Ardhja e një ambasadori të ri amerikan ka qenë gjithmonë lajm në Shqipëri, por jo vetëm. Në rajon as që nuk diskutohet që kthehet në çështje diskutimi, por kjo ndodh shpesh dhe në vende të rëndësishme e të mëdha europiane.
Në Itali për shembull, emërimi i një ambasadori të ri në Romë, merr gjithmonë një vëmendje nga mediat që kanë kryesisht profil politik. Njëjtë ka ndodhur edhe në Francë, e rast i fundit i emërimit të Charles Kushner (babait të Jared) si ambasador në Paris pati impakt të gjatë në mediat kryesore në vend. Po ashtu edhe në Gjermani, emërimi i ambasadorit Grenell ishte një titull kryesor që nga emërimi e deri nga largimi i tij prej qeverisë së Angela Merkel.
Ndërkaq, për nominimin e ambasadorit të ri nga Presidenti Donald Trump në Shqipëri, ka një vëmendje të shtuar nga mediat e rajonit. Në Beograd, disa prej mediave serioze që merren me gjeopolitike e jo tabloidët folklorikë, e kanë trajtuar me komente dhe opinione të ndryshme nga disa këndvështrime.
Në Tiranë e Prishtinë, ka munguar kjo qasje, e në fakt kjo nuk është hera e parë, por gjithsesi problemi qëndron gjetkë.
Ndërkaq, publikimi i rezymesë së Departamentit të Shtetit për Senatin, në lidhje me nominimin e ambasadorit Wendt në Tiranë, është një zhvillim edhe më i avancuar.
Sipas dokumentit, Eric Wendt, gjeneral-lejtnant në pension, vlerësohet si një kandidat me përvojë të gjerë në drejtimin e strukturave komplekse ushtarake dhe ndërinstitucionale, si dhe me njohje të drejtpërdrejtë të rajonit evropian dhe Shqipërisë.
Një nga elementët kryesorë që theksohet në raport është roli i tij në NATO, ku si komandant i Shtabit të Operacioneve Speciale ka drejtuar të gjitha forcat speciale të Aleancës, përfshirë edhe njësitë shqiptare, duke bashkëpunuar drejtpërdrejt me drejtues dhe trupa në Shqipëri.
Raporti nënvizon se aftësia e tij për të menaxhuar struktura shumëkombëshe dhe ndërinstitucionale, si dhe eksperienca në operacione ndërkombëtare dhe diplomaci sigurie, e bëjnë atë të përshtatshëm për postin në Tiranë.
Raporti shpjegues në vetvete është sinjal që rikthen direkt impaktin aktiv të DASH në rajonin tonë. Që prej thuajse një viti, falë edhe zhvillimeve të vrullshme ndërkombëtare nuk kanë qenë mjaft të dukshme. Por nuk është se aktiviteti ka qenë i mbyllur, mjaft të përmendet Bordi i Paqes, dendësia e qëndrimeve në Kosovë, Serbi, etj, edhe pse në të gjithë këto vende ende nuk është arritur emërimi i ambasadorëve të rinj, falë edhe rinovimit të stafit si pasojë e ndryshimeve dhe mbylljes së mandateve.
Por ajo që vlen të përmendet në rastin tonë, është se edhe njëherë aparatet amerikane tregojnë se lobimi nuk mund të zëvendësojë asnjëherë diplomacinë karshi politikave apo individëve të veçantë.
Prej nisjes së reformës në drejtësi si draft, nga Tirana u lobuan miliona e miliona dollar në kompani të ndryshme amerikane për botoks politik. Por që siç ndodhi dhe u pa, i gjithë ai botoks u shfy e nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Përveç parave që shkuan lumë e për lesh, e aq më zi u përdorën për hetime, mjediso u bombardua me një propagandë që i pikturonte diplomatët amerikanë si përbindsha që duan të hanë politikanët tanë të bukur dhe të rinj fringo. Dhe ndërsyen ushtritë e tyre digjitale për vite e vite në faqen e ambasadës së SHBA, ku hodhën jo vetëm bojë të zezë dhe baltë, por sharje të tmerrshme. E pastaj kërkojnë pajtime ndërmjet “krushqve” me qira. Merre me mend tani me një gjeneral, do guxojnë dot të shajnë përsëri?/TemA
Komente










