Çfarë nënkupton autonomia spitalore, si bëhet akreditimi dhe kompetencat e spitaleve

Çfarë nënkupton autonomia spitalore, si bëhet akreditimi dhe kompetencat e spitaleve

Në projektligjin që qeveria propozon për ‘Shërbimin spitalor’ planifikohet autonomia spitalore.

‘Autonomi spitalore’ është një formë e decentralizimit, që adreson delegimin gradual të të drejtave të vendimmarrjes financiare dhe administrative nga strukturat e qeverisjes së përgjithshme te spitalet, si institucione të kujdesit shëndetësor publik.

Ligji parashikon “Kartën e Autonomisë Spitalore”, e cila garanton dhënien e autonomisë spitaleve publike, e cila jepet nga ministri përgjegjës për shërbimin spitalor, sipas kritereve të përcaktuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij.

Projektligji nënvizon se Autonomia, si pjesë integrale e menaxhimit të sistemit spitalor publik, garanton barazi, aksesueshmëri, cilësi, siguri dhe ofrimin e shërbimit shëndetësor në kohë për pacientin.

“Spitalet autonome organizohen në formën e personit juridik publik, me të drejta, detyrime dhe përgjegjësi të përcaktuara në këtë ligj dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij”, thuhet në projektligj.

Qeveria parashikon 2 modele të autonomisë së spitaleve : a) Modeli i autonomisë menaxheriale garanton dhënien e autonomisë administrative, organizative dhe rregullatore të spitaleve publike, bazuar në përcaktimet e kartës së autonomisë spitalore; b) Modeli i autonomisë financiare garanton transformimin e spitaleve publike në institucione që vetëfinancohen, financohen nga buxheti i shtetit për shërbime të caktuara nga Këshilli i Ministrave dhe nga burime të tjera të ligjshme, bazuar në përcaktimet e kartës së autonomisë spitalore.

Karta e autonomisë do të aplikohet në mënyrë të përshkallëzuar dhe të diferencuar për çdo spital, bazuar në plotësimin e kritereve për përfitimin e autonomisë spitalore, sipas një sistemi pikëzimi, që do të përcaktohet me urdhër të ministrit. Spitalet autonome aplikojnë modelin e pagesës, në bazë performance për personelin shëndetësor, bazuar në rregullat e përcaktuara me urdhër të ministrit.

Në nenin 18 të ligjit përcaktohen kriteret për përfitimin e autonomisë spitalore dhe thuhet se spitalet publike përfitojnë autonominë spitalore, pas përmbushjes së kritereve, të përcaktuara në rregulloren e autonomisë spitalore, që miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Rregullorja e autonomisë spitalore përcakton: a) kriteret specifike, që duhet të plotësojë një spital publik, që të përfitojë autonominë për secilin nga modelet e parashikuara në këtë ligj; b) procedurën e vlerësimit të plotësimit të kritereve për të përfituar autonominë; c) fushëveprimin dhe fushat e autonomisë që jepen; ç) periudhën e dhënies së autonomisë, sipas modelit.

Aplikimi pёr autonominë spitalore bёhet nga ana e spitaleve publike nё Ministrinё e Shёndetёsisё, nëpërmjet një formulari të veçantë, të miratuar me urdhër ministri, në të cilin pasqyrohen elementet formale të kërkesës. Dhënia e autonomisë spitalore bëhet në mënyrë të përshkallëzuar dhe mbështetur në kërkesën e vetë spitalit dhe miratohet nga ministri.

Spitalet publike autonome kanë të drejtë të lidhin kontrata me palët e treta, me kompani private të sigurimeve, si dhe me spitalet jopublike për shërbime specifike mjekësore. Gjithashtu të lidhin marrëveshje me shërbimet diplomatike të huaja, organizatat ndërkombëtare dhe korporatat e huaja që veprojnë në Shqipëri, për të ofruar shërbime për personelin e tyre vendor dhe të huaj.


Lajmi kryesor:

Vendimet e Qeverisë/ Gati projektligji që do i japë mundësi spitaleve të kenë autonomi! Dixhitalizimi, vetëm 150 zyra të gjendjes civile të hapura në vend


M.Q./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë