Shqipëria ka bërë përparim të mirë në funksionimin e gjyqësorit, ndërsa përfundimi i vettingut ka forcuar pavarësinë, llogaridhënien dhe integritetin në drejtësi. Megjithatë, Komisioni Europian evidenton në progres raport vijimin e përpjekjeve të politikanëve dhe zyrtarëve për të ndikuar në sistem, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve. KE kërkon të ndalen sulmet ndaj magjistratëve dhe plotësimin e vakancave në gjyqësor.
"Mungesa e burimeve njerëzore, përfshirë magjistratët dhe stafin mbështetës ligjor e administrativ, vijon të ndikojë në cilësinë e drejtësisë. Gjatë periudhës së raportimit vijuan përpjekjet e zyrtarëve publikë apo politikanëve për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi sistemin gjyqësor, përfshirë SPAK-un, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve. Megjithëse numri i çështjeve të prapambetura është ulur pjesërisht, mbeten për t’u adresuar probleme urgjente që lidhen me efikasitetin, cilësinë dhe integritetin e gjyqësorit, përfshirë infrastrukturën e gjykatave, sigurinë dhe vonesat në ngritjen e një sistemi elektronik për menaxhimin e çështjeve", thuhet në raport.
Rekomandimet e Komisionit për Shqipërinë
-Të forcojë më tej llogaridhënien dhe të ulë ndërhyrjet politike në gjyqësor dhe në shërbimet e prokurorisë, përfshirë forcimin e mbrojtjes së sinjalizuesve brenda strukturave të drejtësisë; të garantojë emërime, ngritje në detyrë, vlerësime dhe inspektime transparente e të bazuara në meritë, në përputhje me standardet e larta të vendosura nga procesi i vetingut; si dhe të plotësojë vendet vakante për magjistratë-inspektorë në Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.
-Të përmirësojë cilësinë e drejtësisë, veçanërisht duke vijuar plotësimin e vendeve vakante dhe duke siguruar personel të mjaftueshëm administrativ në gjykata, në të gjitha nivelet e gjyqësorit; duke rritur numrin e përgjithshëm të magjistratëve dhe këshilltarëve ligjorë drejt mesatares së BE-së; duke përfunduar rishikimin e kurrikulave të formimit fillestar dhe vazhdues, si dhe të provimit të pranimit në Shkollën e Magjistraturës; dhe duke përmirësuar kapacitetet e shkollës për të ofruar trajnim gjyqësor.
-Të përmirësojë efikasitetin e gjyqësorit, përfshirë miratimin e masave të mëtejshme për rritjen e efikasitetit në të gjitha nivelet dhe uljen e mëtejshme të numrit të çështjeve të prapambetura, në përputhje me Udhërrëfyesin për Efikasitetin e Gjyqësorit, parimet e reformës në drejtësi dhe standardet europiane; të sigurojë zbatimin e shpejtë të sistemit të integruar të menaxhimit të çështjeve dhe ta shtrijë sistemin e njoftimeve në internet në të gjitha gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm.
Lajmi kryesor:
Integrimi/ Progresraporti për Shqipërinë: SPAK rezultate pozitive, por korrupsioni mbetet sfidë! Ballukut s’iu hoq imuniteti? Shqetësim për balancën mes pushteteve! Duhet dialog konstruktiv për protestat (VIDEO)









