Policia e Shtetit duket se është drejt zgjidhjes shumë shpejt të çështjes së fatit të Ervis Martinajt, i cili prej javësh është zhdukur dhe ende nuk dihet se çfarë ka nodhur me të ndërkohë që shumë dyshime ka se edhe mund të jetë vrarë. Ka qenë Kryeministri Rama i cili tha sot se policia e ka një përgjigje dhe shumë shpejt do ta bëjë publike të mbështetur me prova. 

“Duhet të keni pak durim për të marrë një përgjigje përfundimtare dhe do ta keni shumë shpejt. Një përgjigje e kemi pak a shumë që sot por që Policia e Shtetit duhet të flasë me prova dhe shumë shpejt do ta kemi”, tha Rama sot në komunikim me gazetarët dhe qytetarët online.

Kujtojmë se një ndër porositë e Kryeministrit Rama për Drejtorin e ri të Policisë Muhamet Rrumbullakut ishte zgjidhje ngërçit të zhdukjes së Ervis Martinajt. Zhdukja pa lënë gjurmë e Martinajt ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani gjatë muajit maj në kuadër të operacioni Plumbi i Artë, kohë kur Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK. Një efektiv policie Jeton Lami, u la në në burg me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe dekonspirimit të operacioneve policore. Teksa po hetonte për zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt, policia zbuloi se për t’u arratisur, Martinaj ishte ndihmuar edhe agjent i forcave operacionale në Policinë e Shtetit, Jeton Lami, i cili u prangos më 23 gusht nga policia e Lezhës.