech, kompani korporata të fuqishme në botë. E ndërtuar është për komunikimin midis bankave, gjatë rrugës teknologjia ka mundësuar përdorimin e një spektri edhe më të gjerë dhe jo vetëm bankat.

Po në Shqipëri, kur ka nisur zbatimi dhe nga kush?

Xhaxha: SWIFT në Shqipëri është prezent që në 1994, me tre banka fillimisht Banka Tregtare Kombëtare, Banka Agrare dhe Banka e Kursimeve. Ne për 2 vite bëjmë 30 vite të përdorimit të sistemit SWIFT. Të gjitha bankat e nivelit të dytë sot janë pjesë e SWIFT, që nga krijimi i tyre dhe në vazhdimësi, është Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave por jo si përdorues i drejtpërdrejtë. Kemi dhe një fintech përdorues të sistemit SWIFT. Është shumë i rëndësishëm për infrastrukturën e sistemit të pagesave, është një teknologji që mundohet të jetë në kohë reale me kërkesat e tregut, të përdoruesve. Shqipëria sistemin e saj kombëtar të pagesave e mbështet në platformën SWIFT.

Rëndësia e këtij sistemi është theksuar shumë kësaj jave, që ka shpërthyer konflikti Rusi-Ukrainë. Çfarë do të thotë nëse materializohet paralajmërimi i dhënë nga BE-SHBA, për të larguar disa banka të Rusisë nga sistemi SWIFT?

Xhaxha: Të ndërpresësh mundësinë për disa banka dhe për shtetin rus të këtij komunikimi, sjell pasojë  mos dërgimin, mos komunikimin, mos kryerjen e transaksioneve me këtë shtet nëse do të jetë kështu vendimmarrja apo edhe me numrin e kufizuar të këtyre bankave që do ju vendoset sanksioni për të mos përdorur sistemin SWIFT.  Ato banka nuk do të munden të dërgojnë para jashtë tyre, të përdorin financat e tyre kudo në botë, dhe as t’ju hyj para në sistemet e tyre.

Pra një biznesmen që do të blej në Rusi e ka të pamundur për ta bërë sepse nuk mund ta paguaj?

Xhaxha: Po. Transaksioni i tij për blerjen e një malli të caktuar në këto banka nuk do të ndodhte dot.

Do e godiste shumë sistemin bankar dhe shtetin nëse merret vendimi për ta larguar?

Xhaxha: Për shtetin konkretisht mendoj që do të ketë ndikim të menjëhershëm ose gradual. Nuk e njoh, sepse secili shtet ka sistemin e tij. Përpos SWIFT, shtete të ndryshme mund të ndërtojnë sisteme të ndryshme lokale paralele...

Rusia e ka një sistem të tillë prej 2014...

Xhaxha: Nuk e kam këtë informacion por ekzistojnë shtete të ndryshme në botë që përpos SWIFT mund të kenë ngritur sisteme të tyre të brendshme.

Ato janë sisteme më të lokalizuara?

Xhaxha: Ato janë sisteme vetëm të lokalizuara, dhe ndihmojnë shtetin për komunikim të brendshëm, por derën dhe dritaren me jashtë e ka të mbyllur.

Po për vendet partnere çfarë do të thotë largimi i Rusisë, mos harrojmë që Rusia ka rol dominues në ekonominë e Evropës e jo vetëm?

Xhaxha: Fakti që nuk kryen dot transaksione të caktuara do të thotë shumë në pengesën e vazhdimësisë, por se çfarë efekti financiar, ekonomik do të ketë për vende të tjera të cilat bashkëpunojnë me Rusinë kjo do të jetë pjesë e analizës që do të bëjë secili vend.

Ka ndodhur më herët që të largohen bankat e një vendi?

Xhaxha: Në jetëgjatësinë time në sistem, është momenti i bankave iraniane.

Një bankë që largohet a mund të kthehet përsëri në sistem?

Xhaxha: Absolutisht po, thjesht i bëhet një deaktivizim i adresës së kësaj banke dhe askush në botë nuk komunikon me të. Kur gjërat normalizohen, mund të rifilloj komunikimi me këtë bankë.

A ka sistem tjetër që e konkurron sistemin SWIFT, apo vetëm sistemet e brendshme?

Xhaxha: Sistemi SWIFT, në tërësinë e tij, në mënyrën e teknologjisë së aplikuar, të sigurisë që të ofron të spektrit të gjerë që të ofron të përdoruesve në të gjithë botën deri më sot nuk është se ka një kompani tjetër që e ofron. Ama skema të ndryshme të llojit të kriptomonedhave, të fintech, të llojit të netëork-eve të ngushta të komunikimit, natyrisht që sot me këtë teknologji funksionojnë, por ama transaksione, shlyerje të nivele të larta të bizneseve të fuqishme, të qeverisjes, të korporatave dhe vetë bankave, të gjitha këto alternativat e tjera për momentin për arsye të mos funksionimit të skemave të shlyerjes, bëjnë të pamundur përdorimin e tyre për këto transaksione, kështu që SWIFT -i ngelet një kompani monopol, e vetmja dritare që funksionon mbi bazën e bashkëpunimit dhe netëork -ut të përgjithshëm në sistem, në sistemin e mbarë botës.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja