Maqedonasit janë krenarë për vlerat tradicionale që kanë mbetur të rrënjosura thellë në poret dhe mënyrën e jetesës që pulson në ritmin e taktit 7/8. Tradita e një populli është mishërim i gjithë pasurisë, prandaj krijimi maqedonas ka një vlerë të paçmuar si pikë kulturore referimi.
Për kënaqësi të plotë ndërsa jeni në restorantet maqedonase, mos hezitoni të kërkoni një këngë, të cilën mjeshtrit maqedonas të tambureve do t’u bien vetëm për shpirtin tuaj.
Ekziston një thënie në Ballkan që thotë: “Nëse udhëtoni nëpër Serbi mos këndoni, kur udhëtoni nëpër Bosnje mos vallëzoni, dhe kur kaloni nëpër Maqedoninë e Veriut mos vallëzoni dhe mos këndoni, sepse maqedonasit janë mjeshtër të muzikës dhe valleve”.
Të vish në Maqedoni dhe të mos provosh raki rrushi është mëkat, sigurisht në kombinim me Sallatën Shope dhe djathë të fortë. Nuk bën assesi pa i provuar gatimet tradicionale maqedonase.
Krahas verërave të njohura në kombinim me disa djathëra maqedonas, si djathin jashtëzakonisht të njohur të Berovës dhe kaçkavallin e Galiçnikut, do të ishte mëkat të mos provoni aperitivin më të famshëm maqedonas, rakinë e rrushit maqedonas, që konsumohet me sallatë shope, e prodhuar sipas metodave më bashkëkohore, në fuçi druri në kushte të veçanta.
Kuzhina maqedonase është pothuajse gjithmonë e preferuar nga të huajt, të cilët magjepsen pikërisht nga gatimet tona tradicionale dhe i bëjnë të kthehen sërish këtu. Në vendin tonë të gjithë e dinë se çfarë është fasulja - është një traditë e dashur si çdo zakon tjetër dhe nuk ka njeri që nuk e ka provuar.
Shumica e maqedonasve kanë fasule në menynë e tyre të paktën një herë në javë. Dhe, nuk është se nuk ka fasule dhe specialitete të bëra prej tyre në vende të tjera, por si “fasulja tetovare” e gatuar në tavë dheu me piper të thatë nuk ka askund - do t’ju thonë tetovarët. Lakrorët apo byrekët e shtëpisë, koret e rrotulluara janë një specialitet i vërtetë që i ndez të gjitha shqisat tuaja. Lakrori është një klasik legjendar i kuzhinës në vendin tonë, kurse trofta e Ohrit si një lloj peshku endemik që jeton në liqenin e Ohrit dallohet edhe nga mishi i bardhë i shijshëm. Trofta e Ohrit haset në tre nënlloje: letnicë, trofta e Strugës dhe cironka e Ohrit. Specialitetet e troftës së Ohrit janë më të kërkuarat në restorantet në Ohër dhe Strugë. Trofta e Ohrit konsumohet në mënyra të ndryshme.
Janë të njohura disa specialitete të këtij lloji të peshkut, si trofta e Ohrit në mënyrën Peshtane, trofta e Ohrit në skarë, trofta e rrahur, trofta e Ohrit me bajame. Pastërmalia është gjithashtu një lloj byreku i veçantë maqedonas i gatuar me brumë dhe mish, që ka një formë të zgjatur me mish të copëtuar dhe zakonisht bëhej në periudhën e dimrit. Emri vjen nga fjala pastërmë, që do të thotë mish dele ose qengj i kripur dhe i tharë. Ky specialitet është i mirë kur shërbehet me kos, por është i shijshëm edhe kur stërpiket me verë të kuqe. Gjomlezja tradicionale bëhet nën saç, nëse keni vizituar dikë dhe ju ka gatuar gjomleze do të thotë se ju respekton shumë.
Përgatitet nga një përzierje e ngjashme me petullat, miell, ujë, kripë, vaj, kurse disa njerëz shtojnë qumësht të thartë dhe vezë. Në Maqedoni, ajvari konsiderohet një specialitet legjendar dhe i vërtetë. Të gjithë, thjeshtë, janë të magjepsur nga receta e përsosur e bërë prej specave të kuq të cilët janë të pjekur paraprakisht, qëruar dhe bluar derisa të bëhen pure.
Kuzhina maqedonase është shumë e larmishme dhe e shijshme, kështu që pavarësisht se çfarë u ofroni mysafirëve tuaj, ka shumë gjasa që ata të dëshirojnë ta provojnë përsëri.
Duhet vizituar doemos Ohri këtë verë!
Ohri, natyrisht, është një destinacion i domosdoshëm, perla e Maqedonisë. Ohri ka liqenin më të vjetër në Evropë – ka 365 kisha në qytet dhe universiteti i parë evropian u themeluar atje.
Liqeni i Ohrit vlerësohet të jetë më shumë se 4 milionë vjet i vjetër dhe është një nga liqenet më të thellë në Evropë. Është shtëpia e më shumë se 300 specieve endemike dhe është një vend i trashëgimisë së UNESCO-s që nga viti 1979. Nëse dëshironi të bëni një orar se çfarë të shihni në Ohër, do t'ju duhet një udhëzues i mirë dhe shumë kohë. Nga kështjellat e Samoilit,
Plaoshniku, kisha e Shën Kliment Ohridski, ngjitur me kishën e Shën Sofisë, ura për në Shën Jovan Kaneo dhe vazhdoni nëpër Çarshinë e Ohrit, hipni në një varkë dhe lundroni për në një nga plazhet. Përveç plazheve të bukura dhe natyrës piktoreske, të plotësuara nga shkëlqimi i diellit në liqen, do të kaloni Tërpejcën dhe Lubanishtën dhe ja ku jeni në burimet e bukura të Kompleksit “Shën Naum”. Një kohë reale për argëtim dhe pushim. Ngjarjet e shumta kulturore dhe argëtuese, nga ana tjetër, që ofrohen për shijen e gjithsecilit, duhen përjetuar që të mund të rrëfehen pastaj.
Aventurierët nuk duhet të humbasin Kanionin e Matkës, malin Galiçica dhe Ishullin e gjarpërinjve.
Për aventurierët, vendi ofron paraglajding, zhytje, lundrim, kajak ku mund të ndjeni adrenalinën lart në male ose thellë nën ujë. Në Maqedoninë e Veriut, nuk duhet të humbisni shpellën më të madhe nënujore në botë - shpellën “Vrella” në Matkë. Kanioni është i famshëm për shtrirjen midis shkëmbinjve, kajak, ka një pamje të lashtë të Shkupit dhe disa manastire mesjetare, kështu që shpella vetëm sa e rrit popullaritetin e saj.
Në Maqedoninë e Veriut ekziston edhe një ishull gjarpërinjsh! Po, e keni dëgjuar mirë:
Maqedonia është në tokë, por kjo nuk do të thotë se nuk ka ishullin e saj. Qyteti i Madh ose Ishulli i gjarpërinjve është një ishull i vendosur në liqenin e Prespës, që është pjesë e Parkut Kombëtar “Galiçica”, një nga tre parqet kombëtare në Maqedoni. Banorët e vetëm të ishullit tani janë gjarpërinjtë, por ka gjurmë të pranisë së njerëzve. Nëse vini në Maqedoni, nuk guxoni të mos ngjiteni në malin e Galiçicës, ku do të përjetoni pamjen më të bukur të dy liqeneve, Ohrit dhe Prespës, dhe do të shijoni natyrën dhe ajrin e pastër.
Maqedonia, ndonëse është një vend mjaft i vogël, ka shumë për të ofruar.
Maqedonia e Veriut është një vend vërtet interesant dhe ia vlen të vizitohet. Ai që e ka përjetuar këtë bukuri, është kthyer sërish!