Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet në kantierin e Lungomares në Sarandë.

I shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, si dhe nga disa deputetë të PS-së, Rama tha se këtë sezon turistik Saranda do t'i mikpresë pushuesit e shumtë me një transformim të madh e me një plazh të risistemuar, përgjatë një shëtitoreje plot hapësirë në një vijë 1.1km.

Kryetari i bashkisë tha se Sarandës i ka munguar një investim i tillë, dhe se tashmë kjo do të kthehet në një atraksion turistik.

‘Sarandës i ka munguar një investim i tillë. Qytetarët që e vizitojnë çdo ditë kanë impresione shumë të mira. Do të bëhet një plazh i bukur. Ky është një atraksion tashmë.’- tha Gurma.

Po ashtu Rama u ndesh edhe më një qytetar i cili ishte me Partinë Demokratike dhe po lundronte me kanoe në ujërat e detit Jon.

Rama: Si je? Ndalo të bëjmë një fotografi bashkë!

Qytetari: Kryetarin e bashkisë, deputetin e zonës dhe ministrin e Turizmit i kemi shumë të mirë.

Rama: Hë çfarë të bëri PD ty?

Qytetari: Më degjeneroi fare!

Rama: Dhe ti prap e do!

Qytetari: Edhe gabime të bëjë, e dua.

Rama: Ti prap me PD-në je. Po duhet të vinim ne që ju të zbuloni detin se ato nuk dinë as not.

Foton nga takimi me banorin Rama e ndau edhe në Instagram, ku nuk la pa thumbuar edhe Partinë Demokratike.

“PS-ja dhe PD-ja, moment komunikimi me një demokrat”, shkruan Rama krahas fotos, duke dashur të krahasojë nivelin mes dy partive.

Foto e publikuar nga kryeministri Edi Rama në Instagram

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:50
‘Është bërë projekti për aeroportin e Sarandës’, Rama inspekton punimet në rrugën e re turistike që do shmang trafikun në qytet

Një rrugë e re turistike do të ndërtohet mbi qytetin e Sarandës, e cila do të lehtësojë ndjeshëm trafikun e mbingakruar të sezonit veror.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Adrian Gurma si dhe nga deputetët të PS-së, tha se kjo rrugë do të ofrojë njëkohësisht një tjetër mundësi për të shijuar panoramën e gjirit të Sarandës.

‘Është një rrugë panoramike, që do të zgjidhë përfundimisht ngërçin e fluksit në trafik në qytet, sidomos në fluksin e sezonit turistik. Kemi pas problem edhe këtë vit për shkak të pandemisë. Por rruga ishte e domosdoshme. Kjo do ti japë një vlerë të shtuar të gjithë kësaj zone, me përfundimin e këtij projekti të gjitha investimet do të marrin një vlerë të shtuar. Deri në fund të vitit do të jetë një rrugë e aksesueshme. Mund të kthehet edhe një rrugë panoramike.’- tha Gurma.

Rama: Damian në rregull jemi për këtë rrugë Damian! Se më ke bërë për këtë rrugë sikur po bëjmë rrugën e Parajsës!

Gjiknuri: Vjen nga nevoja ndërtimi i kësaj rruge. Problemi më i madh që ka Saranda kjo është menaxhimi i fluksit në verë, dhe është një investim i mirëpritur.

Kryeministri Edi Rama tha nga Saranda se sapo të kontraktojnë aeroportin e Vlorës do të hapin menjëherë procesin për aeroportin e Sarandës.

‘Mesa duket do të kemi një fitues për Vlorën. Pasi janë paraqitur dy kompani, më në fund u ça ajo bllokada e COVID. Në momentin që ne do të kontraktojmë aeroportin e Vlorës do hapim menjëherë procesin për aeroportin e Sarandës. Është bërë projekti, por kemi qenë të kujdesshëm të presim një herë dhe do të energjizojë jashtëzakonisht shumë.’- tha Rama.