
Sytë e të gjithë botës janë drejtuar këtë fillim viti në atë që ndodhi në Venezuelë ku presidenti i vendit bashkë me të shoqen u kapën nga forcat amerikane për tu transferuar drejt qytetit të Neë York ku pritet të përballet me disa akuza të rënda.
Duke iu përgjigjur interesit të mediave sa i përket momenteve të fundit të lirisë së Maduros, presidenti amerikan Donald Trump ndau detaje mbi arrestimin e presidentit të Venezuelës.
Sipas Trump, Nicolas Maduro ishte në banesën e tij dhe tentoi të strehohej në një dhomë të blinduar çeliku përpara se të kapej nga forcat amerikane.
"Mund ta kishim vrarë. Maduro tentoi të hynte në një dhomë tërësisht prej çeliku, por nuk arriti ta mbyllte derën, pasi djemtë tanë ishin më të shpejtë. Gjatë operacionit pati shkëmbim zjarri dhe rezistencë" tha Trump.
Presidenti amerikan shtoi se forcat e tij do të kishin qenë në gjendje ta shpërthenin derën e blinduar, por theksoi se objektivi ishte kapja dhe jo vrasja e udhëheqësit venezuelian.
Trump komentoi gjithashtu faktin se Kongresi amerikan nuk ishte informuar mbi operacionin e kapjes së Maduros duke thënë se Kongresi amerikan ka prirje për rrjedhje informacioni dhe se, sipas tij, nëse detajet e operacionit do të ishin bërë publike paraprakisht, rezultati do të kishte qenë ndryshe.
Lajmi kryesor:
SHBA godet bazat ushtarake në Venezuelë, kapen Maduro dhe gruaja e tij! Trump: Ne do të qeverisim deri në tranzicion, Machado nuk ka mbështetje










