Mes mijëra dokumenteve të publikuara nga dosja Epstein ka edhe biseda që lidhen drejtpërdrejt me politikën e Gjermanisë. Në një prej tyre, Steve Bannon, ish-këshilltar i president Donald Trump, shkruan pa asnjë filtër: “Uroj që Angela Merkelin ta shtypë autobuzi sa më parë”.

Sipas Der Spiegel, në këto biseda shfaqen qëndrime hapur armiqësore ndaj ish-kancelares Angela Merkel, si edhe vlerësime pozitive për rritjen e partisë së djathtë Alternative für Deutschland. Epstein dhe Bannon flasin për nevojën që kjo parti të forcohet sa më shumë, në linjë me lëvizje të tjera të djathta në Europë.

Një tjetër temë që del në këto komunikime është kundërshtimi i rregullave që Bashkimi Evropian po përgatiste për kontrollin e kriptomonedhave. “Kështu mund të ndalojmë çdo rregullim për kriptot apo çfarëdo tjetër që duam”, shkruan Bannon në një nga mesazhet, sipas Der Spiegel. Fraksionet e djathta në Parlamentin Evropian kanë qenë kundër këtyre rregullave.

Dokumentet tregojnë gjithashtu se Steve Bannon është takuar disa herë me drejtues të AfD-së, përfshirë bashkëkryetarët Alice Weidel dhe Tino Chrupalla. Në një moment, ishte hedhur edhe ideja që ish-këshilltari i president Donald Trump të vizitonte Bundestagun, por kjo vizitë nuk u realizua.

Në një tjetër email, pas dorëheqjes së kryeministres britanike Theresa May në maj 2019, Epstein i shkruan Bannonit duke e quajtur këtë zhvillim si meritë të tij. Përgjigjja e Bannon ishte e drejtpërdrejtë: “May ka rënë. Merkel dhe Macron do të bien të hënën”, duke iu referuar zgjedhjeve evropiane.

Deputeti i CDU-së Johannes Volkmann shkruan në platformën X se dokumentet tregojnë “ndikim të qartë amerikan mbi AfD-në”. Sipas tij, nuk është rastësi që eurodeputetët e kësaj partie kanë votuar kundër rregullave për kontrollin e kriptomonedhave.

Der Spiegel raporton gjithashtu se në dosje gjendet edhe një foto bardhë e zi, e paraqitur si e një Angela Merkel të re nudo. Fotoja kishte qarkulluar prej kohësh në internet dhe ishte dërguar Epstein-it nga një biznesmen nga Emiratet, por ishte e njohur se nuk kishte asnjë lidhje me ish-kancelaren gjermane./DW